Presidenti përkujton Hyzri Tallën, Ilir Durmishin dhe Afrim Maliqin: Populli dhe luftëtarët e lirisë ishin një

Prishtinë, 3 dhjetor 2018 – Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është organizuar Akademia Përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së heroit Hyzri Talla dhe bashkëluftëtarëve të tij, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

Presidenti Thaçi ka thënë se para 20 vjetësh, Kosova humbi dy veprimtarë të shquar dhe një intelektual në moshën më të mirë krijuese.

“Kosova humbi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hyzri Tallën, Ilir Durmishin dhe gazetarin Afrim Maliqi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se në dekadën e fundit të shekullit njëzet, Kosova hyri në një fazë intensive të dhunës sistematike, ndjekjes, burgosjes dhe vrasjeve të shqiptarëve, të ushtruar nga regjimi okupues i Beogradit.

Për t’iu kundërvënë këtyre masave represive, ai theksoi se shqiptarët e Kosovës përdorën të gjitha mjetet e rezistencës politike dhe qytetare.

“Rezistenca civile, artikulimin më të mirë e arriti përmes organizatës politike dhe ushtarake të dalë nga populli, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja në radhët e saj bashkoi njerëzit më të përkushtuar dhe më të gatshëm për të luftuar kundër aparatit policor, ushtarak dhe administrativ të Serbisë. Në vitin 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcuar dhe zgjeruar në gjithë Kosovën. Në ofensivat e verës dhe vjeshtës 1998, UÇK-ja u dëshmua një guerile moderne, e pathyeshme dhe e vendosur në qëllimin madhor, çlirimin e Kosovës. Luftëtarët e lirisë dhe populli ishin bërë një, pavarësisht çmimit dhe sakrificës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se një prej luftëtarëve të paepur ishte edhe Hyzri Talla, i cili kishte një përvojë organizimi në organizata patriotike, që nuk e ndalën asnjëherë veprimtarinë kundër okupimit të Kosovës.

“Në kuadër të Zonës Operative të Llapit, Hyzriu kreu me nder dhe përgjegjësi detyra të rëndësishme. Ditën e 2 dhjetor 1998, Hyzri Talla ishte brenda në Prishtinë në krye të misionit të tij si epror i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Bashkë me Hyzriun ishte Ilir Durmishi, një veprimtar i përkushtuar për të kontribuar me tërë energjitë e tij. Me ta ishte edhe gazetari i talentuar, Afrim Maliqi, shok i idealit të tyre. Vrasja në pritë e këtyre tre veprimtarëve ishte tregues se çfarë rreziku po paraqiste Ushtria Çlirimtare e Kosovës për segmentet e pushtuesit: në fronte, në istikame, në qendra urbane dhe kudo tjetër në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Pavarësisht goditjeve dhe humbjeve të bashkëluftëtarëve tanë, kreu i shtetit ka thënë se UÇK-ja arriti të bëhet faktori më i rëndësishëm politik dhe ushtarak në vitet 1998 dhe gjysmën e parë të vitit 1999.

“Për shkak të vendosmërisë, vizionit, orientimit kah vlerat e demokracisë perëndimore, lufta dhe qëndresa e popullit të Kosovës u kurorëzua me sukses. Kosova u mbështet nga bota demokratike, nga SHBA-ja, nga shtetet e BE-së dhe NATO-ja, duke arritur çlirimin dhe lirinë e ëndërruar nga shumë breza. Sivjet Kosova kremtoi 19 vjetorin e çlirimit dhe 10 vjetorin e pavarësisë. Pas realizimit të dy objektivave të mëdha, çlirimit dhe pavarësisë, Kosova e ka të qartë edhe objektivin e tretë, integrimin në institucionet euroatlantike, në BE, NATO dhe OKB”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se liria dhe pavarësia nuk do të vinin pa sakrificën e dëshmorëve të të gjitha kohërave dhe pa luftën madhështore të UÇK-së.

Prandaj, ai shtoi, sot me nderimet më të larta shtetërore kujtojmë dhe nderojmë të rënët më 2 dhjetor 1998, Hyzriun, Ilirin dhe Afrimin.

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova u është mirënjohëse përjetë të gjithë atyre që ranë për lirinë e saj.