Fjala e Presidentes Vjosa Osmani në Darkën e Lamës

Mirë se erdhët të nderuar Miq, 
I nderuar z. Kryeministër,
Të nderuar ministra e deputetë,
Të nderuar miq e partnerë ndërkombëtarë, ambasadorë,
Të nderuar prodhues vendor të cilët i keni dhënë hijeshi kësaj Darke të Lamës, njësoj sikurse vitin e kaluar
Përfaqësues të institucioneve të sigurisë, 
Përfaqësues të të gjithë prezencës, qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare
Të nderuar mysafirë, 
Të nderuara media që jeni sot këtu për ta përcjellur këtë aktivitet, 
 
Mirë se erdhët në “Darkën e Lamës”, në festën e lashtë shqiptare, e cila  daton që nga shekulli i V-të dhe shënon mbarimin e verës, kohën kur ne i mbledhim frutat, të lashtat e bereqetin dhe i shprehim falënderimet tona për të mirat e sivjetme.   

“Darka e Lamës” është pjesë e një trashëgimie të pasur shpirtërore, të cilën shqiptarët e kanë trashëguar dhe e kanë ruajtur qysh nga kohët e hershme. Krahas festave të tjera, “Darka e Lamës” u ka mbijetuar shekujve dhe është bartur deri në ditët tona, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme e kulturës sonë të lashtë dhe duke ndikuar në ruajtjen dhe kultivimin e shpirtit tonë solidar. 

Shekuj me radhë, nën shenjën e dashurisë për njëri-tjetrin e respektin ndaj miqve, shqiptarët i kanë dhënë krahë njëri-tjetrit në kultivimin e bereqetit e në mbledhjen e tij, në darkën që është shtruar si shenjë falënderimi për të mirat e mbledhura.

Ne sot po e shtrojmë këtë sofër, në bashkëpunim me prodhuesit tanë vendor, për ta shprehur falënderimin tonë për begatinë të cilën e ofron toka e vendit tonë me prodhime të shumta kualitative, si dhe për frymën e bashkëpunimit e të solidaritetit, me të cilën jemi shquar ndër shekuj, por edhe për miqësitë e thella e të kultivuara gjatë. 

Të dashur miq!

Shprehja e njohur shqiptare: “Bukë e kripë e zemër” sot në këtë Darkë merr kuptim të thellë, ngase në këtë sofër prodhuesit tanë vendor kanë vënë jo vetëm ushqimet tona tradicionale, por edhe zemrat e tyre nëpërmjet dashurisë për gatimin, si dhe dëshirës për të ndarë të mirat e bereqetet me miq e dashamirë. Ashtu siç e thotë edhe tradita jonë!  
Por, sonte, teksa jemi mbledhur përreth kësaj sofre të begatë, dua të ndaj një moment të kujtoj në mënyrë të veçantë një njeri, i cili sa ishte gjallë, gatoi si askush tjetër dhe iu fal bukës për dashurinë që sjell mes njerëzve. Sonte e kujtojmë kuzhinierin tonë, Përparim Babaliajn, i cili kaloi në amshim pak muaj më parë. Ne lutemi për shpirtin e tij dhe me një menu të veçantë të përgatitur enkas për sonte, shumë miq të tij që u angazhuan për këtë Darkë duan ta nderojnë së bashku me ne jetën dhe veprën e tij. 
Edhe darka e sivjetme organizohet në rrethana të rënduara, për shkak të pandemisë. Sonte, të mbledhur përreth sofrës, mendjen e kemi tek të gjitha familjet kosovare që kanë humbur më të dashurit e tyre si rezultat i pandemisë. Sot jo vetëm tryezat e tyre, por edhe zemrat e tyre e të gjithë neve ndihen më të zbrazëta në mungesë të më të dashurve. Bashkëndjejmë me ta dhe lutemi për ta!

Ballafaqimi me këtë sfidë, na e rikujton vazhdimisht se sa i rëndësishëm është besimi në njëri-tjetrin, në miqtë tanë, të cilët na janë gjetur përkrah në ditë të vështira e në ditë të mira, e kanë ndarë me ne gëzimin e hidhërimin dhe e kanë përcjellë bashkë me ne lutjen për të mirat e motmotit. 

‘Darka e Lamës’ shquhet si nata kur ne shprehim falënderimet tona për të mirat e natyrës, por dua të ndaj pak çaste për të shprehur falënderimet e mirënjohjet për të mirat e të bëmat e njerëzve tanë të Kosovës.

