Presidenti në 20 vjetorin e masakrës në Izbicë: Serbia bëri gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë

Prishtinë, 28 mars 2019 - Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, sot u mbajt Akademi Përkujtimore për 20 vjetorin e masakrës së Izbicës.

Në 20 vjetorin e krimit të policisë dhe ushtrisë serbe në Izbicë, presidenti Thaçi kujtoj 147 të rënët nga Izbica dhe vendbanimet përreth saj.

“Kujtojmë gjithë martirët dhe viktimat e terrorit të shtetit të Serbisë në vitet 1998, 1999. I kujtojmë ata që u vranë dhe u masakruan vetëm pse ishin shqiptarë. Njerëz të paarmatosur, pleq, gra, burra, fëmijë, të rinj e të reja që u vranë në vatrën dhe në tokën e tyre gjithandej Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se Kosova kurrë nuk do t’i harrojë tragjeditë në Likoshan, Çirez, Prekaz, Abri, Reçak, Celinë, Krushë, Rezallë, Qyshk, Poklek, Studime, Mejë dhe shumë vendbanime të tjera.

“Shteti i Serbisë bëri gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Dëboi qindra mijë shqiptarë jashtë Kosovës. Dogji dhe plaçkiti pasurinë e qytetarëve tanë. Asnjëherë nuk do të harrohen përmasat e krimeve të Serbisë mbi popullatën e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Kosova sivjet shënon njëzetvjetorin e çlirimit.

Kjo ditë, sipas tij, nuk do të vinte pa luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk do të vinte pa sakrificën dhe gjakun e dymijë dëshmorëve dhe mijëra martirëve. Lufta e drejtë e popullit tonë u përkrah nga shtetet e demokracisë botërore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shtete të BE-së dhe NATO. Liria dhe pavarësia e Kosovës themelet i ka tek sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të saj”, u shpreh ai.

Në këtë Akademi Përkujtimore, presidenti Thaçi theksoi se do t’i ruajmë dhe kultivojmë marrëdhëniet me shtetet e botës perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai potencoi se Kosova është e sigurt në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe do të bëhet pjesë e BE-së, NATO-s dhe OKB-së.