Presidenti Thaçi dhe ministri Cakaj flasin për koordinimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

Prishtinë, 19 shkurt 2020 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar ministrin Cakaj për vizitën që i ka bërë Kosovës, menjëherë pas festimit të 12 vjetorit të pavarësisë.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës ndërlidhen drejtpërdrejtë edhe me kontributin e Shqipërisë. Një kontribut ky i jashtëzakonshëm historik. Por, në të njëjtën kohë edhe tash në procesin e konsolidimit të shtetit tonë, të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohjeve të reja, kërkohet një koordinim në mes Prishtinës dhe Tiranës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se ka qenë i fokusuar në konsolidimin e marrëdhënieve brenda shqiptare në rajon.

“Kemi qenë, po ashtu, të angazhuar në çështjen e njohjeve të Kosovës, me të gjitha kapacitetet që kemi pasur. Jemi munduar ta bëjmë më të mirën për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe në forumet shumëpalëshe jemi kujdesur që aty ku Kosova nuk ka prani, ne të jemi zëri i Kosovës dhe të adresojmë të gjitha çështjet që e ngarkojnë agjendën e saj”, ka thënë ministri Cakaj.

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë e ka falënderuar presidentin Thaçi për kontributin që ka dhënë Kosova, pas tërmetit në Shqipëri më 26 nëntor.

“Solidariteti i popullit të Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe puna e institucioneve të Kosovës e pashembullt. Me atë keni dëshmuar se ndonëse jemi dy shtete, ne jemi një komb i vetëm dhe se marrëdhëniet tona duhet të thellohen”, ka thënë Cakaj.

Kreu i shtetit ka thënë se ministri Cakaj i ka dhënë një dinamikë dhe një shpirt të ri frymës së afirmimit të konsolidimit të shtetit të Kosovës kudo në botë, në çdo instancë ndërkombëtare ku merr pjesë Republika e Shqipërisë.

“Në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës shpreh falënderim për kontributin tuaj personal, të kryeministrit Rama dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Shqipërisë, që kanë një qëndrim unik për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.