Presidentja e re e Kosovës thotë se Serbia duhet të përgjigjet për “gjenocid”

Vjosa Osmani thotë se bisedimet e ndërmjetësuara nga BE i ofrojnë Beogradit shansin për të kërkuar falje

Kosova synon të padisë Serbinë për gjenocid, dhe dëshiron që udhëheqësit e saj t’i shlyejnë krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999, dhe për shtypjen sistematike të shqiptarëve të Kosovës të paraprirë nga ajo, ka thënë presidentja e re e vendit.


Vjosa Osmani thotë se drejtësia për 13,000 personat e vrarë në konflikt, një milion personat e zhvendosur ose të dëbuar dhe 1,600 personat që ende janë të zhdukur, duhet të jetë baza për një marrëveshje të kërkuar prej kohësh për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, gjë që është kusht që të dy shtetet e Ballkanit të anëtarësohen përfundimisht në Bashkimin Evropian.


Avokatja e arsimuar në SHBA akuzon gjithashtu homologun e saj në Beograd, Aleksandar Vuçiq, për ndarjen e mendimit ekspansionist të Sllobodan Millosheviqit, udhëheqësit nacionalist serb, sjellja agresive e të cilit ishte katalizator për luftërat që shkatërruan Jugosllavinë në vitet 1990, dhe të cilit ai i shërbeu si ministër i informacionit.


Qëndrimi i Osmanit do të ngjall zemërime në Serbi, por ajo thotë se Kosova është e gatshme të presë me vite nëse është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje “cilësore” e cila siguron njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi pa ndonjë ndryshim në kufijtë e saj aktual.


“Detyra jonë kryesore është të flasim në emër të viktimave dhe të familjeve të tyre. Pra, personat e zhdukur janë prioriteti ynë numër një,” thotë Osmani, e cila si adoleshente përshkoi qindra kilometra me shumë kosovarë të tjerë për të kërkuar siguri nga shtypja brutale serbe ndaj rebelëve separatist që luftuan për t'i dhënë fund sundimit të Beogradit mbi Kosovën.


“Gjithashtu, dëmshpërblimet e luftës për të gjitha shkatërrimet që shkaktoi Serbia në Kosovë, dhe jo vetëm gjatë luftës, por që nga viti 1989, kur Millosheviqi erdhi në pushtet dhe udhëhoqi një sistem të ngjashëm me aparteidin në vendin ton,” thotë ajo. “Dhe së fundmi drejtësia, e cila është parakusht për paqe.”


Parlamenti i Kosovës zgjodhi znj. Osmani (38) presidente javën e kaluar, me mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti, dhe partisë së tij, Vetëvendosje.


Aleanca e tyre në zgjedhjet nacionale të shkurtit dhe përqendrimi në “vende të punës dhe drejtësi” për 1.8 milion njerëz të Kosovës siguruan fitore të madhe, dhe numri prej 300,000 votash për znj. Osmanin ka konfirmuar statusin e saj si politikania më e njohur e kombit.


Ajo thotë se udhëheqësit e Kosovës tani po analizojnë historinë e bisedimeve të saj me Serbinë të ndërmjetësuara nga BE-ja, në mënyrë që të përgatisin negociatat e ardhshme drejt përmirësimit të jetës së njerëzve të Kosovës dhe sigurimit të “komponentit kryesor” - njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kufijve të tyre aktualë.


“Nuk ka çmim e as presion që do të na bëjë të heqim dorë ose të dorëzohemi në lidhje me këto parime... Ne do të ulemi në atë tryezë [me Serbinë] pikërisht që të mund t’i shohim në sytë e tyre, në mënyrë që ata të kërkojnë falje për krimet e kryera”, thotë ajo.



Pretendimet për gjenocid



Ajo është e bindur se ato krime, të cilat ajo i përshkruan si “përtej imagjinatës njerëzore”, përbëjnë jo vetëm spastrim etnik, por edhe gjenocid: “Vullneti dhe synimi i Serbisë për shfarosjen e shkatërrimin e një populli bazuar në kombësinë e tyre, ishte i qartë”.


