Presidenti pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të parë të Jordanisë për Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të parë të Jordanisë për Kosovën, Ismail Issa Ismail Rifaie.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar ambasadorin jorezident të Jordanisë për bashkëpunimin e deritashëm me Kosovën.

“Jordania është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe është përkrahëse e përhershme e jona. Kosova ka përfituar nga ky bashkëpunim, sidomos në sektorin e sigurisë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, ambasadori jorezident i Jordanisë, Ismail Issa Ismail Rifaie, u shpreh i kënaqur që është edhe ambasadori i parë i Jordanisë për Kosovën.

“Kënaqësi të jem ambasadori i parë i Jordanisë për Kosovën. Do të vazhdojmë të përkrahim Kosovën”, theksoi ai.

Presidenti Thaçi, ambasadorit jorezident të Jordanisë i shprehu gatishmërinë për të zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e ndërsjellë.