Konferencë për media e Presidentes Jahjaga në prag të fillimit të Samitit Ndërkombëtar të Gruas

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në një konferencë për media, ka folur për Samitin Ndërkombëtar të Gruas, me temën: “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”, që organizohet nga Presidentja Jahjaga, me mbështetjen e USAID-it dhe NDI-së, nga 4-6 tetor, në Prishtinë.

Presidentja Jahjaga theksoi në fillim të fjalës së saj se në Samitin Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim – Fuqizimi i Gruas”, do të jenë të pranishëm rreth 200 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni, Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika. Përkatësisht 100 pjesëmarrës vendorë dhe 100 nga rajoni dhe bota.
 
Pjesëmarrësit do të fokusohen kryesisht në temat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të gruas, me përfaqësimin politik dhe aspektin e sigurisë së gruas dhe çështje që janë kyçe në avancimin e rolit të gruas, si në shoqërinë tonë ashtu edhe në shoqëritë e tjera.
 
Gjatë Samitit do të adresohen të gjithë ata faktorë që ndikojnë në avancimin dhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, fuqizimin ekonomik të grave, me përfaqësimin politik dhe rolin e gruas në vendimmarrje, si dhe të drejtën e pronës dhe qasja e gruas në burime.
 
Gjithashtu do të diskutohen temat në të cilat do të trajtohet roli i gruas në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe qasja e gruas në siguri dhe drejtësi.
 
Ky Samit organizohet me mbështetjen financiare të USAID dhe mbështetjen organizative të NDI. Që nga fillimi i idesë për organizimin e Samitit të Gruas, ishte një përkrahje e fuqishme nga SHBA, këto dy organizata dhe nga Ambasada e SHBA këtu në Republikën e Kosovës.
 
Samiti do të hapet më 4 tetor 2012 me pjesëmarrjen e Sekretares Albright dhe adresimin e saj për rëndësinë e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shteti.
 
Përmes këtij Samiti synohet avancimi i çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës, përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare.
 
Kosova dhe kryeqyteti i Kosovës, në këto ditë gjatë mbajtjes së këtij Samiti, do të shndërrohet në kryeqendrën botërore ku do të diskutohet progresi dhe ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë sa i përket fuqizimit të gruar, të gjitha ato reforma dhe mekanizma që janë krijuar deri tash për fuqizimin e rolit të gruas dhe që të identifikohen rekomandimet që hyjnë në punë për Kosovën, për vendet e rajonit, por edhe për vendet e tjera të botës, që në njëfarë mënyre i kanë sfidat e njëjta, siç i kemi ne në Kosovë dhe në rajon
 
Samiti Ndërkombëtar i Gruas, duke pasur përvojën që ne kemi marrë deri tash, e vendos Kosovën si një faktor të rëndësishëm, sidomos për aspektin e zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë. Ky është një samit, i pari i llojit të tillë që organizohet në Kosovë dhe në këtë pjesë të Evropës Juglindore, tha në fund të fjalës së saj Presidentja Jahjaga.
 
Në vijim të konferencës, Presidentja Jahjaga u përgjigj në pyetjet e gazetarëve:
 
Pyetje: Para disa ditësh jeni kthyer nga Amerika. Çfarë instruksionesh keni marrë atje sa i përket mundësisë së nisjes së një dialogu të ri me Serbinë dhe dihet se për të nisur ky dialog duhet një unifikim i spektrit politik të Kosovës. Ju, në bazë të Kushtetutës e keni rolin unifikues. Sa do të arrini të unifikoni spektrin politik drejt një procesi që po e pret Kosovën?
 
Presidentja Jahjaga: Po ne ka disa ditë që jemi kthyer nga udhëtimi në SHBA, ku qëllimi kryesor ishte participimi gjatë mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që ishte qëllimi kryesor pjesëmarrja e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme.  Kjo asamble është një ngjarje shumë e mirë që i mbledh liderët e botës. Ju e dini që Kosova ende nuk është shtet anëtar i OKB-së, por gjithsesi ne i kemi mekanizmat tonë institucionalë dhe shtetërorë. Duke pasur parasysh edhe përkrahjen e fuqishme të miqve tanë ndërkombëtarë, Kosova ka pasur rastin që të marrë pjesë gjatë mbajtjes së seancës së Asamblesë së Përgjithshme, ku ne patëm një varg takimesh me delegacione të shteteve të tjera, ku ndër to ishte edhe pritja nga ana e presidentit të SHBA-së, Obama.

Nuk ka pasur ndonjë instruksion, por, siç kemi deklaruar edhe herëve të tjera, procesi i dialogut tani më vetëm ka filluar nga viti i kaluar, dhe ku janë arritur një sërë marrëveshjesh në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.

Dialogu jo vetëm që është mënyra më e mirë, por është mënyra e vetme që ne si dy shtete, të cilat kemi pasur një të kaluar e cila nuk ka qenë e lehtë, duhet të ndërtojmë një të ardhme, e cila është në funksion të mirëqenies së qytetarëve tanë në të dyja anët e kufirit, pastaj i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe i kontribuon fqinjësisë së mirë dhe, gjithsesi, i kontribuon rrugës evropiane për të dyja shtetet tona. Kosova tanimë i ka përcaktuar qëndrimet e veta se në të gjithë këtë proces do të paraqitet si shtet i pavarur dhe sovran dhe varet nga shteti tjetër se si dëshiron të paraqesë vetveten.

