Jahjaga: Nelson Mandela përherë do të mbetet inspirim në kërkim të lirisë dhe paqes, demokracisë dhe pajtimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ngushëlloi qytetarët e Afrikës Jugore dhe liderët botërorë për humbjen e ish-Presidentit Nelson Mandela.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet:

Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e ish-Presidentit të Afrikës së Jugut, nobelistit të paqes dhe promovuesit të të drejtave të njeriut, Nelson Mandela.

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, më lejoni të shpreh ngushëllimet më të përzemërta për njeriun që njohu shumë vuajtje, por që gjeti guximin dhe kurajën që atë përjetim ta shndërrojë në forcë për të reformuar vendin e tij dhe për të udhëhequr njerëzit e tij drejt pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore.

Për gjenerata të tëra, përreth gjithë botës, Mandela u shndërrua në simbol të rezistencës paqësore dhe paqes. Për popullin e Kosovës, që njohu vuajtje të ngjashme, ai përherë do të mbetet inspirim në kërkim të lirisë dhe paqes, demokracisë dhe pajtimit.