Fjalimi i Presidentes Osmani para pjesëtarëve të FSK-së të cilët ishin pjesë e ushtrimit “DEFENDER - Europe 21”

Zotëri Kryeministër,

Zëvendëskryeministre,

Ministër i Mbrojtjes,

Gjeneral i Forcës së Sigurisë ,

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe të ushtrisë

Amerikane,

Përfaqësues të korit diplomatik,

Të gjithë ju të pranishëm, por mbi të gjitha

Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së

Kosovës!

Të nderuar aleatë që gjithnjë qëndruat pranë nesh!

Në këtë ditë të veçantë për secilin ushtar të forcës sonë, kam nderin që në cilësinë e

komandantes supreme të Forcave tona, t’ju shpreh mirënjohjen time e të popullit të

Kosovës për shërbimin tuaj të jashtëzakonshëm ndaj atdheut tonë . Po kështu, dua t’jua

shpreh edhe gëzimin e pamasë që po e shoh sot të jetësuar ëndrrën e secilit ushtarak,

secilit qytetar të Republikës së Kosovës, të cilët kanë pritur për dhjetëvjetësha të tërë

që ta shohin një ditë ushtrinë e vendit të tyre përkrah aleatëve tanë strategjikë, madje

duke ndërvepruar me ta e duke e marrë vlerësimin e tyre. Sot, duke demonstruar

profesionalizmin tuaj së bashku me ushtritë aleate, së bashku në veçanti me Shtetet e

Bashkuara të Amerikë s, ju po e bëni krenar secilin nga ta.

Por, në këtë ditë të veçantë, duam të shprehim falënderimin tonë edhe ndaj ushtrive të

vendeve mike, mbi të gjitha ushtrisë amerikane, e cila po kujdeset çdo ditë që forcat

tona të armatosura të zhvillohen më tej profesionalisht dhe të transformohen në forcë

ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s, për ta garantuar paqen

e gjithëbotshme. Ne duam, prandaj, që ta themi kumbueshëm, sot sikur edhe dje, se

përtej lumturisë që na e sjell demonstrimi i përbashkët ushtarak, gatishmëria për ta

thelluar partneritetin strategjik me aleatët tanë perëndimorë është e paluhatshme.


Të dashur oficerë të forcave tona të armatosura!

Të dashur ushtarak!

22 vjet më parë gra e burra dinjitarë të Kosovës, të udhëhequr nga ideali për lirinë, u

rreshtuan nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë ës dhe e dëshmuan

këmbënguljen tonë për ta fituar lirinë. Ata u përballën me egërsinë e një regjimi, edhe

kur nuk kishin burime të mjaftueshme siç kemi tani. Por, ata e patën guximin dhe

vendosmërinë për të qëndruar fort në kauzën e lirisë. Mbi të gjitha, ata patën fatin të

vepronin nën flamurin e një aleance të fuqishme me perëndimin, të krijuar ndër vite, me

urti e durim. Në atë kohë, sikur sot, ne e kemi ditur se duke i mbrojtur shtëpitë tona,

duke luftuar për lirinë tonë, ne i kemi mbrojtur vlerat e lirisë universale dhe kemi dhënë

kontribut për mbrojtjen e tyre.

Sot, 22 vjet më pas, ne bijat e bijtë e tyre, të veshur me idealin e sigurimit të paqes e të

stabilitetit për veten e për të tjerët, i kemi lidhur qëllimet tona me përkushtimin e

partnerit tonë strategjik, me SHBA-të , për ta siguruar lirinë dhe për ta garantuar atë. Si

vend e si komb, ne kemi pasur qëllim dhe mision të vetëm mbrojtjen e atdheut tonë, të

lirisë sonë, por edhe respektimin e lirive të të tjerëve. Ushtria jonë është rritur e zhvilluar

mbi këtë vizion për ushtri moderne, të cilin ju po e jetësoni çdo ditë me profesionalizmin

tuaj. Ngritja e kapaciteteve, standardizimi dhe modernizimi i ushtrisë, si pjesë planit

gjithëpërfshirës të tranzicionit, sot po e merr vulën e përkrahjes nga partnerët tanë

strategjikë. Prandaj, jam e lumtur të shoh se si ajo po shndërrohet jo vetëm në ushtri

moderne, por edhe në partner të besueshëm të aleatëve tanë, synimet e të cilëve

përkojnë me qëllimet tona strategjike.

Të dashur ushtarë!

Forcat e Sigurisë së Kosovës është sinonim i shtetësisë sonë, i mbrojtjes së

sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Republikës së Kosovë s. Forca jonë

është burim nga i cili rrjedh fuqia jonë kohezive për të qëndruar fort përkrah popujve

liridashës, të përkushtuar për ta krijuar e ruajtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë, në

partneritet të ngushtë me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe

shtetet e tjera perëndimore, anëtare të aleancës së popujve të lirë. Sot, kur ju po e

demonstroni këtë aleancë nëpërmjet ndëveprimit ushtarak, ju po ashtu po e vulosni

njëkohësisht edhe fatin tonë të përbashkët në shërbim të paqes e shpirtin tonë

liridashës e të vendosur. Ndërkohë që pjesëtarë tuaj,, si pjesë e po kësaj aleance, sot

janë pjesë e misioneve paqeruajtëse në vatra krizash.

Në fund, më lejoni t’ju drejtohem si një bijë e këtij vendi: për shërbimin tuaj sot ju do të

mbaheni në mend nesër e përgjithmonë . Prandaj, ndiejeni veten krenarë për atë që

keni bërë për vendin, sepse vendi do të mund të frymojë lirshëm duke jetuar me vlerën

e veprës suaj, ashtu sikur ju jetoni me vlerën e veprës së etërve tuaj e të etërve të

etërve tuaj. Ruajini miqësitë me botën e lirë e thellojini përditë ato, sepse kjo është

ndjenja që buron nga dëlirësia e shpirtit tonë të përbashkët. Flitjuni bijve e bijave tuaja

për aleancën me miqtë tanë dhe tregojuni miqve për bijtë e bijat tuaja, aleatët e tyre të

nesërm. Kultivojini miqësitë në shërbim të paqes e të lirisë dhe bëjeni paqen të

besueshme për të gjithë!

Zoti ju bekoftë!

Zoti i bekoftë forcat tona të armatosura!

Zoti e bekoftë Republikën tone dhe aleatët tonë !

Nderime atdheut!