Kurse, sa i përket aspektit të unitetit, ju e keni parë se në Kosovë gjithmonë ka pasur unitet institucional dhe politik për të gjitha çështjet madhore që kanë ndodhur për shtetin tonë dhe vendin tonë. Mirëpo, në një çështje jemi të gjithë unikë dhe nuk ka askush asgjë kundër asaj që çështjet e brendshme të Kosovës janë çështje të brendshme të Kosovës dhe janë të panegociueshme me askënd dhe me asnjë shtet tjetër.
 
Pyetje: Kur u paralajmërua mbajtja e kësaj konference para disa ditësh, prej presidencës u tha se do të marrë pjesë sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton. Si u bë që u demantua ky lajm nga Presidenca dhe pse nuk ka ndonjë shpjegim pse u luajt me emrin e sekretares Clinton?
 
Presidentja Jahjaga: Thatë se u konfirmua nga Presidenca? Asnjë burim nuk ka qenë nga Presidenca dhe asnjë konfirmim nuk ka qenë zyrtar nga Presidenca dhe nga asnjë institucion tjetër i Republikës së Kosovës dhe unë dua të them që është pikërisht si rrjedhojë e bashkëbisedimit tim me sekretaren Clinton vitin e kaluar, e cila e ka mbështetur idenë time për organizimin e këtij samiti ndërkombëtar këtu në Republikën e Kosovës. Është pikërisht mbështetja e Sekretares Clinton që ka dërguar ekipet speciale dhe profesionale në organizimin dhe mbarëvajtjen e konferencës. Për shkak të agjendës, Sekretarja Clinton ka kërkuar ndjesë se nuk mund të jetë fizikisht në Kosovë, por të gjitha të tjerat kanë qenë në bashkëpunim të fuqishëm të SHBA-së dhe e gjithë rrjedhoja e këtij samiti është bërë në bashkëpunim të plotë me zyrën e saj.
 
Pyetje: Po flitet shumë për normalizimin historik të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur në Serbi kemi nacionalistët në pushtet, dhe në një kohë kur në Kosovë ka një krizë të vogël institucionale për shkak të hetimeve të shumta të zyrtarëve të lartë. A janë të gatshme dy shtete që të hyjnë në këtë fazë, në këtë dialog kur do të merren vendime të vështira sipas përfaqësues së lartë, Baroneshes Ashton?
 
Presidentja Jahjaga: Siç thash edhe më herët, dialogu është mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona, si shtete të pavarura dhe sovrane që kemi pasur një të kaluar që nuk ka qenë e lehtë, dhe me pasoja të mëdha që edhe në ditët e sotme ne po i vuajmë. Kurse, deklaratat të cilave ju i referoheni të politikanëve me qëndrime nacionaliste të shtetit fqinj të Serbisë, nuk është hera e parë që i dëgjojmë. Kjo është një retorikë e vazhdueshme që ne jemi mësuar t’i dëgjojmë këto deklarata, mirëpo Kosova është e qartë në qëndrimin e saj. Kosova është shtet sovran, i pavarur, dhe se Kosova ka integritet territorial të pranuar ndërkombëtarisht dhe deklarata të tilla nga kushdo që vijnë, këto janë për konsumim të brendshëm dhe nuk kanë ndikim as në shtetin tonë e as të bashkësia ndërkombëtare.
 
Pyetje: Zonja Presidente, a jeni të gatshëm që ta udhëhiqni ekipin e Kosovës në dialog me Beogradin, të keni rol prijës?
 
Presidentja Jahjaga: Ende nuk është përcaktuar dhe mund të them se është shumë herët që të spekulojmë për aspektin e grupeve se kush do të jetë në to, kush mund të bisedojë dhe kush mundet të dialogojë. Por, unë kam thënë edhe herëve të tjera se si Presidente e Republikës së Kosovës jam e gatshme të takohem me çdo homolog timin, gjithmonë duke pasur parasysh dhe duke iu përmbajtur Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe si dy shtete të barabarta, sikur që bisedojmë me shtete e tjera dhe me homologët e tjerë të shteteve të tjera, gjithmonë kur është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në interes të shtetit tonë.
 
Pyetje: Zonjë Presidente, nëse Baronesha Ashton  ka thënë se të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten për bisedimet të vështira dhe marrje të vendimeve të vështira, a nënkupton kjo se do të hapet edhe çështja e veriut në këto bisedime. A do të jetë veriu pjesa e dhimbshme e këtij dialogu?
 
Presidentja Jahjaga: Nuk dua të flas në emër të Baroneshës Ashton, mirëpo ajo që mund të them është se ekzistojnë disa vija të kuqe të përcaktuara nga vetë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nga institucionet e saj se asnjë çështje e brendshme e shtetit tonë nuk do të jetë temë e diskutimit tonë me asnjë shtet tjetër, e aq më pak me Serbinë.