Presidenti Pacolli: 24 Marsi - ngjarje e madhe historike që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka bërë një deklaratë me rastin e 24 marsit, 12 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.

Në deklaratë thuhet:

Fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, dymbëdhjetë vjet më parë, ishte ngjarje e madhe historike që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Fushata e bombardimeve të NATO-s që filloi më 24 mars 1999, ishte  një akt i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe mesazh i qartë i botës demokratike dërguar regjimit të Millosheviqit, se bota e civilizuar ishte e përcaktuar që me çdo kusht t’i jepej fund krimeve të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë anekënd Kosovës. Kjo fushatë, po ashtu simbolizon sukses të madh edhe për vet NATO-n, meqenëse ka dhënë një ndër provimet më të rënda gjatë historisë së ekzistimit të saj.

Në këtë ditë, ne qytetarët e Kosovës me dhimbje kujtojmë të gjitha viktimat civile që pësuan si  pasojë e fushatës së terrorit të egër të Millosheviqit dhe bashkëndjejmë me vuajtjet e familjareve që ende sot e kësaj dite kërkojnë të zhdukurit e më të dashurit e  tyre.

Me gjithë dhimbjet e mëdha që lufta i shkaktoi Kosovës, kjo ditë simbolizon kthesën e madhe për vendin tonë drejt rrugës së paqes dhe prosperitetit. Realiteti i sotshëm në Kosovë i jep legjitimitet dhe të drejtë absolute vendimit ndërkombëtar për sulme ajrore kundër Serbisë më 1999. Sot, Kosova e Pavarur është në rrugë të duhur të forcimit të shtetësisë së saj duke ndërtuar institucione kredibile mbi një platformë dhe vizion të qartë politik, i cili garanton zhvillimin e një shoqërie demokratike.

Duke aspiruar në integrimet euroatlantike, populli i Kosovës dhe institucionet e saj do të punojnë intensivisht në krijimin e një shoqërie të zhvilluar ekonomikisht e stabile politikisht që garanton një jetë të barabartë dhe të lirë për të gjithë qytetarët e saj.

Ndërtimi i një shoqërie me vlera demokratike që reflekton stabilitet politik në tërë rajonin është falënderimi i ynë më i madh për SHBA-në, për shtetet e BE-së dhe miqtë tonë të tjerë ndërkombëtarë të cilët përkrahen Kosovën në rrugën e saj të vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë.

Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kultivimin e partneritetit tonë me botën demokratike, duke i shërbyer jo vetëm qytetareve të saj por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon.