QIK: NË ASNJË MOMENT NUK DO TË HEQIM DORË NGA PAVARËSIA E KOSOVËS

Presidenti i sapozgjedhur, Dr. Fatmir Sejdiu, konsiderohet si njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit tashmë historik, Ibrahim Rugova. Z. Sejdiu është një njohës i shkëlqyeshëm i historisë së shtetit, fushë në të cilën ka kontribuar me studime dhe libra, ndërsa ka marrë edhe thirrjen shkencore po në këtë lëmi. Kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve të përpjekjeve të mëdha shqiptare për liri e pavarësi, jo vetëm në aspektin politik, por veçmas në atë juridik dhe legjislativ. Ai është njëri nga tre pjesëmarrësit shqiptarë në hartimin e Kornizës Kushtetuese aktuale. Ndërsa, është profesor në Fakultetin Juridik dhe në degën e Shkencave Politike. Zoti Sejdiu në intervistën ekskluzive dhënë QIK-ut flet për pikëpamjet dhe rolin e tij në misionin e madh për arritjen e pavarësimit të vendit.

QIK: Z. President, cili është mesazhi juaj për qytetarët me rastin e zgjedhjes suaj President i Kosovës, në kohën që ju po e merrni përsipër funksionin më të lartë të vendit në çaste delikate historike, dhe të zbrazëtisë së thellë që ka lënë Presidenti Rugova?

Presidenti Sejdiu:
Së pari shpreh falënderimin tim për deputetët e Kuvendit që shprehën besimin që unë të marrë mandatin nga Kuvendi si Kryetar i Kosovës, bashkë me këtë falënderoj subjektin politik të cilit i takoj LDK-së, që po ashtu ka shprehur besimin e vet pa dilemë dhe po ashtu për mbështetjen e përgjithshme që thjesht e shoh nga qytetarët. Natyrisht se gjendemi në një kohë të sfidave të mëdha. Do të bëj përpjekje të vazhdoj atë që është arritur deri tani me kontributin e jashtëzakonshëm të Presidentit Rugova, i cili në këtë fazë, vërtet na ka lënë një boshllëk të thellë, dhe në këto përpjekje duke transmisuar drejtpërdrejt vizionin e tij, të bëjmë një luftë të përbashkët me gjithë faktorët relevantë në Kosovë, me institucionet e vendit dhe me partitë politike, pozitën dhe opozitën, që pavarësia e Kosovës të jetë objektiv themelor, dhe natyrisht të ketë njohje ndërkombëtare. Dhe në këtë aspekt kemi nevojën e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë edhe me faktorin ndërkombëtar, dhe në veçanti me SHBA-të dhe me vendet e Unionit Evropian, për të shpejtuar këtë proces të rëndësishëm.

QIK: Cili do të jetë qëndrimi juaj politik për procesin e bisedimeve dhe zgjidhjen e statusit?

Presidenti Sejdiu:
Po ju e dini një qëndrim që është shprehur edhe në fazat e mëhershme, se rruga më e mirë dhe pa ekuivok, dhe që nënkupton njohje të realiteteve të reja të krijuara, është njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës, atë që Presidenti Rugova e kërkonte në vazhdimësi, dhe çështja tjetër plus që është një pjesë që lidhet me vendimin e Këshillit të Sigurimit, që të fillohet një rrugë e definimit të statusit, në bashkëpunim ndërkombëtar, mendoj se po ashtu e ka këtë qëllim dhe ne nuk kemi variant tjetër sërish veç pavarësisë. Për ne është shumë me rëndësi që në këtë proces të involvohet zëshëm, të themi, zëri i qytetarëve të Kosovës apo vullneti politik i tyre dhe që po ashtu e shoh se ka një mbështetje të rëndësishme edhe nga faktori ndërkombëtar, posaçërisht nga vendet me fuqi dhe influencë të madhe si SHBA-të, Britania e Madhe dhe ndonjë vend tjetër evropian, si dhe vet qëndrimi i Grupit të Kontaktit se duhet respektuar vullneti i shumicës.
QIK: A do të jeni trashëgimtar edhe i udhëheqësit të Grupit Negociator?
Presidenti Sejdiu: Është një proces normal, që e bën të qartë pozicioni i Kryetarit të Kosovës dhe që udhëheq edhe me Grupin Negociator. Ju e dini, edhe në fazën e mëhershme të nominimit të grupit plus në këtë rol nga ana e Kryetarit të Kosovës dhe ajo ka kaluar në Kuvend dhe unë mendoj se duhet të jetë i njëjti proces i udhëheqjes edhe në fazat e mëtejshme me një nevojë të bashkëpunimit të thellë, me të gjithë ata që përfaqësojnë institucionet, por edhe opozitën.

