Fjala e Presidentes Osmani në Konferencën mbi Raportin Hulumtues “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit”

E nderuar znj. Hoxha,

Të nderuar pjesëmarrës nga Kosova dhe nga vendet e tjera të botës,

Mirë se keni ardhur për ju që nuk jeni nga Kosova!
 
Dua së pari ta përgëzoj ekipin e festivalit Femart për punën dhe angazhimin që ky festival të shndërrohet në një ngjarje krenarie në kuadër të kalendarit të ngjarjeve kulturore në Kosovën tonë.
 
Mbi të gjitha, ju falënderoj që nëpërmjet artit keni përzgjedhur që të përçoni mesazhe të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe që nëpërmjet kësaj përpjekje e keni në qendër të vëmendjes pikërisht fuqizimin e grave dhe vajzave.
 
Për mua dhe për gjithë Zyrën time është nder që t’ju mbështesim sadopak në këtë rrugëtim, prandaj jam e sigurt që bashkëpunimi ynë do të intensifikohet çdo ditë e më shumë.
 
Sot, me rastin e publikimit të raportit “Gjinia dhe marrëdhëniet e pushtetit”, të cilin edhe e kemi analizuar bashkë me stafin tim dua t’ju them se në luftën kundër pabarazive, kundër gjuhës së dhunës, abuzimit seksual, ngacmimit seksual, përdhunimit, paragjykimeve e padrejtësive si rezultat i mosbalancit në aspektin e pushtetit, gjithnjë do të na keni në krah.  
 
Po aq sa dëshmoi të ishte i rëndësishëm vendimi i Tarana Burke në vitin 2006 nëpërmjet hashtagut MeToo që të flas publikisht për ballafaqimin e saj me ngacmim seksual, duke shënuar kështu fillet e një revolucioni të përballjes së shoqërisë me këtë fenomen të hidhur, po kaq e rëndësishme është që të takohemi në formate të tilla sikurse ky sot për të folur për raste dhe situata të ngjashme në çdo sektor – e sot, me fokus të veçantë në fushën e artit.
 
Fatkeqësisht, abuzimi i pushtetit manifestohet në forma dhe në trajta të ndryshme. Ngacmimi seksual dhe abuzimi seksual janë ndër manifestimet e shpeshta të disbalancit të pushtetit. Edhe pse viktimë e situatave të tilla mund të jetë secila grua, janë kushtet e këqija, pasiguria në punë, paqëndrueshmëria financiare, të cilat ndikojnë në rritjen e ekspozimit dhe në rritjen e nivelit të cenueshmërisë karshi situatave të tilla. 
 
Kjo është evidentuar saktë edhe në të gjeturat e raportit që do të prezantohet pas pak. Kjo duhet prandaj të na shërbej si arsye shtesë për të kuptuar se fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm gjëja e duhur për ta bërë një shoqëri, por është edhe parakusht për ruajtjen e dinjitetit, për rritjen e sigurisë, dhe krijimin e mundësive dhe hapësirave të nevojshme për ushtrim adekuat të profesioneve të ndryshme.
 
Andaj, ne kemi nevojë për diskurs të qartë dhe preciz, ne duhet të kemi definicione të qarta të cilat na shërbejnë si pikënisje për punën dhe për angazhimin tonë për ndryshim, dhe kemi nevojë që të mos ngurrojmë të flasim haptazi për gjërat që na shqetësojnë dhe po kaq shumë kemi nevojë ta shfrytëzojmë çdo hapësirë e forum për të folur me njëra tjetrën edhe me njëri tjetrin dhe ta kuptojmë se si mund të ndihmojmë gjithsecili e ta lehtësojmë barrën për çdonjërën grua si dhe për çdo vajzë e grua në art, por edhe në çdo profesion tjetër. 
 
Edhepse jam adhuruese e artit, unë kam zgjedhur që por jetën time profesionale t’ia dedikoj angazhimit politik. Ashtu siç besoj se keni pas rastin të dëgjoni në raste të shumta, politika është një ndër sektorët më të vështirë për mbijetesën profesionale të një vajze apo gruaje. Politika e cila zhvillohet në një mjedis dominues patriarkal është e pamëshirshme ndaj grave. Goditjet e sulmet janë të përditshme, janë sistematike, e janë të shumëllojshme.
 
Si gjuha e dhunës, ashtu edhe fenomeni i ngacmimit seksual, po ashtu edhe ballafaqimi me situata që derivojnë nga mungesa e balancit të pushteteve, janë pothuajse përditshmëri e shumë vajzave dhe shumë grave në këtë funksion. Kjo po aq sa është e dhimbshme është po ashtu një mundësi e përditshme për punë dhe për reflektim.
 
