Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e dorëzimit të Medaljes ushtarake për trupat portugeze që shërbyen në Kosovë

I nderuar ministër Gomes Cravinho

I nderuar admiral Silva Ribeiro

Të nderuar të pranishëm


Jam shumë e nderuar që ndodhem para trupave tuaja, të cilat 23 vjet më parë nga ky vend u bënë pjesë e aksionit të NATO-s, në intervenimin që pati për synim mbrojtjen dhe lirinë tonë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Ju u vendosët në anën e duhur të historisë. Më 1999, ju ishit në anën e të drejtës, në anën e lirisë si një e drejtë universale, në anën e mbrojtjes së një populli të tërë nga shfarosja nga një regjim tiranik.

Unë përulem para jush dhe ju falënderoj përzemërsisht në emër timin, si presidente e Kosovës dhe në emër të popullit që përfaqësoj!

Në kohën kur nuk ekzistonte vijë dalluese ndërmjet jetës dhe vdekjes, ju përveç se na ndihmuat për lirinë e vendit, u bëtë edhe strehues tanë. Një numër i familjeve kosovare nga rreziku për jetë gjetën strehim në Portugali. Shteti juaj hapi derën dhe zemrën për ne. Jemi mirënjohës e falënderues përjetë!

Përtej kësaj, ju dhatë kontribut edhe në bërjen e paqes. Janë afro 6 mijë trupa të ushtrisë suaj, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it për ta siguruar një ambient të qetë e stabil.

Gjashtë vjet më parë, kontingjenti i fundit i ushtrisë së Portugalisë përfundoi misionin paqeruajtës në Kosovë, duke lënë pas kujtime të mira te secili qytetar i Kosovës.

Faleminderit mijëra herë për kontributin tuaj të çmueshëm! Në kujtimin e secilit kosovar do ta keni përherë një vend të veçantë!

Ju përfunduat me sukses një mision sa sfidues poaq fisnik. Manifestuat dinjitet e krenari, duke u bërë gardianë të lirisë, prandaj jam sot këtu para jush në vizitën time të parë në shtetin tuaj jo vetëm t`u falënderoj, por edhe t`u dekoroj për heroizmin tuaj, kurajon tuaj dhe shpirtin human që dëshmuat dy dekada më parë. Uroj që në angazhimin tuaj të ketë sa më pak nevojë për aksione të tilla. Uroj që paqja që sfidohet çdoditë të ngadhënjej  dhe njerëzit kudo në glob të jetojnë në paqe e harmoni!

 

Të nderuar  ushtarakë,

 

Nga pozita e komandantes së përgjithshme të Ushtrisë së Kosovës, ju them se ne kemi nevojë për ndihmën tuaj sërish. Kësaj here jo për të na shpëtuar jetën, por për të ndërtuar partneritet me ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i zgjeruar kapacitetet e saj dhe është në proces të transformimit. Ushtarët tanë sapo janë kthyer nga një mision paqësor bashkë me ushtrinë amerikane në Kuvajt. Kam besimin e plotë se ushtria jonë mund të përfitojë shumë nga përvoja e ushtrisë suaj.

Unë dëshiroj që përveç bashkëpunimit në fushën ushtarake, në një të ardhme të afërt forcat tona t`i shoh krahas forcave tuaja në NATO. Kjo aleancë është synim i yni dhe interes strategjik.

Ne kemi ndërtuar një ushtri, e cila është e aftë jo vetëm për ta mbrojtur tërësinë  territoriale të vendit tonë, por edhe për t`u bërë mbrojtëse e paqes kudo që ka nevojë.

Ju keni intervenuar me NATO-n, ne dëshirojmë të takohemi me ju në NATO!

 

Zoti e bekoftë ushtrinë e Portugalisë dhe atë të Kosovës!

Zoti i bekoftë popujt tanë!

 

Lisbonë, 29 tetor 2021