Fjalimi i u.d presidentes dr. Vjosa Osmani - Sadriu në Ekspozitën me 59 fotografi

Të nderuar të pranishëm,

 

 

Sot jemi këtu pikërisht shkaku i asaj që ndodhi 23-vjet më parë, kur komandanti Adem Jashari, familja e tij dhe bashkëfshatarët ranë për lirinë tonë.


Në Kompleksin memorial në Prekaz, të gjithë ata që e vizitojnë e kanë parë se ndodhen 59 varre, sepse kaq njerëz ranë për liri, përgjatë tri ditë luftimesh, të cilat me të drejtë sot e bartin epitetin e Epopesë së UÇK-së. Prandaj edhe ekspozita e sotme, quhet “Ekspozita 59” për të nderuar 59 të rënët në betejën e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz. 


Nëpërmjet syrit të shtatë fotografëve, para jush sot sjellim retrospektivën e zhvillimeve nga lufta e deri në pavarësinë e vendit, në shkurtin e vitit 2008.

Mjeshtëria e autorëve ka vërë në spikamë detaje të një periudhe të mundimshme, të kalvarit tonë për liri dhe pavarësi të vendit.


Secila fotografi është rrëfim në vete, secila ka një mesazh. Rruga të cilën e kemi kaluar u simbolizua me qëndresën e komandantit Adem Jashari me familje për t`u finalizuar në shkurtin e vitit 2008, kur kurorëzuam mundin dhe gjakun e atyre që luftuan e ranë, duke e bërë Kosovën shtet!


Kjo rrugë nuk ishte as e lehtë e as e shkurtër. Përjetuam fillimisht dëbimin nga shtëpitë tona, vrasjet, dhunimet, spastrimin etnik nga atdheu ynë, teksa ende jetojmë me pengun e mbi 1600 të të zhdukurve me dhunë, akoma të pagjetur, për të cilët nuk duhet të ndalemi derisa të zbardhet fati i secilit.

 

 

Të nderuar pjesëmarrës

 

 

Duhet të jemi krenar edhe për miqtë tanë, të cilët na ndihmuan në ato ditë të vështira për ta përmbushur ëndrrën për lirinë. Një falënderim për gra e burra të forcave paqeruajtëse të NATO-së dhe shteteve përkatëse, pa të cilët kjo ditë nuk do të ishte e mundur!


Nuk ka asgjë më të çmueshme se kujtesa historike. 59 pamjet e sotme janë tablo reale të një periudhe të jetuar dhe dëshmi autentike e rrugëtimit tonë për liri.

Ato janë historia jonë më e re, të cilën assesi nuk duhet ta harrojmë, por gjithnjë duke shikuar nga e ardhmja, me shpresën dhe besimin se e nesërmja gjithnjë do të jetë më e mirë se e djeshmja!


Gjersa lëvizim përpara këtyre fotografive, me çdo lëvizje tonën kthehemi një hap prapa në historinë e ditëve tona. Gjersa ne lëvizim para, nuk mund të mos e kthejmë shikimin pas kah ata që bën sakrificën më sublime që ne mos të ndalim hapin e sigurt drejt së ardhmes tonë më të mirë. 

E kur shohim këto fotografi, duhet të shohim drejt në sytë e përlotur të më të vegjëlve. Lotët e tyre le të na shërbejnë si pasqyrë në të cilën shihemi secilën herë që marrim vendime për vendin tonë, e dhimbjen në sytë e tyre ta shndërrojmë në motiv për të punuar mirë e me nderë për të ardhmen tonë.

Në ditë si këto, por edhe sa të kemi frymë, të sigurohemi që fëmijëve tanë e brezave që do i lëmë pas t’u flasim fëmijët e Jasharajve dhe për të gjithë fëmijët që ranë në altarin e lirisë, për nurin e këtyre luleve që u këputen ende pa u çelur mirë, për sakrificën e tyre që sot fushat e Kosovës të mbushen me lule të reja që çelin e shpërndajnë aromat më të këndshme në liri.


Asgjë nuk flet më mirë se fotografia. Në këtë përvjetor të Epopesë së UÇK-së, jemi përpjekur të sjellim një pjesë të zhvillimeve të kësaj periudhe nga autorë.

Pamjet dhe ngjarjet si këto, urojmë që t`i takojnë të kaluarës historike! Por të mësojmë nga to, e kurrë mos t’i harrojmë, gjithnjë duke ngritur zërin tonë për drejtësi, si parakusht për paqe të qëndrueshme. 


Sot duam ta ndërtojmë paqen, së bashku me shtetin tonë, duke e ruajtur atë, duke mos lejuar cenimin e tij, duke e fuqizuar atë dhe duke e bërë shtëpi të përbashkët për të gjithë qytetarët e tij!


Ju faleminderit.