Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti flasin për proceset politike, pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike

Prishtinë, 15 qershor 2020 - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur kryeministrin Avdullah Hoti, me të cilin ka biseduar për proceset politike, për pandeminë COVID-19 dhe për rimëkëmbjen ekonomike.

Presidenti Thaçi ka thënë se fatmirësisht situata politike është normalizuar dhe tani duhet të krijohet uniteti politik për t’u bashkuar të gjithë në procesin e dialogut përballë Serbisë.

Edhe kryeministri Hoti ka theksuar se Kosova ka nevojë të krijojë ekip gjithëpërfshirës në këtë fazë përfundimtare të dialogut me Serbinë, ku pjesë e tij duhet të bëhen edhe subjektet politike opozitare.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë shprehur shqetësimet e tyre edhe për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19.

“Duhet me rreptësi të zbatohen rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit dhe kreu i ekzekutivit janë pajtuar që bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional është i domosdoshëm që Kosova t’i kalojë me sukses sfidat me të cilat po ballafaqohet.