“Kështu që, ne si vend do të përgatitemi për një rast gjenocidi kundër Serbisë sa më shpejt që të jemi gati për të, ligjërisht dhe në aspektin e dëshmive... Shumica e dëshmitarëve janë ende gjallë, dhe ekzistojnë dëshmitë të cilat janë të qarta,” tha ajo.


Presidentja e sapo zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, me burrin e saj dhe vajzat e tyre binjake, marrin pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së presidentes. Fotografitë: Visar Kryeziu/AP Foto


Presidentja e sapo zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, me burrin e saj dhe vajzat e tyre binjake, marrin pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së presidentes. Fotografitë: Visar Kryeziu/AP Foto


Osmani nuk tregon cila gjykatë mund të shqyrtojë një rast të tillë, dhe ekspertët ligjorë vërejnë vështirësi për të vërtetuar se një shtet ka kryer gjenocid.


Një gjykatë ndërkombëtare dënoi zyrtarët ushtarakë dhe politikë serbë të Bosnjës për kryerjen e gjenocidit kundër myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995, por gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara vendosi që edhe pse Serbia kishte dështuar në detyrën e saj për të parandaluar gjenocidin atje, ajo nuk ishte drejtpërdrejt përgjegjëse për masakrën.


Përkujtimi zyrtar i Serbisë për luftën e Kosovës përqendrohet në viktimat serbe të bombardimeve të NATO-s që detyruan Millosheviqin të përfundonte shtypjen e tij në qershor të vitit 1999 dhe u largua nga Kosova nën administrimin e KB-së deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.


Gjykatat serbe nuk kanë filluar ndonjë proces të ri gjyqësor të rëndësishëm në lidhje me konfliktin në Kosovë për disa vjet, çështjet ekzistuese janë përshkuar nga vonesa të gjata, dhe serbët e dënuar për krime lufte nga gjykatat ndërkombëtare shpesh janë mirëpritur në shtëpi si heronj.


“Pra, kur të vijë koha që delegacioni i Kosovës të ulet me presidentin e Serbisë, pyetja jonë e parë do të jetë: ku janë më të dashurit tanë?” thotë Osmani për 1,600 persona që janë ende të zhdukur nga lufta e Kosovës.



Mbrojtja e Millosheviqit



Vuçiq ka pranuar se ka bërë gabime në të kaluarën e tij politike duke mos e denoncuar qartë Millosheviqin dhe ëndrrën e tij për “Serbinë e Madhe”. Në vitin 2018, ai tha se Millosheviqi “ishte udhëheqës i shkëlqyer serb, qëllimet e të cilit ishin sigurisht për në të mirë, por rezultatet tona ishin shumë të dobëta”.


Vuçiqi dhe presidenti i mëparshëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u raportuan gjerësisht se kishin konsideruar një “shkëmbim toke” si pjesë e një marrëveshjeje Serbi-Kosovë, pavarësisht paralajmërimeve se ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të ndezë dhunë. Thaçi, i cili ishte udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare rebele të Kosovës, tani po pret gjykimin në gjykatën për krime lufte në Hagë.


Osmani thotë se shkëmbimi i territorit është i pamundur dhe beson se Vuçiqi “duhet të vërtetojë se është shkëputur nga mentaliteti i Millosheviqit”.


“Unë mendoj se ai po ndjek një strategji të ngjashme përmes mënyrave të ndryshme; padyshim jo përmes luftës dhe shkatërrimit e dhunës, por përmes një strategjie tjetër, e cila ende synon të kapë më shumë territore dhe nuk interesohet në të vërtet për fatin e njerëzve.”


Takimi i parë me Vuçiqin mund të jetë larg, dhe znj. Osmani thotë se prioriteti i saj aktual është të sigurojë vaksinat kundër COVID-19 për një vend i cili ka marrë vetëm 24,000 doza.


“Mesazhi që unë po u përcjell të gjithë partnerëve ndërkombëtarë është se ne nuk mund të përqendrohemi - dhe as ata nuk duhet të përqendrohen - në dialogun [Kosovë-Serbi] përderisa po vdesin njerëz. Ne kemi nevojë për vaksina tani, e jo për dialog.” 

 

Artikull nga “The Irish Times”

https://www.irishtimes.com/news/world/europe/kosovo-s-new-president-says-serbia-must-answer-for-genocide-1.4537358