Presidenti Thaçi në 21 vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Të bashkuar bëjmë hapa gjigantë

Prishtinë, 5 mars 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 21 vjetorit të epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se me nderimet më të larta shtetërore, sot kujtojmë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
 
Kjo sakrificë sublime, sipas tij, bëri kthesë të jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.
 
“Bota filloi ta kuptojë drejtë Kosovën. Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptar”, ka shtuar ai.
 
Kreu i shtetit ka thënë se sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, invalidët, veteranët dhe gjithë qytetarët që sakrifikuan për çlirimin e Kosovës.
 
“Nderojmë diasporën, që dhanë gjithçka për liri. Kujtojmë 13,500 civilë shqiptarë të vrarë, rreth 400 masakra kundër shqiptarëve, rreth 20,000 gra të dhunuara shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi, para qindra ushtarëve të rreshtuar për ndër të 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
I pari i vendit ka thënë se në këtë përvjetor për herë të parë Epopenë e UÇK-së po e shënojmë me ushtrinë e Kosovës, të njohur edhe ndërkombëtarisht si forcë moderne, profesionale dhe shumetnike.
 
“Ecja e Kosovës përpara është e pandalshme. Po konsolidohemi në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Të bashkuar si popull dhe institucione kemi energji që të bëjmë hapa gjigantë. Të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë”, ka thënë ai.
 
Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do t’i forcojë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.