Fjalimi i u.d. presidentes Osmani në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit

Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Kryeministër në detyrë, z.Hoti

Z. Ministër i Mbrojtjes, z.Quni

I nderuar Komandant i Forcës, Gjeneral Rrahman Rama

Të nderuar përfaqësues diplomatik në vendin tonë,

Shumë të nderuar përfaqësues diplomatik e ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atashe ushatarak

Të nderuar zonja dhe zotërinj, miq e të pranishëm,

 

Ndihem e nderuar sot që në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës të jam këtu bashkë me ju në përcjelljen e kontingjentit të parë paqeruajtës të Forcës sonë për në Shtetin e Kuvajtit.

 

Mesazhi për të cilin kam ardhur këtu për ta dhënë në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në këtë ditë historike për shtetin tonë është shumë i thjeshtë: kam ardhur t`u them Zoti ju ruajt dhe faleminderit! 


Teksa jam këtu para jush, nuk mund ta lë pa e përmendur në këtë ditë historike se nga të gjitha privilegjet dhe nderin që kam pasur për të shërbyer në këtë kapacitet, asgjë nuk i afrohet nderit që të shërbej si Komandante Supreme e kësaj Force. 


Më 5 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës votoi unanimisht dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Një ditë më pas, ndihem krenare që kam nënshkruar autorizimin për dërgimin e këtij kontingjenti në  këtë mision të parë, krah për krah me miqtë tanë amerikanë.

 

Ky mision gjashtë mujor i ushtarëve tanë po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht me Ushtrinë Amerikane, ndaj paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik.

 

Programi i partneritetit shtetëror me Ushtrinë Amerikane ka qëllim afatgjatë, dhe ka për qëllim krijimin dhe zgjerimin e partneritetit me FSK-në, në funksion të promovimit të sigurisë rajonale, por edhe më gjerë.

 

Sot, një nga këta objektiva po nisë përmbushjen e tij. Këta djem që po përcjellim sot, e së shpejti edhe vajza ushtarake do të jenë nderi dhe krenaria jo vetëm e jona, por edhe e partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

22 - vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme se ushtarët tanë do të mund të ishin pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës në botë. Sot kjo gjë po bëhet realitet, sepse ne e bëmë lirinë dhe e ndërtuam paqen bashkë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Tashmë erdhi koha që t`ua kthejmë një pjesë të kontributit të tyre, duke u bërë partner në ndërtimin dhe në ruajtjen e paqes.

 

Nga një vend që dikur importuam trupa paqeruajtëse, sot po transformohemi gradualisht në një vend që po eksporton trupa paqeruajtëse.

 

Ky kontingjent që po e dërgojmë në Shtetin e Kuvajtit është i vogël në numër, por i madh në përmbajtje dhe në mesazh. Këta djem po e shkruajnë historinë e re të Forcës sonë. Megjithëse e krijuar së voni, Forca ka trashëguar një pjesë të konsiderueshme të përmbajtjes e idealit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e më vonë edhe nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës. E sot, Forca jonë po merr rol në sigurinë dhe paqen globale.

 

Me aleatët tanë ushtarak, na bashkojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. Jam e sigurt  se ju do ta bëni të pamundurën që me profesionalizëm e dedikim t`i jepni shanse paqes, jo vetëm aty ku po shkoni sot, por kudo që u besohet kjo detyrë.

 

Ky mision nuk do të ishte i mundshëm pa mbështetjen e Ushtrisë Amerikane.

 

Prandaj, të nderuar përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këta djem janë edhe djemtë tuaj. Misioni juaj është edhe mision i yni! Është paqja dhe besimi në vlera të përbashkëta që na bëri bashkë dhe ato t’i bëjmë të mundshme!

 

Siç e kemi dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi. Ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tona e vlerat në të cilat besojmë, por edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve tanë të tjerë. Pra, që të jemi të qartë, kush do që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Pra në Kosovën, Amerika e aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal!

 

 

 

Të dashur ushtarakë,


Ju po niseni drejt një sakrifice të re, e cila nuk do të jetë vetëm e juaja, por edhe e familjeve tuaja dhe e gjithë shtetit. Do të ndihemi krenar me kontributin tuaj dhe prej këtu ju shprehë gatishmërinë time për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve operacionale edhe me pajisjeve moderne, përmirësimin e përkujdesjes dhe rritjen e motivimit tuaj.

 

Me këtë mision, juve po ju jepet mundësia që ta dëshmoni dinjitetin, profesionalizimin dhe aftësitë ndërvepruese, rrugë të cilën e keni nisur që nga viti 2018 kur keni filluar transformimin në ushtri moderne, por edhe shumë më herët në çdo hap që keni bërë.

 

Ky proces parashihet të zgjasë tetë vjet, ndaj ky mision paqeruajtës do të jetë edhe në funksion të testimit të kapacitetit të ushtarëve tanë për të shërbyer në kuadër të forcave paqeruajtëse, e pse jo edhe për ta shkurtuar afatin kohor të transformimit të FSK-së dhe arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale. Nuk kam asnjë dyshim se përgatitja taktiko-fizike dhe operacionale e ushtarëve tanë do të jetë në nivelin më të lartë dhe konform standardeve të kërkuara.

 

Ju, të dashur ushtarakë nuk do të jeni vetëm paqeruajtësit tanë të parë, por edhe ambasadorë të paqes! Do të jenë imazhi i shtetit tonë, do të jeni mburrja dhe krenaria jonë!

 

Forca jonë kultivon dhe sublimon vlerat dhe standardet më të larta të doktrinës moderne perëndimore. Përveç misionit tonë kryesor për mbrojtjen territoriale dhe sovranitetin shtetëror të vendit e mbrojtjen e qytetarëve tanë, kjo Forcë pasqyron edhe diversitetin etnik, kulturor, fetar në të gjitha dimensionet e shoqërisë sonë si vlerë të patjetërsueshme.

 

Forcat tona janë duke u ndërtuar sipas standardeve të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s që të jenë të ndërveprueshme dhe të gatshme që të marrin pjesë në operacione paqeruajtëse në kuadër të forcave të përbashkëta shumëkombëshe, në kuadër të operacioneve me forcat amerikane sot, në Programin për Partneritet për Paqe nesër, apo si anëtarja me e re e NATO-s në një të ardhme të afërt.

 

Ky është misioni dhe detyra jonë kushtetuese e ligjore, ky është vizioni dhe objektivi ynë strategjik!

 

 

 

Të nderuar të pranishëm,

 

Si politikanë, ne edhe mund të mos pajtohemi mes vete për shumë tema, të debatojmë dhe të diskutojmë ndoshta edhe ashpër ndonjëherë - kjo është pjesë e demokracisë sonë, por kur bëhet fjalë për vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, kur bëhet fjalë për ju, për familjet tuaja, për ushtrinë tonë, si politikanë, por mbi të gjitha si qytetarë të kësaj Republike ne qëndrojmë të gjithë bashkuar. Ne të gjithë jemi krenar me ju.


Të dashur paqeruajtës, kam besim të plotë se ju do ta lartësoni emrin e shtetit të Republikës së Kosovës dhe dinjitetin e Forcës sonë!

 

 

Valëviteni lartë e me krenari flamurin tonë të dashur, 

 

Suksese e u kthefshi  faqebardhë e shëndosh nga misioni juaj!


Zoti ju bekoftë të gjithëve!

 

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

 

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqësinë e përhershme me ta!

 

Faleminderit!