Fjalimi i Presidentit të Kosovës në Samitin e Berlinit lidhur me pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal

Zonja dhe zotërinj,

Qysh në fillim më duhet të theksoj, se përkundër faktit që kanë kaluar 20 vite nga përfundimi i luftërave në Ballkanin Perëndimor, pajtimi i plotë ndër-etnik dhe ndër shtetëror, ende duket i largët, pavarësisht progresit të bërë.

E njëjta situatë reflektohet kur është në pyetje edhe bashkëpunimi rajonal, pavarësisht iniciativave të shumta të ndërmarra deri më tani, duke përfshirë procesin e  Berlinit.

Procesi i integrimit në BE pothuajse është tërësisht i bllokuar.

Perspektiva evropiane për Kosovën mbetet vetëm një frazë e mirë për veshët e cila vazhdon të përsëritet, por asgjë më shumë.

Realiteti i sotëm në Ballkanin Perëndimor, nuk përputhet aspak me pritjet tona dhe ndoshta edhe me ato të BE-së.

Përkundër faktit që shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, i ka dhënë fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, paqja në rajonin tonë ende mbetet e brishtë.

Jo stabiliteti aktual në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet fqinje në rajon, së pari është rezultat i mosnjohjes dhe sjelljes armiqësore e Serbisë, dhe së dyti, mosnjohja e pavarësisë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Serbia në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar ta cenojë dhe minojë sovranitetin shtetëror të Kosovës.

Për çudi, sjellja armiqësore dhe anti-evropiane, nuk e ka frenuar rrugëtimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, po shkakton probleme të mëdha për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.

Kjo situatë ka mundësuar që pesë shtetet anëtare të BE-së, të mos e njohin ende Kosovën.

Si rrjedhojë, legalisht dhe praktikisht Kosova e ka të pamundur të bëj hapa konkret për anëtarësim në BE dhe NATO.

Si përfundim, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë vazhdimisht të acaruara, ekzistojnë barriera të shumta për lirinë e lëvizjes për qytetarët dhe mallrat.

Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër rezultateve të prekshme, tani është i bllokuar nga Serbia, e cila e ka kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e taksës.

Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, sepse dialogu nuk mund të kushtëzohet nga asnjëra palë.

Ky ka qenë parimi udhëheqës i pashkruar që nga fillimi i këtij procesi.

Në anën tjetër, pak a shumë, për shkak të ndikimit negativ të Serbisë, marrëdhëniet e Kosovës me Bosnje dhe Hercegovinën janë në nivelin me të ultë të mundshëm.

Nuk ekziston lëvizja e lirë për qytetarët e të dy vendeve, dhe rrjedhimisht as për mallra.

Ka një situatë tepër paradoksale, BE-ja ka hequr vizat për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa kjo e fundit ende e mban në fuqi regjimin e vizave për kosovarët.

Lehtë mund të ndodhë që BE-ja t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina të vazhdoj edhe me tutje.


Zonja dhe zotërinj,

Përkundër këtij realiteti të tendosur, sigurisht që ka pasur progres në relacion me shtetet tjera fqinjë në rajon.

Në rend të parë, është tepër e rëndësishëm që Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur të ratifikojnë marrëveshjen ndër-shtetërore për shënimin e vijës kufitare / demarkacionin.

Kjo çështje ka qenë thelbësore për vendosjen e marrëdhënieve të mira reciproke.

Për më tepër, për Kosovën, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, ka qenë kriteri i fundit për liberalizimin e vizave nga BE-ja.

Mirëpo për fatin tonë të keq, realiteti i sotëm dëshmon se ky ka qenë vetëm një premtim mashtrues.

Kosova padrejtësisht mbetet vendi më i izoluar në Evropë.

Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave në maj të vitit 2016.

Unë nuk e kuptoj se përse qytetarët e Kosovës që janë populli më proevropian në rajon, diskriminohen në këtë mënyrë.

Maqedonia e Veriut është gjithashtu shtet fqinjë me të cilën kemi bashkëpunim, qarkullim të njerëzve dhe mallrave në mënyrë të papenguar.

Nuk kemi asnjë çështje të hapur dhe e kemi mirëpritur marrëveshjen e Prespës dhe jemi mbështetës për anëtarësimin në NATO dhe BE.

Ndërsa, relacioni i Kosovës me Shqipërinë është i vetëkuptueshëm.

Ne jemi vëllezër dhe si dy shtetet të pavarura, duam që të bashkohemi nën ombrellën e përbashkët të BE-së dhe NATO-s.

Sllovenia dhe Kroacia, janë shtete mike të Kosovës në rajonin tonë.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik janë në nivel shumë të kënaqshëm.

Ne vetëm kërkojmë, që këto dy shtete të avokojnë dhe përkrahin shumë më tepër Kosovën dhe shtetet tjera të rajonit, në mënyrë që të përshpejtohet realizimi i aspiratave tona për anëtarësim në BE dhe NATO.


Zonja e zotërinj,


Në një situatë të tillë të marrëdhënieve tona ndërfqinjësore, shumë iniciativa të mira që kanë dalë edhe nga Procesi i Berlinit, kanë mbetur pa u realizuar.

-     Progresi drejt themelimit të zonës ekonomik rajonale, tregtisë së lirë, konektivitetit, e mbi të gjitha pajtimit, do të mbetet i pamundur apo vetëm minimal, për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

-    Për aq kohë sa një gjë e tillë nuk ndodhë, ndikimi i palëve të treta në rajonin tonë, respektivisht ndikimi i Rusisë dhe Kinës do të jetë i vazhdueshëm.

Kjo situatë e keqe në rajonin tonë, nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte.

Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë, sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj.

Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme mirëpo se a do ta bëjnë një gjë të tillë apo jo, mbetet në vullnetin e tyre.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!