Presidenti Thaçi bëri homazhe një ditë pas votimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Prishtinë, 15 dhjetor 2018 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë pas votimit në Kuvendin e Kosovës për mandatin e ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka bërë homazhe te shtatorja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe varri i veprimtarit të shquar Adem Demaçi, si dhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Presidenti Thaçi ka thënë se dje ka qenë moment dhe vendim historik, por edhe krejtësisht normal për një vend të pavarur dhe sovran.

Kreu i shtetit ka thënë se puna më e mbarë sot, në këtë ditë të parë, është nderimi dhe respekti i luftëtarëve të lirisë dhe i personaliteteve të shquara që kanë dhënë kontribut të madh për Kosovën.

“Jemi së bashku sot këtu me bashkëluftëtarin dhe ish-komandantin Rrustem Mustafa – Remi, deputetin, për të nderuar dhe respektuar, si dhe për të dëshmuar edhe njëherë përkushtimin tonë se lufta dhe përpjekjet e dëshmorëve të lirisë, amaneti i tyre për objektivin e lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe ushtrisë po jetësohet”, ka thënë presidenti Thaçi, pas homazheve të shtatorja e Zahir Pajazitit.

I pari i vendit më pas ka bërë nderime edhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit të shquar Adem Demaçi.

Ndërsa, më pas i shoqëruar nga Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, si dhe ish-kryetari Sami Lushtaku, presidenti Thaçi ka bërë homazhe edhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

“Si askund tjetër në hapësirat shqiptare, Prekazi dhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari është vendi i respektit, i sakrificës, por në të njëjtën kohë edhe i vlerësimit më të lartë për të arriturat e lirisë së Kosovës, të pavarësisë, sovranitetit dhe nga dje edhe ushtrisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Këto procese dhe të arritura, sipas presidentit Thaçi, deri më tani janë rezultat i luftës së UÇK-së, i luftëtarëve të lirisë, familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se po realizohen objektivat dhe amaneti i dëshmorëve të lirisë, komandantëve të UÇK-së, luftëtarëve të rënë në istikame, për konsolidimin e shtetit tonë, për zhvillim dhe integrim në NATO dhe Bashkim Evropian.