Presidenti Napolitano uron Presidenten Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në vendin tonë, z.Michael L. Giffoni.

Në takim, Presidentja Jahjaga shprehu falënderimin e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Italisë i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat e sidomos në fazën e shtetndërtimit të saj.

Ajo theksoi se të dy vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat dhe këto marrëdhënie do të njohin zgjerim dhe intensifikim në të ardhmen.

Gjithashtu, Presidentja Jahjaga u shpreh e bindur se Italia do të vazhdojë të mbështesë aspiratat e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike, si një synim i përhershëm i vendit tonë.

Ambasadori Michael L. Giffoni i përcolli Presidentes Jahjaga urimin e Presidentit të Republikës së Italisë, z.Giorgio Napolitano, me rastin e zgjedhjes së saj në krye në vendit.

Në urimin e Presidentit Napolitano thuhet:

“Dëshiroj t’Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo sigurisht ka një vlerë të veçantë simbolike për të gjitha gratë e rajonit.

Italia konfirmon angazhimin e saj bindës në mbështetje të Kosovës dhe të konsolidimit të stabilitetit rajonal, përmes veprimit mbi një plan dypalësh dhe kontributit në misionet ndërkombëtare.

Jam i sigurt që marrëdhëniet tona të ngushta dypalëshe do të gjejnë mundësi të reja të përforcimit e thellimit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në përparimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Zonja Presidente, Ju lutem, pranoni urimet e mia më të sinqerta për një sukses të plotë në mandatin Tuaj të lartë dhe në mirëqenien e popullit mik të Kosovës”.