Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Shumë të nderuar të pranishëm,
I nderuar kryeministër, z. Albin Kurti!
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj!
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra të Qeverisë së Kosovës!,
I nderuar komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës!,
Të nderuar Shkëlqesi, Ambasadorë!,
Shumë të nderuar përfaqësues të mediave,
Por mbi të gjitha, të dashur ushtarakë; oficerë dhe nënoficerë!

Sot, në këtë ditë të veçantë tuajën dhe më të rëndësishmen për Forcën tonë, Forcën e Republikës së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që t’ua urojë të gjithëve ditën tuaj. 

Jam po kaq e lumtur që nga nëntori i vitit të kaluar, kur ne e shënuam bashkë ditën tuaj, Forcat tona kanë shënuar një zhvillim të hovshëm, duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale, si partner i besueshëm e i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë brenda aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, atë të NATO-s. 

Prandaj, më lejoni që fjalimin tim ta nis pikërisht duke e nënvizuar këtë dimension, nga i cili buron edhe një krenari e madhe e jonë për Forcën e Sigurisë. Muaj më parë, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për herë të parë në historinë e forcave tona, zbarkuan një mision paqeruajtës ndërkombëtar, në Kuvajt, në kuadër të kontingjentit të Gardës së IOWA-s, të Ushtrisë së SHBA-ve. Ky ishte hapi i parë, por tepër i rëndësishëm për ta parë të realizuar ëndrrën tonë e tuajën për të qenë ndërtues dhe garantues të paqes globale, si dhe për të shërbyer përkrah aleatëve tanë historikë për garantimin e sigurisë globale. Ju jam mirënjohëse të gjithë ushtarëve tanë të cilët shërbyen me zell e  përkushtim në këtë mision dhe për të cilën krenohet e gjithë Kosova.  

Po ashtu, gjatë verës, Kosova ishte pjesë e ushtrimit “Defender 21 Europe”, ndër më të mëdhenjtë që nga Lufta e Dytë Botërore, i drejtuar nga Ushtria e SHBA-ve. Për herë të parë, Kosova ishte vend pritës i një ushtrimi të tillë ndërkombëtar. Gjatë ushtrimit “Defender 21”, FSK për herë të parë ka validuar kapacitetet e saj të këmbësorisë në nivel kompanie në nivel ndërkombëtar. Validimin e kapaciteteve luftarake të Këmbësorisë së FSK e kanë bërë ekipet vlerësuese të Ushtrisë së SHBA-ve, në bashkëpunim me ekipet vlerësuese të FSK-së. Ky qe hapi i dytë, shumë i rëndësishëm i përafrimit të mëtejmë të FSK-së me ushtrinë e NATO-s dhe dëshmi se ajo është duke u zhvilluar fuqishëm. Pjesë e këtij fuqizimi ishte edhe furnizimi me pajisje dhe automjete ushtarake, përfshirë 55 automjete ASV, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së treti, FSK-ja ka kuptuar drejt ndjenjën e popullit të Kosovës për t’u bërë pjesë e aleancës sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara duke ndihmuar në krizën e refugjatëve afganë. Transportimi dhe përcjellja e shumë refugjatëve afganë nga Aeroporti i Prishtinës për në kampet e refugjatëve në Ferizaj është shenjë jo vetëm e zbatimit të vendimeve të institucioneve me dinjitet, por edhe e kultivimit të ndjenjës së përkrahjes për të zhvendosurit. 

Me lejoni të nënvizoj: i gjithë partneriteti me SHBA-të dhe me vendet mike, anëtare të NATO-s, i demonstruar në të gjitha këto aktivitete, është jetik për ne si Republikë e Kosovës, sikurse është edhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse. Furnizimi me pajisje ushtarake, edhe të dhuruara edhe të blera së fundmi janë dëshmi se ne po i ndërtojmë këto kapacitete, kaq të nevojshme për mbrojtjen e vendit tonë. 

