Presidentja Osmani në ceremoninë e Hanukës: Të reflektojmë mbi rëndësinë e kësaj feste dhe mesazhin e saj të shpresës dhe qëndrueshmërisë

I nderuar kryeministër Kurti,
E nderuar zëvendëskryeministre Gërvalla,
Ministra, deputetë, liderë të partive politike,
E nderuara Ambasadore e Shtetit të Izraelit, Tamar Ziv,
I nderuar Ambasador Dan Oryan,
Të nderuar përfaqësues të shteteve në Republikën e Kosovës,
Të nderuar anëtarë të komunitetit hebraik në vendin tonë,
Të nderuar mysafirë,

Faleminderit që më keni ftuar këtu sot. Është vërtet një nder t'ju bashkohemi të gjithëve në festimin e Hanukës, Festivalit të Dritave dhe të reflektojmë mbi rëndësinë e kësaj feste dhe mesazhin e saj të shpresës dhe qëndrueshmërisë.

Hanuka është një përkujtim i duhur i nevojës për të kujtuar rëndësinë e mbrojtjes së besimeve tona dhe të luftës për atë që është e drejtë, edhe përballë fatkeqësive të mëdha.

Në këtë kohë sfiduese për botën – me luftën e vazhdueshme në Ukrainë që shkakton vuajtje dhe vështirësi të mëdha, me dhunë dhe konflikt brutal si dhe me implikime politike dhe ekonomike në mbarë kontinentin evropian edhe më gjerë – ne të gjithë mund të mësojmë nga fryma e Hanukës: se ne mund të tejkalojmë pengesat tona të përbashkëta përmes vendosmërisë dhe këmbënguljes.

Kjo festë e veçantë është një kohë shprese dhe ripërtëritjeje, dhe ne duhet të mbahemi për atë shpresë dhe të bëjmë pjesën tonë për të sjellë një të ardhme më të ndritshme dhe më të sigurt për të gjithë.

Të dashur miq,

Si Presidente e Republikës së Kosovës, jam krenare që përfaqësoj një komb divers dhe që po e festoj këtë festë të veçantë me të gjithë ju, duke përfshirë edhe anëtarët e komunitetit tonë të vogël por jashtëzakonisht vibrant hebraik.

Si vend, si institucione dhe më e rëndësishmja, si njerëz, ne jemi krenarë për angazhimin tonë të palëkundur për promovimin e barazisë dhe drejtësisë për të gjithë, si dhe mbrojtjen tonë shembullore ligjore për të gjitha komunitetet dhe të gjitha fetë, siç pasqyrohet në Kushtetutën dhe ligjet tona. Me këtë angazhim do të ndërtojmë një Kosovë më të fortë dhe më të përbashkuar.

Për më tepër, unë jam krenare për përpjekjet tona të përbashkëta për të kultivuar marrëdhëniet tona historikisht të mira me Shtetin e Izraelit dhe më e rëndësishmja, lidhjet tona njerëz me njerëzit. Këto lidhje datojnë prej shekujsh dhe ato janë karakterizuar gjithmonë me dhembshuri dhe besim të ndërsjellë.

Siç e dini shumë prej jush, shqiptarët hapën shtëpitë dhe zemrat e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shpëtuar jetën e komunitetit hebre, përfshirë fqinjët e tyre hebrenj, shpesh deri në humbjen e jetës së tyre. Trimëria dhe dhembshuria e treguar nga populli ynë gjatë këtyre orëve të errëta të historisë sonë të përbashkët, është një dëshmi e fuqisë së Besës dhe e rëndësisë së madhe të mbrojtjes së njëri-tjetrit në kohë të vështira.

Dekada më vonë, kur populli i Kosovës po përballej me një luftë gjenocidale, Izraeli dërgoi një spital fushor dhe një ekip mjekësor në Kosovë, duke trajtuar qindra pacientë dhe duke shpëtuar jetë. Gjithashtu, Shteti i Izraelit mirëpriti refugjatët kosovarë, duke treguar një shembull të jashtëzakonshëm humanitar.

Në këtë çështje, ne jemi krenarë për marrëdhëniet tona në rritje me Shtetin e Izraelit. Dy vendet tona kanë një themel të fortë për bashkëpunim dhe miqësi dhe ne jemi të etur për të ndërtuar mbi të në dobi të të dy popujve tanë. Pres me padurim hapjen e një kapitulli të ri dhe ngazëllues të marrëdhënieve me Shtetin e Izraelit në këtë vit të ardhshëm dhe mbetem me bindje se duke punuar së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatë për të dy vendet dhe popujt tanë. Siç u dëshmua së fundmi me rinovimin e Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren nga Ministria jonë e Kulturës, njerëzit dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar që të ndihmojnë komunitetin tonë hebre që të lulëzojë.

Dhe ndërsa ndezim qirinjtë Hanuka sot dhe u bashkohemi më të dashurve tanë, le të kujtojmë mësimet e së kaluarës dhe të përqafojmë shpresën dhe qëndrueshmërinë që Hanuka përfaqëson. Në këto kohë të vështira, është më e rëndësishme se kurrë të qëndrojmë së bashku dhe të mbështesim njëri-tjetrin.

Siç tha Presidenti Joe Biden gjatë Hanuka ceremonisë së këtij viti në Shtëpinë e Bardhë, "Historia e Hanukas është një storie mbi mrekullitë. Është një histori e një grupi të vogël luftëtarësh që luftojnë për vlerat e tyre dhe për të mposhtur një nga perandoritë më të fuqishme në historisë. Është historia e një kavanozi të vogël me vaj që digjet me shkëlqim për tetë ditë, kur duhet të kishte zgjatur vetëm një ditë.

Le të mbajmë këtë mesazh shprese, le të mbajmë të gjithë këtë mesazh mrekullish, përderisa punojmë së bashku për të ndërtuar një botë më të mirë, më të drejtë dhe më paqësore për të gjithë.

Edhe një herë, Urime festa e Hanukas të gjithë atyre që e festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën. Uroj që kjo festë t'ju sjellë dritë dhe gëzim të gjithëve dhe u shërbeftë si përkujtim i forcës dhe qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor.

Chag Sameach (Gëzuar Festat) të gjithë!

Faleminderit!