QIK: Në këtë kontekst kur kanë filluar deklarimet e para të vendeve të fuqishme të GK-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duket se ka mbetur vetëm çështja e modalitetit të saj, nëse mund të thuhet kështu, dhe të negocimit të “çështjeve teknike” përfshirë decentralizimin. Si udhëheqës i ardhshëm i Grupit Negociator që pritet të jeni, çfarë kompromisesh mund të bëhen?

Presidenti Sejdiu:
Unë thashë se ka deklarime të drejtpërdrejta rreth të ardhmes së Kosovës dhe pavarësisë së saj, që shpreh në esencë qëndrimin e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit dhe vendeve me influencë, dhe natyrisht që janë të përputhshme me atë që ne kemi kërkuar vazhdimisht që të respektohet vullneti i popullit. Natyrisht se ka një qasje që të përfillet një rrugë e bisedimeve e bazuar në vendimin e Këshillit të Sigurimit, e cila hë për hë, ka të bëjë me çështje që kanë të bëjnë me ato të karakterit thjesht teknike, siç do t'i cilësonit, por që nuk është krejt asisoj, si çështja e reformës së pushtetit lokal, e cila është një qasje e bisedimeve, në këtë drejtim me faktorin ndërkombëtar, me të cilën do të nënkuptohet një reformë, e cila do të jetë e kapshme për qytetarët e Kosovës, jo si një reformë që mund të ketë privilegje për një entitet apo për një entitet tjetër. Dhe në këtë drejtim, ne mendojmë se kjo rrugë apo kjo qasje kësisoj, që do të ketë në vete thjesht shtimin e parimeve themelore, në fakt edhe dokumenti i përgatitur nga grupi strategjik quhet edhe si i tillë, do të jetë i përputhshëm me standardet ndërkombëtare, apo me modelet e mira që janë bërë në këtë fushë në Evropë. Natyrisht se ne do të vazhdojmë që kjo ofertë të jetë serioze, nuk do të jetë ofertë që nënkupton në asnjë moment heqjen dorë nga opsioni ynë themelor, opsioni i pavarësisë së Kosovës, dhe natyrisht këtu japim përgjigjen se pavarësia ose është pavarësi ose nuk është pavarësi. Praktikisht të gjitha variacionet e tjera që kemi pasur rastin t'i dëgjojmë herë pas here në qarqet e ndryshme nënkuptojnë relativizimin e saj. Po ne kuptojmë se pavarësia si e tillë, me njohje të sovranitetit të plotë nënkupton, gatishmërinë e Kosovës që pastaj, në proceset e tjera integruese, do të veprohet natyrisht në bazë të standardeve ndërkombëtare, sikur që kanë vepruar edhe vendet anëtare të Unionit Evropian.

QIK: Si e mendoni të jetë imazhi juaj kundruall imazhit të Presidentit Rugova?

Presidenti Sejdiu:
Unë e kam parasysh si edhe çdo qytetar tjetër i Kosovës, punën e madhe që ka bërë Presidenti Rugova dhe e quaj po ashtu njeri të fatit veten time dhe njerëzit e brezit tim që kemi punuar bashkë me të. Jemi përpjekur që të krijojmë thjeshtë një harmoni të përgjithshme të veprimeve tona dhe ajo ka ekzistuar si e tillë. Dhe do të përpiqem që në këtë fazë që po vjen të bëjë punët, të cilat në radhë të parë janë të përputhshme me vizionin politik të Presidentit Rugova, por edhe të popullit të Kosovës sepse ai ka qenë një artikulim, apo mishërim me ndjenjat e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe kjo është busulla ime themelore dhe natyrisht të realizojë obligimet kushtetuese duke dëshiruar që të jap gjithçka çka unë mund të bëjë si njeri dhe natyrisht në bashkëpunim me të tjerët.