Në këtë periudhë të rëndë, ishin mantelbardhët ata që e udhëhoqën betejën me pandeminë, prandaj edhe sonte shprehim gjithë falënderimin tonë të thellë për punën e tyre vetëmohuese. Në këto kohëra, ishte poashtu e vështirë të organizohej sistemi arsimor, prandaj respekt maksimal  për të gjithë ata mësues, arsimtarë e profesorë që e bënë të pamundurën që arsimi të vazhdojë edhepse në rrethana të jashtëzakonshme, ashtu siç mbijetonin edhe shkollat/shtëpi shqipe në vitet e 90-ta, duke e pas të qartë gjithnjë se arsimi është shtylla më e fuqishme për suksesin e një shteti. 

 E sado e rëndë që ishte kjo periudhë, motivin e forcën na e kthyen rinia jonë e mrekullueshme, ata që punuan fort e me shumë  zell - ata të cilët shkëlqyen nëpër Kosovë e në botë në fusha të ndryshme. Nga sporti e deri tek teknologjia informative, nga kultura, arti, shkenca e shumë fusha të tjera ata treguan para botës imazhin dhe potencialin e vërtetë të Kosovës. Prandaj, sot e çdo ditë, shprehim falënderimet tona për gjithsecilin prej tyre. Shumë prej tyre qoftë përfaqësues të mantelbardhëve, përfaqësues të sistemit arsimor, përfaqësues të artit, të kulturës, filmit, modës, shkencës, teknologjisë e shumë të tjerë na janë bashkuar edhe sonte. I falënderojmë që të gjithë, është kënaqësi e veçantë që t’ju kemi në mesin tonë!

Të nderuar miq, 

Sonte poashtu dua të shprehë mirënjohjen e thellë për kujdesin të cilin ati themeltar i shtetit tonë, Presidenti Rugova, e tregoi kur në vitin 2002, e riktheu traditën e mirë të gatimit dhe të shërbimit të bukës nëpërmjet festës së “Darkës së Lamës”. Ai e quajti atë festë e falënderimeve, të ngjashme me Festën e Falënderimeve në SHBA. Ne i jemi mirënjohës për këtë thesar trashëgimie, të cilin ai e riktheu në këtë truall. 

Sikur e dini, Presidenti Rugova gjithnjë festonte me miq, punonte me miq dhe i falënderonte ata edhe për mirëqenien tonë. Ne do ta kultivojmë përherë këtë traditë të vyer të popullit shqiptar, sepse vlerësojmë, njësoj sikur presidenti Rugova, se kultivimi i traditës së mirë e mbanë të gjallë shpirtin e një kombi.

Duke ju falënderuar secilin veç e veç për praninë tuaj sot, lejomëni t’ju ftoj që të ulemi përreth sofrave tona dhe të shprehim falënderimin tonë të përbashkët me urimin që viti i ardhshëm të na sjellë sa më shumë të mira për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, po kështu edhe më shumë shëndet e më shumë mbarësi.

Përpara se të fillojmë darkën tradicionale, lejomëni t’ua shpreh mirënjohjen time duarve të arta të njerëzve të mirë të vendit tonë që i mblodhën sivjet këto bereqete; atyre që sonte kanë gatuar me zemër e me shumë dashuri, si dhe të gjithë prodhuesve tanë vendor, ata që janë sonte këtu, por edhe ata që nuk janë në mesin tonë të cilët ndihmuan në organizimin e kësaj darke, e çdo ditë shkëlqejnë brenda e jashtë vendit me kualitetin e produkteve të tyre. Prodhuesit tanë po e tregojnë potencialin dhe imazhin e vërtetë të Kosovës, duke tejkaluar kufijtë e duke arritur edhe ne tryezat e familjeve të shteteve anekënd globit. Ata sot kanë nevojë për përkrahjen tonë për të arritur të jenë edhe më të pranishëm në Kosovë e përtej, prandaj uroj që në këtë rrugëtim drejt të arriturave të reja të na kenë të gjithëve pranë edhe juve që jeni sot prezent, por edhe shumë miq të tjerë. 

Zoti e bekoftë bereqetin e Kosovës!
Zoti i bekoftë prodhuesit tanë vendor!
Mirë se vini në sofrën e vendit tonë!
Ju faleminderit që jeni sonte në mesin tonë!