BBC: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E PAEVITUESHME
Unë mbetem shok, mbetem profesor, dhe ajo është cilësi që e kam arritur thjesht me punën time në nivelet e arsimimit dhe të punës edukativo-arsimore dhe shkencore në Universitet.BBC: Zgjedhja e presidentit, shpejtësia dhe pajtimi i të gjithëve ishte një rezultat i pjekurisë politike të strukturave, të subjekteve në Kosovë, apo ndoshta kishte këtu një rol edhe një lloj presioni të faktorëve nga jashtë?
Sejdiu: Unë mendoj se është e para themelore, pra pikërisht që të shkohet në konsolidim të institucioneve dhe që reflekton thjesht me një esencë të thellë të themi kulturën politike që kanë institucionet e Kosovës dhe ne këtë rast edhe partitë politike dhe mos harroni se sprova të tilla të mira kemi kapërcyer edhe në faza të mëhershme.
Unë shpesh përmend katër cikle të zgjedhjeve në Kosovë që janë vlerësuar si zgjedhjet më të mira të Evropës Juglindore dhe kjo reflekton pikërisht se njerëzit janë shumë koshientë për fazën, në të cilën ndodhemi dhe po ashtu janë të brumosur shumë thellë me elementët e një demokracie të mirëfilltë.
Çështja e dytë është se është nevoja jonë që të kemi edhe një bashkëpunim ndërkombëtar dhe ne këtë aspekt për ne është shumë e nevojshme kjo mbështetje ndërkombëtare dhe në fazat që vijnë.
BBC: Cilat kanë qenë sfidat me të cilat është përballur Presidenti i Kosovës në muajin e parë të punës së tij?
Sejdiu: Janë të shumta. Mendoj se pikërisht faza në të cilën ndodhemi, ku ne pretendojmë me të drejtë të përmbyllim gjithë procesin e pavarësimit të Kosovës.
Mendoj se kjo ka qenë përballja e parë dhe çështja e dytë e rëndësishme në këtë proces që mendoj se jam përballur është pikërisht sesi të krijohet një kohezion i fuqishëm i institucioneve të Kosovës, pra të nivelit të parlamentit, të nivelit të qeverisë dhe po ashtu mendoj dhe të një rrafshi tjetër të bashkëpunimit në nivelet lokale, posaçërisht për përmbushjen e standardeve dhe po ashtu dhe të pjesës së obligimeve që kanë të bëjnë me shprehjen e dinjitetit tonë në rolin e ushtruesit të drejtpërdrejtë të funksioneve shtetërore.
BBC: President Sejdiu, meqenëse përmendët ndryshimet në qeverinë e Kosovës, sa sipas jush ato do të reflektohen në gjithë procesin e Kosovës? Sa ishin të domosdoshme që të realizoheshin në këtë moment?
Sejdiu: Sigurisht që koha do të sjellë edhe sprova të reja, posaçërisht unë çmoj atë që kryeministri i Kosovës e ka paraparë që të bëhet një rivlerësim i brendshëm i punës së gjithë stafit që ai i ka dhënë besimin dhe që mori votën e parlamentit për të parë që brenda njëqind ditësh të shohë pozicionin e secilit, qoftë i ngarkuari me detyrë apo ministrat e Kosovës dhe për të rishikuar mundësitë e ecjeve të mëtejshme, nëse ka nevojë për ndryshime.
BBC: President Sejdiu, e keni trashëguar postin nga një njeri, i cili është vlerësuar të ketë qenë ndoshta njeri prej njerëzve më të suksesshëm të Kosovës së re, i kombit të Kosovës. Sa është e vështirë për ju që ta ushtroni këtë post, do të thosha nën hijen e një presidenti të madh, të një njeriu me vlerësimet më të mëdha që janë bërë për të ndonjëherë?
Sejdiu: Po unë plotësisht pajtohem me vlerësimet që jepni dhe janë vlerësimet tona të përbashkëta se ka qenë një personalitet unik, me gjithë strukturën e tij ta quajmë dhe gjithë përmbajtjen që ka pasur.
Ne kemi shansin e mirë që të shfrytëzojmë atë trashëgimi të krijuar të themi dhe të lënë nga Rugova.
Gjatë gjithë kësaj periudhe të veprimit mund të them se ka qenë privilegj për mua dhe për një brez, që kemi punuar së bashku prej ditëve të para dhe të mësojmë shumë nga ai dhe natyrisht të jemi shtegtarë të përbashkët në shtigje të vështira që ka kapërcyer Kosova.
Për mua, natyrisht, është një përballje e përnjëhershme me të gjitha këto sfida dhe natyrisht me mosprezencën fizike të personalitetit të tij.
