Presidenti Thaçi bën nderime te varri i Adem Demaçit: Ishte babai i pavarësisë së Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe të varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se u bë një vit pa simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, njeriun që gjithë jetën e vet ia kushtoi lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se Adem Demaçi ishte babai i pavarësisë së Kosovës.

“Vlera dhe kontributi i angazhimit të Adem Demaçit do të nderohet dhe do të kujtohet gjithmonë nga shteti i Kosovës, sikurse sot me nderime shtetërore, e në të njëjtën kohë do të jetë një vlerë e respektuar dhe e vlerësuar lartë nga i gjithë kombi shqiptar, sikur që edhe do të jetë i vlerësuar gjithmonë në përjetësi nga bota demokratike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se çdo nderim për Adem Demaçin është nderim për sakrificën e gjithë atyre njerëzve që kanë rënë për lirinë e Kosovës, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vuajtjet e kaluara në burgjet dhe kazamatet serbe.

“Në të njëjtën kohë është edhe marrje e energjive të reja, që të lëvizim edhe më shpejtë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit tonë, në perspektivë të sigurt për në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe me raporte të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.