Presidenti Thaçi bën nderime të varri i presidentit Rugova: Rezistenca paqësore ishte pikënisje e rezistencës së armatosur

Prishtinë, 12 korrik 2020 - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka bërë nderime te varri i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Thaçi ka thënë se presidentin Rugova e ka njohur si bashkudhëtar drejt lirisë dhe paqes, si dy njerëz me mendime të ndryshme politike, por me qëllim të njëjtë: shtetin e lirë e të pavarur të Kosovës.

Kjo është deklarata e plotë e presidentit Thaçi pas nderimeve për presidentin Rugova:

Sot jam këtu për homazhe për njeriun që i dha fuqizim zanafillës së shtetndërtimit të Kosovës, si figurë simbol i përpjekjes kombëtare për ta kthyer ëndrrën e lirisë në mishërimin e një shteti sovran.

Në historinë e formimit të shteteve në botë, Kosova hyn në rastet e rralla që rrugën e formësimit të shtetit e nisi nga ideja e rezistencës paqësore dhe e mbylli në istikamet e luftës së armatosur.

Durimi dhe qartësia e tij për rezistencën paqësore, si një mision i pamundur në kohën dhe kontestin kur mori formë, dëshmoi deri në fund seriozitetin e një njeriut në përpjekje për t’i dal zot atdheut, me një qasje krejt origjinale.

Ajo rezistencë e urtë frymëzoi solidaritetin e diasporës për të mbështetur mbijetesën kombëtare: mbijetesën në arsim, mjekësi, kulturë ..., përballë represionit të shtetit të Serbisë.

E vërteta është se pa rezistencën paqësore, pa atë rrugë të shtruar, që ishte pikënisje edhe për mua dhe bashkëluftëtarët, do të ishte vështirë për të vazhduar më pas në rrugën e rezistencës së armatosur.

Të gjithë ne që nisëm kundërshtimet kundër Beogradit, në fillim të viteve të 90-ta, nuk do të ishim aq të vendosur, aq të trimëruar dhe aq të sigurt në rrugëtimin tonë për liri, sikur të mos na kishte pararendur rezistenca paqësore.

Rezistenca paqësore bindi së pari shqiptarët e Kosovës se mund të mendonin dhe të bënin shtetin e tyre, edhe pse okupimi dukej i përjetshëm.

I njëjti projekt e bindi edhe perëndimin se shqiptarët ishin mbijetues e jo vëzhgues dhe se ata nuk do të pajtoheshin me pushtimin nga Beogradi.

Ky projekt politik e bëri më të justifikuar dhe më legjitim fillimin e rezistencës së armatosur si një veprim historik.

Kombinimi i rezistencës së paqësore dhe lufta e armatosur ishin çelësi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Sot ne duhet të jemi të gjithë krenarë që pikënisja e shtetformimit të Kosovës dhe frymëzimi i lëvizjes çlirimtare në Kosovë nga rezistenca paqësore tek ajo e armatosur, ka nisur nga nevoja për liri, për paqe, për të gjithë qytetarët e saj.

E kam njohur Rugovën si bashkudhëtar drejt lirisë dhe paqes, si dy njerëz me mendime të ndryshme politike, por me qëllim të njëjtë: shtetin e lirë e të pavarur të Kosovës. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë rritet pesha e respektit tim mbi historinë tonë të përbashkët.

Lufta në emër të paqes dhe të drejtave të njeriut ndryshoi mendimin e botës për Kosovën dhe konfirmoi botërisht të drejtën e saj për një shtet ku shqiptarët do të qeverisin bashkë me pakicat e jo të sundohen nga një pakicë e vetme.

Tani detyrë e jona është të përballemi me luftën që po bëhet kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj.

Edhe në emër të rezistencës që solli në jetë Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike, për të bindur edhe vetë Serbinë që të njoh shtetin tonë.

Sot më shumë se kurrë na duhet mësimi i urtësisë së Rugovës dhe respektimi i gjakut të derdhur për Kosovën.

Nderim e mirënjohje gjithmonë Presidentit të parë të Kosovës, si dhe gjithë atyre që i dhanë jetë rezistencës paqësore në fillim dhe asaj të armatosur deri në fund.

Me këtë respekt e mirënjohje do të nisem për në Dhomat e Specializuara, që i krijuam vetë si vendim strategjik e besim ndaj SHBA-së, NATO-s e Bashkimit Evropian, për t’u kthyer kurdo qoftë prej andej me të gjithë pastërtinë e pohuar botërisht të jetës sime për Kosovën e lirë dhe demokratike.

Nderime të përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit. Nderime presidentit Rugova!