Deklaratë e Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur

Me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka theksuar përmes një deklarate se personat e pagjetur janë një nga plagët më të rënda të luftës së fundit në vendin tonë.

Çështja e të pagjeturve është një trashëgimi e dhimbshme e luftërave në rajon dhe posaçërisht në Kosovë, një prej çështjeve që kërkon angazhimin e plotë dhe të pakursyer të të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të pushojnë së angazhuari derisa të zbardhet fati i secilit person që u mungon tash e sa vjet familjarëve dhe ato vazhdimisht po angazhohen që të gjithë kriminelët të dalin përpara drejtësisë. Çështja e të pagjeturve është një nga çështjet më të rëndësishme që do të dialogohet me Serbinë dhe ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me përparësi.

Presidentja Jahjaga, që në fillim të mandatit, ka shtruar me kryeministrin dhe kryetarin e komunës së Prishtinës idenë për ngritjen e një obelisku në kujtim të dëshmorëve dhe personave të pagjetur të luftës.