Presidenti Thaçi: Fati i të pagjeturve duhet të zbardhet urgjentisht

Meje, 27 prill 2019 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së të Pagjeturve në fshatin Meje të Gjakovës.

Para familjarëve të të pagjeturve dhe të pranishmëve të tjerë, presidenti Thaçi ka thënë se kaluan njëzet vite dhe ende pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë të freskëta, për familjet e të pagjeturve dhe gjithë qytetarët e Kosovës dhe ndërgjegjen demokratike të botës.

“Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Vrau 13 mijë e pesëqind civilë, gra pleq dhe fëmijë. Kreu mbi 400 masakra anembanë Kosovës, duke përshirë edhe Mejën këtu, ku sot jemi. Vrau 1250 fëmijë. Aparati i shtetit të Serbisë dhunoi 20 mijë gra shqiptare. Dëboi mbi 800 mijë shqiptarë nga shtëpitë dhe pronat e veta”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se për fat të keq, ky gjenocid, as nga drejtësia lokale e as  nga ajo ndërkombëtare nuk u ndëshkua.

“Sikur po kalon në heshtje ndërkombëtare, me tendenca të baraspeshës. Pra, ndëshkimi i gjenocidit serb është zero. Qytetarët e Kosovës e duan të vërtetën dhe drejtësinë” ka theksuar ai.

I pari i vendit ka thënë se fati i të pagjeturve duhet të zbardhet urgjentisht, i çdo etnie.

“Kishim shpresuar se në dialogun e Brukselit kjo do të ishte pika e parë, midis dy shteteve tona. Por, Serbia ka kushtëzuar këtë proces” dhe sipas tij, “Kosova nuk do të pranojë proces të kushtëzuar, as në takimin e Berlinit e as gjetiu”.

Kreu i vendit e ka inkurajuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për iniciativën që Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt të nxjerrë rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Presidenti Thaçi duke shprehur falënderimin e tij për prezencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, ka thënë se kjo prezencë këtij tubimi i jep kuptim të veçantë, rrit shpresat për drejtësi, nderon viktimat dhe lehtëson dhimbjet për familjet e të pagjeturve.

“U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës që na qëndruan afër në momentet më të rënda që kemi përjetuar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se populli i Kosovës do të jetë përjetë mirënjohës dhe falënderues ndaj SHBA-së.