Prandaj, gjithnjë pranoj me ëndje që të jem pjesë e eventeve të tilla sikurse Femarti, sepse e kam të qartë se kemi kaq shumë nevojë që të mësojmë nga njëra tjetra, të kuptojmë sfidat e përballjeve tona të përditshme, ta identifikojmë burimin e situatave të tilla, sepse vetëm kështu, ne ia dalim të definojmë problemin, t`i definojmë protokollet e veprimit në mënyrë që të arrijmë t`i fuqizojmë zërat përballë padrejtësive, pabarazive dhe mungesës së mundësive për gratë dhe vajzat.
 
Por, diskutime të tilla e nisma të tilla, sikurse lëvizja MeToo janë veçanërisht të rëndësishme, sepse na bëjnë të kuptojmë se në ballafaqimin me to askush nuk është i vetëm.
Këto diskutime e këto nisma janë aq të rëndësishme, sa që, veç të të kuptuarit që ka edhe të tjerë që përjetojnë të njëjtën dhimbje dhe padrejtësi, ndihmon në lehtësim e barrës që djeg dhe përvëlon në momente kur ti mendon se je e vetme.
 
Tek ne ka qenë vazhdimisht e vështirë të flitet haptazi për ballafaqimin me situata e ngacmimit e abuzimit seksual, të gjuhës së dhunës e poshtërimit, sepse ka ekzistuar gjithnjë frika e paragjykimit.
 
Në vend se të ndiheshin fajtor dhunuesit apo abuzuesit, në fakt ndiheshin fajtore viktimat. Ky realitet ka raste të shumta që vazhdon. Ky është realitet që duhet të ndryshohet në çdo vend e në çdo rast, pa përjashtim. Ky është realitet që dominon në botë. Pra, duhet të luftohet çdokund, në çdo cep të botës. Pra, ky është realitet të cilin duhet ta sfidojmë e ta luftojmë të gjithë së bashku. 
 
Ashtu siç është evidentuar edhe në raport, po aq sa të rëndësishme janë këto nisma dhe fushata për vetëdijesim, po kaq i rëndësishëm është bashkëpunimi me njerëz që kanë pushtet brenda organizatave apo institucioneve. Sepse, përveç qasjes "nga poshtë lart“, ne kemi përfundimisht nevojë edhe për ndryshim strukturor, përmbajtësor e të qëndrueshëm. Prandaj, nëse nuk u krijohet mundësia nga të tjerët që të jeni pjesë e diskutimeve dhe e ciklit të bërjes së politikave qoftë në teatër, në ansambël, në shoqata kulturore apo dikur tjetër, angazhohuni që të krijoni këtë hapësirë vetëm dhe për veten tuaj. Por, ta kesh hapësirën vetëm sa për t`u shprehur nuk mjafton – ka nevojë për guxim të vazhdueshëm, insistim të vazhdueshëm, punë sistematike e këmbëngulje.
 
Diskutime, raporte dhe tryeza të tilla do të vazhdojnë përderisa nuk punojmë kolektivisht drejt përmbushjes së objektivit të barazisë gjinore. Ne e kuptojmë që kemi shumë punë për të bërë, por duhet ta kemi të qartë se çdo hap që na sjell më afër realiteti të barazisë është një mundësi më shumë për ta luftuar mentalitetin e agresionit të ngacmimit seksual, të dhunës fizike, verbale e psikike. Çdo hap në këtë drejtim është një hap më afër barazisë gjinore.
 
Vajzat dhe gratë tona meritojnë vend të sigurt në punë, respekt nga të gjithë pa dallim, mirënjohje për punën dhe kontributin e tyre, vlerësim të mundit të tyre, mundësi të barabarta për avancim, garantim të sigurisë dhe ambientit të sigurt për punë – ndërkaq aktoret, valltaret, balerinat, kuratoret, regjisoret, dramaturget, koreografet, këngëtaret, pianistet, sopranot, piktoret e të gjitha artistet tona i meritojnë të gjitha këto që i përmenda. Arti dhe puna e tyre e meriton këtë - arti ka nevojë për këtë që të jetë i suksesshëm dhe në dobi të të gjithë shoqërisë e të gjithë anëtarëve të shoqërisë sonë pa dallim. Prandaj, le të flasim sot zëshëm e të punojmë çdo ditë me bindje e përkushtim të plotë për më shumë barazi, dinjitet, respekt e fuqizim si në art, po ashtu edhe në çdo fushë të jetës sonë pa dallim.
 
Ju faleminderit!