Do ta rikujtoj këtu sërish: Në kohën që ne po zhvillonim ushtrimin me forcat e NATO-s, fqinji ynë verior, ishte si kërcënues i vazhdueshëm i paqes dhe i sigurisë në rajon, po zhvillonte manovra ushtarake me kërcënuesin tjetër, global, Rusinë.

Të dashur pjesëmarrës!

Ushtria e Kosovës ka themele të fuqishme, ngase është ngritur e është strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë, të sublimuar në sakrificën sublime të komandant Adem Jasharit e gjithë familjes Jashari, në luftën e UCK-së dhe vizionin euroatlantik të Kosovës, të ideatorit të shtetësisë së Kosovës, presidentit tonë historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. 

Sot, ushtria jonë po rritet e zhvillohet mbi vizionin e popullit të Kosovës për ushtri moderne, që është e zonja profesionalisht e taktikisht t’i dalë zot atdheut në çdo kohë. 

Sot ajo po shndërrohet në një ushtri moderne, falë këmbëngulësisë dhe sakrificës së vajzave e djemve tanë. Ushtria po i zhvillon dita-ditës kapacitetet e saj, duke e vazhduar një program dobiprurës të trajnimeve dhe shkollimit në vendet partnere. Si rezultat i këtij partneriteti, ne kemi ngritur kapacitete të fuqishme profesionale, të cilat po dëshmohen gjithandej. Prandaj, për t’ua njohur këtë meritë bijve e bijave tona, të cilat po e nderojnë Forcën, por edhe gjithë popullin e Kosovës, kam vendosur që t’i nderoj disa nga ta, të përzgjedhur nga moria e shumë ushtarakëve të tjerë, po kaq të denjë për këtë çmim, me Medaljen Presidenciale të Meritave që sot janë fytyra përfaqësuese e FSK-së gjithandej nëpër botë, duke na bërë krenarë me të arriturat e tyre e duke u bërë të parët ndër më të mirët kudo që studiuan ata, qoftë në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar apo në vende të tjera. 

Të nderuar të pranishëm!

Të nderuar ushtarakë! 

Rezultatet tuaja nëpër botë janë dëshmi se si duhet shërbyer atdheut. Përkushtimi juaj ndaj dijes, ndaj ngritjes suaj profesionale, si dhe sakrifica për t’i arritur majat e disiplinës e të shprehive në punë, përveçse arritje kulmore, është edhe dëshmi se për ju asnjë barrierë nuk është e patejkalueshme. Ju duhet të jeni krenarë për të arriturat tuaja, por edhe për faktin se jeni pjesë e një formacioni ushtarak, i cili ka një mision të shenjtë: mbrojtjen e integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës, mbrojtjen e atdheut për të cilin është sakrifikuar shumë. Ushtarët, oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, të cilët po arrijnë rezultate të shkëlqyera nëpër në akademitë më të njohura ushtarake botërore dhe në gara ndërkombëtare, po e dëshmojnë çdo ditë këtë vullnet e këtë gatishmëri. 

Në këtë ditë të veçantë, dua po kështu t’ua shpreh falënderimin tonë aleatëve tanë, ushtrive të vendeve mike, anëtare të NATO-s, duke filluar nga ushtria amerikane, por edhe çdo anëtar tjetër e të cilët po kujdeset çdo ditë që  Forcat tona të Armatosura të zhvillohen më tej dhe të transformohen në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s me aleancën ku ne e kemi vendin, ku kjo ushtri e jona e ka vendin. Me këto ushtri ne po ndërtojmë partneritet të fuqishëm strategjik dhe po sigurohemi që së bashku ta përmbushim misionin tonë, misionin e brezave të tërë. 

Këtë partneritet strategjik ne do ta forcojmë e thellojmë edhe më tej. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Republikës së Kosovës për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht, por është objektiv që i siguron po ashtu paqen e stabilitetin gjithë rajonit e përtej. Për këtë qëllim, ne po e rrisim përkrahjen për ushtrinë, që të sigurohemi se Forcat tona të Armatosura të integrohen sa më parë në strukturat e NATO-s aty ku edhe e meritojnë. 

Zoti i bekoftë Forcat tona! 
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Nderime atdheut!