Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re

Prishtinë, 30 prill 2020 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekretuar të propozuarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Presidenti Thaçi pas konsultimeve me partitë parlamentare gjatë javës së kaluar, ku shumica absolute e tyre u shprehën për shmangien e zgjedhjeve dhe krijimin e Qeverisë së re, sipas rezultateve të zgjedhjeve së 6 tetorit, ka marrë konfirmimin zyrtar të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, se kjo parti ka shumicën e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta formuar Qeverinë e re.

“Sot kam marrë një letër nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa, përmes së cilës ai konfirmon që i plotëson të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e Qeverisë së re, duke përfshirë edhe atë të sigurimit të shumicës parlamentare për Qeverinë e re. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar z. Avdullah Hoti si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se në ditët në vijim një Qeveri e re mund të votohet sërish në Kuvendin e Kosovës, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të vendit, duke marrë një legjitimitet të qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Thaçi u shpreh i bindur se në politikën kosovare do të mbizotërojë arsyeja, maturia dhe pjekuria politike, duke shtuar se askush nuk duhet të pretendojë që me metoda të tjera jodemokratike mund ta marrë ose ta mbajë pushtetin.

“Të gjithë ne, si zyrtarë dhe si politikanë të Kosovës, duhet t’i respektojmë këto procedura. Duhet të pajtohemi me faktin që pushteti fitohet dhe humbet në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe të rendit demokratik”, ka përfunduar presidenti Thaçi.