Presidenti Thaçi: Emancipimi i gruas në Kosovë është emancipim i tërë shoqërisë

Prishtinë, 22 nëntor 2019 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në lansimin e Studimit mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë, të organizuar nga OSBE-ja.

Presidenti Thaçi ka thënë se pas pranimit të raportit ndjenja e parë është ajo e dëshpërimit me pozitën e gruas, me dhunën që ushtrohet kundër gruas, me kërcënimet për mirëqenien dhe sigurinë e tyre në shoqërinë kosovare.

Sipas tij, traumat e thella të luftës dhe gjenocidit, të represionit dhe të diskriminimit, të përjashtimit dhe mohimit të të drejtave, prekin thellë në shoqërinë tonë.

“Prekin edhe pozitën e gruas dhe mundësinë e tërë shoqërisë për t’u përballur me problemet më të thella dhe më të rëndësishme”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka shtuar se po në këtë raport ka gjetur arsye edhe për optimizëm dhe kurajo për të vazhduar me zhvillimin dhe transformimin e shoqërisë kosovare.

Ai ka përmendur tri të arritura të rëndësishme të këtij raporti.

“E arritura e parë është se edhe Kosova është përfshirë në këtë studim të rëndësishëm”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar më tej se është “i vetëdijshëm për pengesat që i bëhen shtetit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Presidenti ka thënë se nuk dëshiron të flasë sa e padrejtë është kjo ndaj qytetarëve të Kosovës, por ka shprehur mirënjohje për përfshirjen e Kosovës në këtë hulumtim.

“U jam mirënjohës që keni vënë të drejtat dhe liritë e individit, qytetarit të Kosovës, mbi çdo politikë të ditës e interes të grupeve apo shteteve të ndryshme”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi më tej ka thënë se e arritura e dytë është se anketa e publikuar nuk bën vetëm konstatimin e gjendjes, por kërkon shkaqet, analizon shkaqet dhe pasojat, si dhe jep rekomandime për të përmirësuar gjendjen.

“Mostra e respodentëve, pyetjet, intervistat, kanë nxjerrë në pah të dhëna që kërkojnë debat e diskutime thelbësore në shoqërinë kosovare. Për më tepër, anketa që po e publikoni sot, nuk bën vetëm konstatimin e gjendjes, por kërkon shkaqet, analizon shkaqet dhe pasojat, si dhe jep rekomandime për të përmirësuar gjendjen. Po flasim për përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë, për fuqizimin e saj”, ka shtuar presidenti.

Emancipimi i gruas në Kosovë, ai ka thënë se do të thotë emancipim i tërë shoqërisë.

“Fuqizimi i gruas në Kosovë do të thotë fuqizim i parimeve të lirisë, barazisë, dinjitetit që vlejnë për tërë shoqërinë tonë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se “me punën e juaj ju po ndihmoni debatin e përgjithshëm shoqëror në Kosovë dhe emancipimin e tërë shoqërisë”.

I pari i vendit ka thënë se duke organizuar konferenca të tilla mbahet në majë të agjendës çështja e barazisë gjinore dhe nevoja për fuqizim të gruas.

“Të dhënat që do të shpalosni sot këtu do të kontribuojnë për një debat më të argumentuar. Rekomandimet tuaja do të ndihmojnë në ndërmarrjen e hapave për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqërinë kosovare. Është e vërtetë që përkundër sfidave dhe historisë sonë kemi bërë hapa të mëdhenj përpara në fuqizimin e gruas dhe në avancimin e rolit të saj në shoqëri. Por, ky është vetëm fillimi”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se kemi ende rrugë për të bërë për të garantuar barazi të plotë gjinore në shoqërinë kosovare.

“Me përkushtimin, me njohuritë tona dhe përkrahjen tuaj do të vazhdojmë të ecim përpara deri sa çdo grua, çdo vajzë, të ndjehet e barabartë në shoqërinë tonë. Të ndjehet e sigurt, e pranuar, e mbrojtur, e barabartë dhe e lirë”, ka thënë presidenti Thaçi.