Dr.Ferid Murad u shpall “Qytetar Nderi i Kosovës”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot shkencëtarin e madh me prejardhje shqiptare, Ferid Murad, i shoqëruar nga familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij.

Në një ceremoni organizuar me këtë rast, Presidentja Jahjaga i dorëzoi dr. Muradit, i cili për të arriturat e tij në shkencën e mjekësisë është i nderuar me Çmimin Nobel, dekoratën “Qytetar Nderi i Kosovës”.

Kjo dekoratë iu dha dr.Muradit “për kontributin e tij fundamental në fushën e mjekësisë dhe për nderin që i bën vepra e tij popullit të Kosovës”.

Vendimin për dekorimin e dr.Ferid Muradit, Presidentja Jahjaga e mori në bazë të Kushtetutës së Republikës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep Presidenti i Kosovës.

Dr.Ferid Murad, pasi përgëzoi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen në krye të vendit, u shpreh shumë i nderuar me dekoratën me të cilën u nderua nga Presidentja e Kosovës.

Duke folur për Kosovën, ai tha se është me rëndësi që të ketë arsim cilësor, në mënyrë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht dhe të bëhet konkurruese. Po ashtu, ai theksoi se është me rëndësi që atyre që shkojnë jashtë për të studiuar t’iu krijohen kushtet për të kontribuar në vendin e vet, sepse secili, në fund, më së shumti ka dëshirë të kontribuojë për atdheun e vet.