Unë do të përpiqem që nga ato mësime që kam, natyrisht në punën e përbashkët që kemi rrugëtuar gjatë këtyre një dekadë e gjysmë, së bashku edhe me kolegë të tjerë, të mbaj atë kohezion dhe të bëj atë orientim energjie që e kemi mbi këto parime.
Së dyti, natyrisht që të jap maksimumin tim duke u angazhuar që atë pjesë të vlerës së arritur, qoftë në këtë punë të përbashkët, por edhe në pjesë të tjera të studimeve të mia, ta vë në shërbim të interesave nacionale të popullit të Kosovës.
BBC: President Sejdiu keni deklaruar, me rastin e marrjes së detyrës, se ju do të vazhdoni projektin e presidentit të ndjerë Rugova për bërjen e shtetit të Kosovës. Si do të shkojë ky proces tash që është në fazën përfundimtare të tij?
Sejdiu: De fakto shteti i Kosovës ekziston. Ju i dini edhe fazat shumë të vështira që populli i Kosovës ka qenë nën okupim, ne i kemi vënë në lëvizje mekanizmat, të cilat i kanë pasur lakmi edhe vendet thjesht të demokracisë së avancuar perëndimore, sesi kemi arritur që të ecim në një rrugëtim kaq të vështirë dhe që të mbajmë thjesht gjallë jetën e qytetarit.
Në këtë fazë, natyrisht, ne dëshirojmë të rrumbullakojmë këtë ideal të brezave të shumtë që kanë shkuar, dhe besoj se viti 2006 do të jetë rrumbullakim i këtij procesi për të hyrë Kosova në radhën e vendeve ndërkombëtarisht të njohura.
BBC: Tash për tash besohet se ndoshta në gjithë procesin e përcaktimit të së ardhmes politike të vendit, pjesa më problematike është pozita e pakicës serbe në Kosovë. Cila do të jetë oferta që mund të bëjnë institucionet e Kosovës, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë e procesit të përcaktimit të së ardhmes politike të vendit, që siç thoni ju do të jetë pavarësia.
Sejdiu: Unë ndoshta do ta shikoja ndryshe këtë çështje, nuk do të dëshiroja ta problematizoja çështjen e pakicave në Kosovë, por do të dëshiroja që thjesht që të arrijmë që të zbatojmë atë vizion tonin që kemi për pozitën e gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë koncept edhe të pjesëtarëve të pakicave.
Mbase mund të jetë një qasje nganjëherë e sforcuar që të shprehet më tepër siguria apo garancia jonë që do të kemi si shumicë e përgjegjshme në relacion me prezencën e pakicave në Kosovë.
Në këtë drejtim, mendoj se Kosova ka dhënë prova të bollshme deri në këtë fazë, se qarqet afirmative që i kemi pasur për integrimin e tyre dhe aktivizimin e tyre në të gjitha proceset kanë dhënë rezultatet e veta. Ka edhe hezitime, që vijnë zakonisht nga pakica serbe, e cila në vazhdimësi bie pre edhe e përllogaritjeve të shumta që i bën politika e Beogradit ndaj tyre.
Megjithatë, mund të themi se për ne është shumë e rëndësishme që të mos i kthehemi historisë. Nuk duhet të harrojmë atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, por natyrisht projekti ynë është që të lëvizim përpara, duke pasur parasysh një trajtim mbi bazën e standardeve më të larta ndërkombëtare që duhet t'u bëhet pakicave për një jetë më të mirë, të të gjithë qytetarëve, një jetë integruese.
Mendoj se ndoshta, kjo është esenca e gjithë asaj që do të sillte rezultate të tjera të mëvonshme.
Nuk do të angazhohem në asnjë rast, as unë dhe as institucionet e Kosovës, që të krijojmë pozicione të cilat krijojnë jetë paralele.
BBC: Besoni që ekziston një konsensus ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës?
Sejdiu: Deklarimet e vazhdueshme që vijnë nga zyrtarë të lartë të vendeve veç e veç dhe mendoj vet debatet e zhvilluara në nivelet e larta ndërkombëtare arsyetojnë thjesht hapjen e mëtejme, apo janë të përputhshëm drejtpërdrejtë me vizionin që ne kemi se pavarësia e Kosovës është një opsion real që flitet në Këshillin e Sigurimit, se pavarësia e Kosovës është e paevitueshme sikur se u fol ditë më parë në takimin e ministrave të jashtëm të Unionit Evropian në Salzburg, apo thjesht edhe qasje të tjera që kanë ta zëmë politika të jashtme evropiane.
Në këtë fazë të zhvillimit tonë, ne kemi dhënë prova të mjaftueshme se mund të jetojmë me dinjitet si një shtet i pavarur, duke pasur po ashtu një objektiv tonin, një qasje për fqinjësi të mirë dhe stabilitet të përgjithshëm në rajon.
