Deklaratë për media e presidentit Thaçi

Zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale për qytetarët, projektet infrastrukturore me kapital të madh, linjat ajrore, hekurudhore e autostradat, kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës, njësoj sikur edhe nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe kthimi individual i të gjithë të zhvendosurve në shtëpitë dhe pronat e tyre. Këto angazhime kanë pasur ndikime pozitive në tërë Ballkanin Perëndimor.

Shpreh konsideratën më të lartë për lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentin Trump, që sot arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike.

E falënderoj edhe një herë Emisarin Special, Ambasadorin Grenell, për angazhimin e tij gjigant që ky proces të jetë produktiv, efikas dhe besoj edhe i implementueshëm.

Kosova beson në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vizionin e Uashingtonit, pasi gjatë gjithë historisë së Kosovës kjo i ka sjellë vetëm përfitime, si çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, themelimin e ushtrisë që do të përfundojë me integrimin në NATO, si dhe tash edhe zhvillim ekonomik.

Kosova tani duhet të vazhdojë të punojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja, që shteti ynë të konsolidohet plotësisht në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së është e përjetshme.