Presidenti Macron i dërgon letër presidentit Thaçi: Në Paris u riafirmua angazhimi për paqen

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër presidentit Thaçi, përmes së cilës e ka falënderuar për pjesëmarrjen në ceremoninë e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të mbajtur në Paris, më 11 nëntor 2018.

Në këtë letër dërguar presidentit Thaçi, presidenti Macron shkruan se kjo ceremoni ishte një mundësi për të riafirmuar angazhimin për paqen dhe gatishmërinë për forcimin e dialogut dhe veprimit kolektiv.

“Ajo na dha mundësi ne politikanëve, të vetëdijshëm siç jemi rreth mësimeve të së kaluarës dhe kompleksitetit të sfidave me të cilat përballemi, për të riafirmuar angazhimin për paqen dhe gatishmërinë për forcimin e dialogut dhe veprimit kolektiv”, shkruan presidenti Macron.

Kjo është përmbajtja e letrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, dërguar presidentit Thaçi:

 

I nderuar President,

Kam qenë i nderuar nga prania juaj në Paris më 11 nëntor, së bashku me nëntëdhjetë e shtatë krerë shtetesh, krerë qeverish dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare.

Ju falënderoj përzemërsisht.

Pjesëmarrja juaj në përkujtimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe Forumit të Parë të Paqes në Paris ka qenë veçanërisht e rëndësishme.

Ajo mundësoi nderimin me solemnitet dhe emocion të miliona viktimave të një tragjedie që shënjoi thellësisht kujtesën e popujve tanë dhe orientoi fatin e botës.

Ajo na dha mundësi ne politikanëve, të vetëdijshëm siç jemi rreth mësimeve të së kaluarës dhe kompleksitetit të sfidave me të cilat përballemi, për të riafirmuar angazhimin për paqen dhe gatishmërinë për forcimin e dialogut dhe veprimit kolektiv.

Duke theksuar sërish kënaqësinë e pamasë që pata duke ju mirëpritur më 11 nëntor 2018, si dhe mirënjohjen time për prezencën tuaj në këtë ditë kaq simbolike, ju lutem të pranoni, zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.