Presidenti Thaçi dhe ambasadori Lamberto Zannier flasin për të drejtat e komuniteteve

Prishtinë, 1 prill 2019 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakica Nacionale, Lamberto Zannier.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për rritjen e harmonisë mes komuniteteve dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit.

“Me kujdes e përcjelli vazhdimisht gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe jam i kënaqur me përparimin. Kemi ndërtuar kornizë ligjore që përkrah të drejtat e komuniteteve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit në takim me ambasadorin Lamberto Zannier ka folur edhe për rëndësinë e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

“Është themeluar Ekipi Përgatitor për themelimin e këtij komisioni, që po përgatit kornizën ligjore dhe teknike. Ekipi Përgatitor është duke zhvilluar fushatën e konsultimeve publike, me mbështetje të misionit të OSBE-së. Unë jam mirënjohës për misionin e OSBE-së që i ka dhënë mbështetje të plotë iniciativës dhe punës së Ekipit Përgatitor”, shtoi presidenti Thaçi.

Amasadori Lamberto Zannier mirëpriti angazhimet për avancimin e infrastrukturës ligjore për të drejtat e komuniteteve dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar përkrahje për përmirësimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë.