Jahjaga: Vacllav Havel ishte mik dhe përkrahës i madh i Kosovës

Me rastin e vdekjes së ish-Presidentit të Republikës së Çekisë, disidentit të njohur në përmasa ndërkombëtare dhe mikut të madh të Kosovës, Vacllav Havel, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ngushëlloi sot popullin dhe udhëheqjen e Çekisë.

Në telegram thuhet:
 
Me pikëllim të madh morëm lajmin për vdekjen e z.Vacllav Havel, disidentit të njohur në përmasa botërore, shkrimtarit të madh, udhëheqësit të Revolucionit të Kadifenjtë që i dha lirinë Çekisë në vitin 1989 dhe Presidentin e nderuar të Çekisë.
 
Vdekja e z.Havell është një humbje e madhe për popullin dhe shtetin çek, por edhe për gjithë popujt liridashës në botë, të cilët në disidentizmin e tij gjetën shtytjen dhe frymëzimin për lëvizjet popullore për liri.
 
Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta përkujtojnë çdoherë mikun dhe përkrahësin e madh të vendit tonë, i cili ngriti zërin që në vitet e nëntëdhjeta për ndaljen e dhunës serbe në Kosovë, duke u bërë një ambasador dhe përkrahës i pandalshëm i aspiratës dhe luftës tonë për liri.
 
Përkrahja e tij për Kosovën ka qenë e vazhdueshme dhe ajo është vlerësuar dhe është çmuar lart nga institucionet dhe populli i Kosovës, për çka është nderuar me dekoratën e lartë “Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova”.
 
Kujtime për jetën dhe veprën e mikut të madh të Kosovës, Vacllav Havel do të mbetet i përhershëm.