Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimit do t’i ndërtojë urat e paqes mes komuniteteve

Prishtinë, 4 mars 2020 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në panelin për hulumtimin e perceptimeve të opinionit publik për nismën për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

I pari i vendit theksoi se dëshmia më e mirë që nisma për formimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ka qenë e duhur, është hulumtimi që u prezantua sot, i cili vërteton se njerëzit kanë nevojë të dinë se çfarë ka ndodhur në luftë.

“Qytetarët besojnë se e vërteta do t’i ndërtojë urat e vërteta të pajtimit, të paqes dhe të shikimit kah e ardhmja në paqe”, deklaroi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi shtoi se Kosova është e angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje paqësore, të përhershme, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet ta sjellë njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, si dhe ta përshpejtojë rrugëtimin për në NATO dhe BE.

Presidenti Thaçi deklaroi se takimi në Shtëpinë e Bardhë është një moment i kthesës pozitive për procesin e dialogut.

“Takimi dy ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë, në mes të presidentëve të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës pozitive, që nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe lidershipit të presidentit Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Grenell, të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, ka thënë kreu i shtetit.

Ky momentum, sipas presidentit Thaçi, duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët.