Presidenti Thaçi bëri homazhe te shtatorja e Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Prishtinë, 31 janar 2020 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 23 vjetorit të rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, sot ka bërë homazhe te shtatorja e Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot është përvjetori i rënies heroike të një prej komandantëve legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajazitit, si dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut.

“Është përvjetori i njerëzve që kanë bartur mbi supet e veta fillimet e organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të këtij projekti madhor dhe të shenjtë të kombit tonë, që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit tha se sot nderojmë me pietetin dhe respektin më të lartë shtetëror jetën dhe veprën heroike të këtyre komandantëve dhe të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë në istikame të luftës, si dhe nderojmë sakrificën e çdo qytetari.

“Duke respektuar këtë sakrificë, ne marrim edhe energji për hapat tonë të mëtutjeshëm, që shteti i Kosovës të konsolidohet, por në të njëjtën kohë, sa më shpejtë që të jetë pjesë edhe pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.