Presidenti Thaçi dekoroi miqtë japonezë që promovuan Kosovën

Tokyo, 23 tetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë dekorata për zyrtarë dhe personalitete nga Japonia që kanë kontribuar në Kosovë dhe për Kosovën, në një ceremoni të organizuar në ndërtesën e Kuvendit të Japonisë në Tokyo.

Yuriko Koike, që aktualisht është Guvernatore e Tokyos, e cila ka ndihmuar Kosovën në kapacitetet tjera zyrtare që ka mbajtur, ndër të tjera duke ndihmuar edhe në sigurimin e strehimit për qindra kosovarë të kthyer në shtëpitë e tyre në vjeshtën e vitit 1999, është dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Nënë Tereza”.

Çmimi “Ambasador Nderi i Republikës së Kosovës” i është ndarë edhe Ryu Shionoya, Kryesues i Grupit të Miqësisë Kosovë-Japoni në Kuvendin e Japonisë, për kontributin e tij në promovimin e Kosovës në Japoni.

Konsulli i Nderit i Republikës së Kosovës në Japoni, njëherësh Këshilltar Special i Kryeministrit të Japonisë, Isao Iijima, është nderuar me çmimin “Ambasador Nderi i Republikës së Kosovës” për promovimin dhe afirmimin e interesave të Republikës së Kosovës në Japoni dhe më gjerë.

Ambasadori Yoshifumi Okamura, i cili ka shërbyer si Këshilltar i PSSP-së në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që në Kosovë më së miri njihet si ambasadori japonez në Kombet e Bashkuara, i cili e ka promovuar verën kosovare në Këshillin e Sigurimit të KB-së, i është ndarë titulli “Dr. Ibrahim Rugova” për kontributin e tij në ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë.

Ish-administratorit të UNMIK-ut në Skenderaj, Ken Inoue, i është ndarë Medalja Presidenciale “Shën Nënë Tereza” për kontributin e tij në fushën e humanizmit dhe paqes në Kosovë, veçanërisht për angazhimin e tij personal për shërimin e atëhershëm të vajzës së vogël Besjana Musliu, e cila kishte pësuar djegie të rënda në kokë gjatë luftës.

E njëjta medalje dhe me pretekst të njëjtë i është ndarë edhe Agjencisë ADRA dhe Spitalit Adventist në Tokyo.

Në këtë ceremoni të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokyo të Japonisë ka marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Presidenti Thaçi u shpreh se ndjen obligim, por edhe privilegj, që t’u shpreh mirënjohje atyre që bënë gjënë e duhur në kohën e duhur.

“Nuk thuhet kot se miqtë dihen në kohë të vështira”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se sot Kosova është partner i bashkësisë ndërkombëtare dhe ka filluar t’i japë botës më shumë sesa që merr “duke i ofruar botës talente dhe shkathtësi në shumë fusha, nga teknologjia e deri tek sporti dhe arti”.

“Dua që sot, duke treguar falënderimin për ju, bashkërisht të shënojmë hyrjen në dekadën e dytë të bashkëpunimit tonë, ku Kosova nuk shihet më si vend që duhet ndihmuar, por si vend me të cilin vendoset partneritet që evoluon drejt një raporti fitim-fitim për të dyja vendet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se është thellësisht i bindur që në dekadën që vjen, Kosova do t’i thellojë raportet me Japoninë, në politikë, ekonomi, siguri, kulturë dhe arsim.