Presidenti Thaçi: Kosova e suksesshme në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore

Prishtinë, 18 tetor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ditën e BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Presidenti Thaçi ka thënë se trafikimi me qenie njerëzore është ndër shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut.

Ai ka thënë se trafikimi me njerëz i lëndon vetë viktimat, por edhe kufijtë e shteteve tona, shoqëritë tona, ekonomitë tona, derisa në anën tjetër forcon krimin e organizuar, prek thellë edhe në vetë vlerat dhe parimet mbi të cilat ndërtohen shoqëritë liberale dhe demokratike.

“Trafikimi me qenie njerëzore i lëkundë themelet e BE-së dhe vazhdon të jetë ndër problemet më fondamentale me të cilat përballet BE-ja edhe sot. Prandaj janë të mirëseardhura mundësitë si kjo sot, që së bashku të bisedojmë për migracionin ilegal, për rreziqet që paraqet për shoqëritë dhe për masat që mund të ndërmarrim për ta luftuar atë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se Kosova ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore dhe politika për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, të harmonizuara me ligjet e Bashkimit Evropian.

Presidenti ka thënë se falë hapave që kanë ndërmarrë institucionet e vendit është shënuar edhe progres.

“Hapi i parë ka qenë informimi i drejtë i qytetarëve që nuk kanë të ardhme si emigrantë ilegalë në BE apo kudo në botë. E dyta, organet e rendit e të sigurisë kanë vepruar kundër atyre që kanë nxitur apo organizuar transportin ilegal të emigrantëve, duke i vënë para drejtësisë autorët e këtij fenomeni. Ne kemi bashkëpunuar me shtetet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë konferencë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të shumë institucioneve të Kosovës dhe ndërkombëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se kjo ka qenë e rëndësishme jo vetëm për të luftuar vetë fenomenin, por edhe për aspiratën për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Jam i lumtur që angazhimi ynë ka marrë vlerësime pozitive nga BE dhe partnerët tanë. Kjo i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën dhe tani me të drejtë presim vendimin e drejtë, të merituar për qytetarët e Kosovës. Por, ky është edhe zotim se do të vazhdojmë të luftojmë me përkushtim të njëjtë trafikimin me qenie njerëzore”, ka thënë ai.

Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet e sigurisë, të drejtësisë, shoqërisë civile dhe mediat, që të bëhen pjesë e kësaj lufte dhe pjesë e fitores kundër saj.