Në hapje të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut në Washington D.C., Presidentja Osmani takoi zyrtarë amerikanë e evropianë

Në hapjen zyrtare të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut e cila sivjet po mbahet në Washington D.C., Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani takoi zyrtarë të administratës amerikane, kongresistë e senatorë, ministra nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të think- tanks nga Amerika e Evropa.
Në takim me këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Biden, z. Jake Sullivan,  Presidentja Osmani, diskutoi lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor pas invazionit rus në Ukrainë si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet ky rajon. Ajo falënderoi administratën e presidentit Biden për rolin kyç në mbrojtjen e demokracisë dhe sigurisë në kontinentin tonë, e mbi të gjitha për përkrahjen e jashtëzakonshme që historikisht ia kanë dhënë Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në veçanti presidenti Biden.

Presidentja takoi edhe Ministren për Çështje Evropiane të Finlandës, Tytti Tuppurainen, me të cilën diskutoi për përgatitjet e Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare si dhe për reformat e ndërmarra në vendin tonë, e të cilat e avancojnë Kosovën në rrugën euro-atlantike.

Në këtë konferencë, Presidentja Osmani bashkëbisedoi edhe me ministrin Federal të Gjermanisë Wolfgang Schmidt, ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, senatorin Chris Coons, kongresisten Veronica Escobar, zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, udhëheqësin e Konferencës së Mynihut ambasadorin Christoph Heusgen, ambasadorin Wolfgang Ischinger, si dhe përfaqësues të tjerë pjesëmarrës në konferencë.

Sot Presidentja do të flasë në panelin për sigurinë energjetike si dhe në disa evente të tjera. Kjo konferencë ka bashkuar dhjetëra vendimmarrës dhe ekspertë të lartë nga të dy anët e Atlantikut për diskutuar se si partnerët transatlantikë mund të ndërtojnë një aleancë më të qëndrueshme dhe ta avancojnë bashkëveprimin dhe udhëheqjen e përbashkët në sfidat e sigurisë, duke përfshirë luftën aktuale në Ukrainë.