Vullneti politik është i pakapërcyeshëm, dhe është kategori kushtetuese dhe kategori ndërkombëtare, ku askush nuk mund të shkelë mbi këtë vullnet.
Ju mund të shihni edhe ecjen e popujve të tjerë, dhe pavarësimin apo emancipimin e tyre nacional. Unë mund të marrë shembuj të shumtë të deklaratave të pavarësisë që kanë edhe shtetet e fuqishme të sotme që janë krijuar.
BBC: Besoni që në mbarim të këtij viti, Fatmir Sejdiu do të jetë president i Kosovës së pavarur edhe formalisht?
Sejdiu: Po. Unë besoj se krejt si brez do ta gëzojmë një fazë të tillë dhe që them shpesh herë dhe për brezat që janë në moshë të shtyrë të mos na shkojë asnjë njeri me sy çelë në atë botë pa u zgjidh çështja e Kosovës.
Pra, praktikisht kjo dinamikë e filluar këtë vit dhe natyrisht një orientim shumë i qartë, them edhe i zotit Ahtisaari, karshi dëshirës sonë të shprehur që kjo të shkojë shumë më shpejt.
Do të jetë nëntori kur atij do t'i skadojë mandati apo kontrata e tij e lidhur me Kombet e Bashkuara. Kjo nënkupton thjesht një qasje që të shpejtohet me këtë rrugë.
Detyra jonë është që të kontribuojmë në proces, të jemi palë e të shprehim denjësinë e mekanizmit shtetëror që do të jetë i çmuar në këtë drejtim.
Ju i dini ato deklarimet që janë bërë edhe në Këshillin e Sigurimit që ky proces duhet të shkojë i gjatë, duhet të shkojë në njëzet vjet të tjera për të arritur ndonjë emancipim të plotë nacional apo në shtetësinë formale juridikisht të njohur nga vendet e tjera, apo ndërkombëtarisht të njohur të Kosovës.
BBC: Ju zakonisht gjatë gjithë këtyre viteve u janë drejtuar me profesor Sejdiu, tash ju drejtohen me president Sejdiu. Cila prej këtyre do t'u pëlqente më shumë zoti Sejdiu?
Sejdiu: Unë mbetem shok, mbetem profesor, dhe ajo është cilësi që e kam arritur thjesht me punën time në nivelet e arsimimit dhe të punës edukativo-arsimore dhe shkencore në Universitet.
Nuk është titull, apo nuk është thirrje që unë e hezitoj. Natyrisht, e kam jashtëzakonisht të këndshme të ndeshem me të gjithmonë dhe ai rol i imi mbetet, pozicioni aktual është një pozicion institucional themi dhe një përgjegjësi që më ka dhënë Kuvendi i Kosovës dhe subjektet politike që e kanë mbështetur.
BBC: Sa e ka vështirësuar jetën tuaj personale, private familjare?
Sejdiu: Ka ndryshime të shumta. Ndryshimi i vetëm që nuk është në qasjen time ndaj problemeve dhe ndaj njerëzve, është që unë përpiqem sado që është vështirë të shkoj në binar normalë të asaj qasje që kam pasur në fazat e mëhershme, por botën megjithatë e shikoj me atë mendje dhe me ata sy që e kam parë edhe më herët.
Për mua është shumë e rëndësishme që të jem më adapt në rrethanat e kohës dhe në përgjegjësinë që kërkohet nga unë.
Sigurisht që në pjesën e jetës private ka ndryshime të shumta, sepse dinamika e veprimeve që bëj këtu dhe rolin që duhet ta kem në këtë institucion kërkojnë shmangien apo lënien anash të një pjesë të obligimeve edhe të jetës sime familjare dhe private.
Më mungon më së tepërmi thjesht ajo që kam pasur dhe e kam preferuar gjithmonë, një rrugëtim në këmbë nga zyra ime deri në shtëpi, mbase edhe mund të ketë pasoja për shëndetin, por do të shohim në të ardhmen, do të mund t'i kthehem edhe kësaj paralel me një mirëkuptim të përbashkët.
BBC: A ka ndryshuar qasja juaj ndaj mediave dhe gazetarëve?
Sejdiu: Jo, nuk ka ndryshuar. Unë jam ai që kam qenë në fazat e mëhershme. Mendoj një komunikim normal të nevojshëm, sepse konsideroj se jeni një fuqi e rëndësishme e prezantimit edhe të vizionit tonë të përbashkët.
Do të dëshiroja që ajo pjesë e korrektësisë sonë në raporte të ndërsjella të vazhdojë.