Presidenti Thaçi merr mbështetjen e Senatit dhe Kongresit të SHBA-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një sërë takimesh më senatorë dhe kongresistë të ndryshëm, me të cilët ka biseduar për çështje të interesit të përbashkët të të dyja vendeve.

Presidenti Thaçi është takuar me senatorin Ron Johnson, me të cilin ka biseduar lidhur me mundësitë e thellimi të bashkëpunimit.

Presidenti Thaçi i ka vlerësuar këto takime si mbështetje unike e të gjitha institucioneve të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB.

Kreu i vendit, po ashtu, është takuar edhe me senatorët demokratë Gary C. Peters dhe Robert Menendez, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin Kosovë-SHBA.

“Senatorët republikanë dhe demokratë janë të bashkuar rreth Kosovës dhe mbështesin fuqishëm perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe domosdoshmërinë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me mikun e madh të Kosovës, kongresistin amerikan Eliot Engel.

Duke e vlerësuar lart kontributin e tij dhënë për Kosovën, presidenti Thaçi ka thënë se “kongresmeni Engel në tri dekadat e fundit e ka përkrahur vazhdimisht vendin tonë në jetësimin e aspiratës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Mbështetja e tij dhe e SHBA-së për Kosovën ka qenë, është dhe do të mbetet përherë jetike për popullin dhe vendin tonë”.

Po ashtu, presidenti Thaçi është takuar edhe me senatoren Joni Ernst, me të cilën ka biseduar për transformimin e Forcës së Sigurisë dhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pari i vendit ka thënë pas takimit me senatoren e Iowas se “bashkëpunimi ndërmjet shteteve tona e dëshmon më së miri lidhjen e fortë mes dy popujve tanë”.

Për transformimin e FSK-së dhe për dialogun me ndërmjet Kosovës e Serbisë, presidenti Thaçi ka biseduar edhe në takimin e zhvilluar me senatorin republikan Marco Rubio.

“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fillim të kësaj vizite, kreu i shtetit është takuar edhe me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, si dhe me John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.