QIK: Cilat nga objektivat e tjera të Presidentit Rugova, i cili u nda herët nga jeta, që kanë mbetur pa u përmbushur, mendoni se gjatë këtij mandati të mbetur mund t'i përmbushni?
Presidenti Sejdiu:
Po mendoj se çështja themelore është ajo e arritjes së pavarësisë dhe njohjes së saj ndërkombëtare dhe në këtë kontekst të thellimit të bashkëpunimit të mëtejshëm me të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Atë që Presidenti e quante me plotë zemër, jo me plot gojë, një miqësi të përhershme me SHBA-të dhe me vendet e BE-së, dhe një tjetër çështje e rëndësishme është çështja e ngritjes së potencialeve ekonomike, që do të jetë sfida e posaçme për qeverinë e Kosovës, dhe institucionet e tjera dhe natyrisht roli i Presidentit mund të jetë, në drejtim të koordinimit të veprimeve, dhe është shumë me rëndësi që proceset integruese, që janë të domosdoshme për Kosovën, të jenë nga qarqet themelore në të ardhshmen. Në këtë kuptim nënkuptoj edhe një bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet fqinje, duke pasur parasysh se Kosova nuk do të definohet apo të gjejë një identitet të saj për të qenë e mbyllur, por do të jetë e hapur në komunikime normale dhe të nevojshme dhe për të qenë faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe besoj se këtë e kemi të trasuar mirë deri tash, por, do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen.

QIK: Kur do të miratohen ndryshimet kushtetuese, apo edhe kushtetuta e re, dhe kur pritet të ndodhë kjo, krahas bisedimeve apo pas përfundimit të tyre, pra njohjes së shtetësisë së Kosovës?

Presidenti Sejdiu:
Është një punë që duhet të bëhet paralelisht, dhe ne të jemi të gatshëm në momentin e përcaktimit të statusit të Kosovës, konform vullnetit politik dhe natyrisht se do të kemi edhe dokumentet bazike, siç është Kushtetuta akti më i lartë, dhe si i tillë, më kujtohet nga puna në grupin strategjik, ka pasur ide që të veprohet drejtpërdrejtë. Ju e dini, janë themeluar edhe ekipet e veçanta dhe për çështje kushtetuese, dhe kjo punë që është bërë deri më tash, si një nismë e mirë, duke pasur parasysh edhe ofertat e mëhershme të një varg projektesh, sigurisht se do të kurorëzohet me një tekst të mirë, i cili do të bëjë përpjekjen e vet për të ndërtuar, të themi, edhe në aspektin e marrjes së identitetit të Kosovës.

QIK: Cili besoni se do të jetë ritmi drejt përfundimit të çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës?

Presidenti Sejdiu:
Edhe më parë e thashë se janë dy rrugë, një është ajo që ne insistojmë dhe sa e shoh se ka edhe një mirëkuptim nganjëherë në qarqet ndërkombëtare që mund të shkohet edhe me njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë, që nuk është non sens, është një praktikë që ka ndodhur edhe me vendet e tjera të ish-federatës, pjesë përbërëse e cilës kemi qenë. Dhe mundësia tjetër që të vazhdohet me këtë cikël të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sipas asaj që z.Ahtisaari e thekson se mund të jetë nëntori, koha e përfundimit të bisedimeve, ne dëshirojmë që kjo të nxitohet edhe më shpejtë, nga arsyeja se thjeshtë një gjendje e status kuos, apo një gjendje e tillë e stërzgjatur do të ishte një rrezik i veçantë edhe për Kosovën, edhe në përmasa më të gjera, dhe insistojmë që ky nxitim të jetë, nxitim kualitativ.