Presidenti Thaçi dhe kancelari Kurz: Marrëveshja Kosovë-Serbi sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet për tërë Ballkanin Perëndimor

Prishtinë, 6 nëntor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kancelarin Kurz për mbështetjen që Austria po i jep Kosovës në marrëdhëniet bilaterale dhe në arenën ndërkombëtare.

“Austria është duke vazhduar udhëheqjen e BE-së si kryesuese e radhës dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka bërë përpjekje për të promovuar perspektiven evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është shteti më proevropian në rajon dhe e kemi bërë të qartë vizionin tonë për anëtarësim në BE dhe NATO. Prandaj, puna dhe angazhimi ynë për arritjen e këtyre qëllimeve mbeten konsistente. Kjo është arsyeja që ne duhet të punojmë me përkushtim për të përmbyllur reformat e brendshme, në ekonomi, të drejtësi, edukim, shëndetësi dhe në qeverisje të mirë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në kontekst të integrimeve euroatlantike, presidenti Thaçi ka thënë se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kushti thelbësor.

“Kosova ka ndërtuar raporte fqinjësore të mira me të gjitha shtetet fqinje. Po mundohemi maksimalisht që të ndërtojmë raporte korrekte edhe me Serbinë. Fatkeqësisht, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përkundër këtij fakti, Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar për dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, kancelari austriak, Sebastian Kurz, theksoi se ka ardhur si Kancelar i Qeverisë Federale të Austrisë dhe si kryesues i presidencës së Bashkimit Evropian për të theksuar mbështetjen për Kosovën.

“Zhvillimet pozitive në Kosovë dhe në tërë rajonin janë shumë me rëndësi për ne. Si kryesues i presidencës së BE-së i kemi vendosur shtetet e Ballkanit Perëndimor në fokus, sepse dëshirojmë që si rajon të gjitha shtetet të kenë një perspektivë evropiane dhe i mbështesim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në këtë rrugë. Që të sigurohet paqe, liri dhe siguri në mënyrë afatgjate dhe të qëndrueshme në Ballkan është i rëndësishëm një dialog i suksesshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe përmbyllja e suksesshme e këtij dialogu me një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh kancelari Kurz, duke kërkuar nga qytetarët e Kosovës që t’i përkrahin përpjekjet e lidershipit për forcimin e paqes në rajon.

“Pa një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë bashkëjetesë paqësore, stabilitet në rajon dhe nuk do të ketë as perspektivë evropiane. Prandaj, kam besim të madh në përpjekjet që janë duke u bërë këtu”, theksoi kancelari Kurz.

Presidenti Thaçi u shpreh i bindur se marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe të qëndrueshme në mes dy vendeve, të mira për të dy popujt, por edhe më tepër paqe dhe stabilitet për tërë Ballkanin Perëndimor dhe të ardhme të sigurt evropiane.

Kreu i shtetit e ka falënderuar kancelarin Kurz për mbështetjen e tij personale dhe të Austrisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare, por edhe për përkushtimin e tij që qytetarët tanë të gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Ai ka thënë se vizita e kancelarit Kurz në Kosovë dhe në Serbi, shpreson se do të jetë impuls i ri për lidershpin e dy vendeve që të lëvizin drejt marrëveshjes paqësore.