Deklaratë e Presidentes Jahjaga me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka bërë një deklaratë me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Lirisë.

Në deklaratë thuhet:
 
Çlirimi dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar mbi bazën e vlerave qytetare, është një vepër madhore e shumë brezave që vepruan dhe u sakrifikuan për këto ideale. Kjo arritje madhore u realizua fal luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe përkrahjes dhe angazhimit të pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë.
 
Rruga jonë drejt lirisë ishte përplot sakrifica dhe përpjekje vetëmohuese, por ishte edhe një rrugë e lavdishme që na bën të jemi krenarë dhe të përkushtuar në realizimin e të gjitha synimeve tona në rrugën e integrimeve euroatlantike, me anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
 
Ne synojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, të dinjitetshme, të bazuar në vlerat më të larta të civilizimit evropian, ku të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike a fetare i realizojnë të drejtat dhe liritë në mënyrë të barabartë.
 
Pavarësia e Kosovës, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është shprehje e vullnetit të popullit dhe e përkrahjes së fuqishme ndërkombëtare. 
 
Kjo ditë na bën të jemi të palëkundër në rrugën tonë drejt ndërtimit të një shteti të konsoliduar dhe demokratik.
 
Në këtë ditë të shënuar për vendin tonë ne nderojmë vizionarët e shtetit të Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Nderojmë ata burra dhe gra të NATO-s, që u angazhuan gjatë sulmeve ajrore për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të Kosovës si dhe pas çlirimit në misionin paqeruajtës në Republikën e Kosovës. 
 
Ju ftoj të jemi të vendosur dhe të shtojmë angazhimin për të ndërtuar një vend të lirë, prosperues dhe demokratik.  Të jemi të bashkuar siç kemi qenë gjithmonë.