Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Samitin e Berlinit lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që edhe njëherë të them se nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e këtij takimi të sotëm, i cili po ndodh në një periudhë shumë delikate për rajonin, dhe sidomos të relacioneve tepër të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër faktit se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ngjan një maratone shumë të vështirë dhe plotë pengesa, unë them që dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur paqe dhe pajtim.

Për më tepër, marrëveshja e vitit 2013 dhe të gjitha marrëveshjet tjera të arritura pastaj, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të dy shteteve.

Fatkeqësisht, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar në tersi.

Serbia ka dështuar të zbatoj marrëveshjen për Energji, atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe ka pamundësuar hapjen e urës  mbi lumin Ibër të Mitrovicës, e cila bashkon qytetin e ndarë dhe qytetarët.

Gjithashtu, me veprimet e veta destruktive, Serbia ia ka pamundësuar Kosovës që ta zbatoj në praktikë Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ekipi Menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit i cili përbëhet nga përfaqësuesit e komunitetit serb që jeton në Kosovë, në përputhje me udhëzimet dhe rekomandimet e Serbisë, ka dështuar në mënyrë të qëllimshme që ta kryej punën e vet në përputhje me marrëveshjen.

Sigurisht, Serbia vazhdon të akuzoj Kosovën për mos zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshje, mirëpo të gjithë duhet ta kenë të qartë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që implementimi i saj të ndodhë pa asnjë vonesë, mirëpo gjithnjë në përputhje me marrëveshjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Besoj se të gjithë e keni të qartë se pse Serbia nuk dëshiron që Asociacioni të themelohet ashtu siç e parashikon Marrëveshja dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Qëllimi është i qartë, Serbia dëshiron që në pjesën veriore të Kosovës, të themelohet një Asociacion i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, i njëjtë me modelin e Republikës Serbe në Bosnje.

Një gjë e tillë nuk mund të ndodh në Kosovë dhe sot e ritheksoj përsëri që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe as nivel të pushtetit të tretë.

Tani me lejoni të kthehem pak tek situata aktuale rreth dialogut dhe mundësitë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare.

Të gjithë jemi dëshmitarë se dialogu aktualisht është i bllokuar.

Janë disa faktor që kanë sjellë këtë situatë të pashpresë, por unë po theksoj vetëm disa.

Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës për prodhimet serbe të vendosur nga Kosova.

Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut i cili është respektuar që nga viti 2011, që nënkupton se dialogu është i pakushtëzuar.

Vendosja e taksës ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe legjitim si reagim ndaj shkeljeve të përsëritura e të dokumentuara të CEFTA-s nga ana e Serbisë. Si i tillë, ai mbetet  në fuqi.

Së dyti, më lejoni të them se përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, janë minuar dhe kundërshtuar në mënyrë të pakuptueshme nga disa drejtime.

Përkundër vullnetit të ndërmjetësueses së dialogut znj. Federica Mogherini, dhe gatishmërisë sime dhe Presidentit Vucic për të punuar seriozisht drejt një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ka munguar përkrahja në aspektin ndërkombëtar por edhe në atë rajonal.

Faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike, shtetet e Qunitit, SHBA, Anglia, Gjermania, Franca dhe Italia nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Kjo përçarje, ka pasur reflektime tepër negative në spektrin politik në Kosovë dhe si rrjedhojë, kemi pasur qëndrime kundërthënëse dhe vështirësi të mëdha në themelimin e Ekipit Negociues gjithëpërfshirës në Kosovë.

Me gjithë respektin e madh për ju Kancelare Merkel, President Macron, unë jam skeptik se një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale mund të arrihet në rast se shtetet e Quinitit nuk janë të bashkuara dhe në rast se nuk flasin me një zë.

Për më tepër, ju të gjithë e dini se marrëveshja është e pamundur pa rolin vendimtar të SHBA-ve.

Së treti, shtetet fqinjë në rajon, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk janë dëshmuar aspak ndihmuese ndaj përpjekjeve tona.

Kështu, derisa në takimet tona bilaterale ata i kanë mbështetur përpjekjet tona për marrëveshje, e vërteta e hidhur është se në takimet që kanë zhvilluar me shtetet e Quinitit duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, shtetet nga rajoni kanë shfaqur kundërshti (në këndvështrimin tim të pabazuara) ndaj arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Kundërshtimi thelbësor i disa shteteve të Quintit kundër përpjekjeve tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse (dhe i shteteve te lartpërmendura nga Ballkani Perëndimor), është arsyetuar dhe fokusuar në një çështje të vetme, atë të demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo në disa raste të korrigjimit të kufirit.

Kjo është bërë në mënyre të qëllimshme, për të rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi të ndryshojmë kufijtë në Ballkan, se gjoja ne duam kufij përgjatë vijave etnike, etj.

Kundërshtarët politik në Kosovë më kanë akuzuar se gjoja unë jam për ndarjen e Kosovës, kurse disa diplomatë perëndimor për kinse krijimin e kufijve etnik të ri në Ballkan.

Këto pretendime kanë qenë dhe janë të gabuar plotësisht.               

Atyre që janë ngutur të më sulmojnë kaq ulët duke u fshehur pas disa parimeve të keqpërdorura, u them se nëse sot kemi frikë nga e vërteta dhe sillemi kinse si parimor pa ofruar zgjidhje, duke preferuar ngrirjen e konfliktit ne vend te zgjidhjes se tij, nesër mund te përballemi me opsione tejet destruktive që çojnë ne ndarjen apo krijimin e një Republike të re Serbe në veriun e Kosovës.

Ne kemi punuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila ndër pikat e shumta që do të trajtoj, duhet të ketë edhe një pikë të veçantë për demarkimin e kufirit e cila do të duhej të bëhej nga ekspertët e kësaj fushe.

Unë jam i sigurt se pavarësisht faktit se kur dhe si do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet të dy shteteve është thjesht i pashmangshëm. Këtë e dimë nga eksperienca jonë me Malin e Zi, por ketë e dimë edhe nga vetë eksperienca e Kroacisë me Slloveninë apo e Shqipërisë me Greqinë për kufirin detar (dhe në mos gaboj edhe për atë tokësor).

Sido që të jetë, kam frikë se momentumi pozitiv që ka ekzistuar vetëm disa muaj më parë, është duke humbur dhe jam skeptik se mund të rikthehet shpejt.

Mirëpo Kosova mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi dhe spektri politik kosovar, është plotësisht i unifikuar në qëndrimet e veta.

-    Ne jemi konstruktiv dhe të gatshëm për dialog të pakushtëzuar në çdo moment.
-    Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe mbetet i pacenueshëm.
-    Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë.
-    Kosova nuk do të bëj asnjë kompromis me Serbinë në këmbim të njohjes.
-    Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë duhet të themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, respektivisht ligjet e Kosovës.
-    Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo qoftë se në Veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive, e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë.
-    Nuk mund të ketë një zgjidhje të modelit Gjermano-Gjerman dhe të një sovraniteti të dyfishtë.
-    Kosova i ka përfunduar të gjitha kompromiset e veta duke pranuar Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit.
-    Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime, do të interesohet dhe përkrahë aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizim dhe pajtim me Serbinë.
 
Ju faleminderit për vëmendjen Tuaj!