Fjalimi i Presidentes Osmani në konferencën “Roli i grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë”

Shumë të nderuar të pranishëm,
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj,
I nderuar ministër i Brendshëm, z. Sveçla, 
E nderuar përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara, znj. Richardson, 
Shumë të nderuara përfaqësuese të institucioneve, në veçanti të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtare të policisë së Kosovës dhe të institucioneve të tjera të sigurisë!
Është kënaqësi që të jem sot bashkë me ju, dhe ju falënderoj për ftesën që së bashku ta shënojmë përvjetorin e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për  gratë, paqen dhe sigurinë. Sot jam këtu, në këtë konferencë tuajën mbi rolin e grave në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, pikërisht sepse jam e bindur se pa pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të grave nuk do të mund asnjëherë të garantojmë paqe dhe siguri të qëndrueshme.  

Vajzat dhe gratë jo vetëm që përbëjnë gjysmën e shoqërisë dhe si të tilla, janë bosht i rëndësishëm për krijimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të shoqërisë, përfshirë edhe rolin e tyre në promovimin e paqes, ruajtjen e sigurisë, si dhe në politikat e mbrojtjes. 

Prandaj, vlerësoj se sot, teksa flasim për këtë rol, duhet të kuptojmë se promovimi i fuqisë vendimmarrëse të grave në këtë sektorë strategjik, nënkupton edhe nivelin më të cilin ne mund ta masim zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, si dhe shënjon garanci të nevojshme për zbatim të parimeve e të vlerave tona demokratike, të garantuara së pari në kushtetutën e Republikës sonë dhe në ligjet tona, e pastaj që njihen si të zbatueshme edhe në Rezolutën 1325.

Duke qenë vetë një grua bartëse e përgjegjësive shtetërore edhe në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, besoj fuqishëm se fuqizimi i gruas në vendimmarrje në fushat që i përfshinë kjo rezolutë, nënkupton para së gjithash promovimin e mëtejmë të rolit të vajzave dhe grave në shoqëri, ngase fuqia e tyre në vendimmarrje është jo vetëm e dukshme, por në shumicën e rasteve është vendimtare dhe përcaktuese për orientim të politikave të drejta. 

Shumë të nderuar të pranishëm!

Edhe pse kemi ende jashtëzakonisht shumë punë, është evidente që Kosova ka shënuar përparim në sigurimin e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, por edhe në zbatimin e politikave të mbrojtjes dhe të sigurisë. Që nga Ligji për Barazi Gjinore, gjer tek Strategjia Kombëtare e Zhvillimit, e shumë e shumë dokumente e marrëveshje të tjera të hartuar më parë e që do të hartohen tash e tutje, rregullative në vendin tonë flet për mundësi të barabarta të vajzave dhe grave në shoqëri. Shpeshherë realiteti megjithatë është komplet i kundërt.  

Edhe pse përfaqësimi i gruas thuhet se është i garantuar në shumicën e institucioneve të vendit ato ballafaqohen me probleme të shumta, me diskriminim të llojllojshëm. Por, e them gjithnjë që nganjëherë është shoqëria ajo që po emancipohet edhe më shpejt se sa institucionet. Ishin qytetarët e Kosovës që me rezultatet e votës së tyre besuan që një grua mund të jetë Komandante e tyre supreme. Kur e besojnë një gjë të tillë, do të thotë që e besojnë gruan në çdo pozicion tjetër; në institucione te sigurisë e më gjerë sepse asnjë profesion nuk ka gjini sepse çdo profesion jo vetëm i përshtatshëm, por gratë aty edhe do të shkëlqejnë. 

Pra, gratë dhe vajzat sot i gjejmë kudo, edhe pse në numër shumë më të vogël se ato që e meritojnë, duke u nisur nga policia e në role udhëheqëse në ministri të linjës, në Inspektoratin Policor, në Agjencinë e Forenzikës, në Shërbimin Informativ, në Akademinë e Trajnimeve për Siguri Publike, në Gjykata, në Shërbimin Korrektues e mbi të gjitha në Forcën e Sigurisë së Kosovës ku na bëjnë krenar. 

Po ashtu, ato po e zhvillojnë mirëfilli profilin e ushtarakes e po shkëlqejnë në çdo mision e çdo angazhim brenda dhe jashtë vendit, të gatshme gjithnjë për t’i shërbyer atdheut të tyre me nder e trimëri, krahas ushtarakëve burra, por edhe për të marrë përgjegjësi të reja në strukturat komanduese të këtyre forcave dhe të për të qenë pjesë e operacioneve të cilat i zhvillojnë këto forca. Unë dua t’i përgëzoj të gjitha ato me në krye me Gjeneral Irfete Spahiun për krenarinë që po na e jepni dhe për sigurinë që na e krijoni. 

Por, nuk mund të vazhdoj tutje pa e përmendur që pjesëmarrja e vajzave në FSK vazhdon të jetë tejet e vogël. Sot, jo më shumë se 7-8 për qind e forcave tona i përbëjnë vajzat e gratë e vendit tonë. Edhe pse kjo është një sfidë në mbarë botën, jo vetëm tek ne në Kosovë, ne kemi nevojë të shohim një ndryshim jashtëzakonisht të shpejt në këtë drejtim. Jo sepse barazia gjinore tingëllon bukur, por sepse pjesëmarrja më e lartë e vajzave dhe grave në Forcat e Sigurisë, si tek ne e ashtu dhe në botë, është garantues për paqe të qëndrueshme dhe për siguri afatgjatë. Sfidat e ditëve tona sa vijnë e bëhen më komplekse dhe problemet nacionale si dhe ato globale kanë nevojë për qasje të balancuar, strategji të mirëmënduara, e politika gjithëpërfshirëse. Këto janë të mundura vetëm kur ne punojmë për të jetësuar barazi në përfaqësim gjinor në secilën fushë, e po ashtu edhe në fushën e mbrojtjes e sigurisë. Sepse t’i shërbesh vendit tënd, qoftë në FSK në polici apo në institucione tjera të sigurisë, është akti më fisnik dhe nderi më i madh në jetën e një njeriu.  Andaj, uroj që nisur nga kjo premisë dhe nga vullneti ynë i përbashkët për të përmirësuar vazhdueshëm mirëqenien e shoqërive tona, që pjesëmarrja e vajzave dhe grave do të pësojë rritje të vazhdueshme – e në këtë rrugëtim, ne do të jemi aty përgjithmonë!

Të dashura gra pjesëmarrëse!

Angazhimi i grave në historinë e shtetndërtimit të Kosovës dhe jetesës në një shtet të sigurt, në të cilin barazia dhe harmonia janë jetike për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, ka qenë tepër i rëndësishëm. Shumë pak flitet për rolin e grave në ndërtimin e lirisë dhe ndërtimin e shtetit tonë. Por, ai rol ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Megjithatë kjo nuk nënkupton se sfidat janë kapërcyer. Sot, gruaja në Kosovë siç e thash, ende përballet me sfida të shumta, nga krijimi i mundësive të pjesëmarrjes tek përfaqësimit aktiv i tyre në vendimmarrje. E, kjo sifdë e tyre përbën sfidë për gjithë shoqërinë tonë. 

Por, sikur dëshmon shembulli i gjithsecilës prej jush,  vendosmëria, përkushtimi, dija dhe këmbëngulja për të arritur në jetë shërben model për secilën të re që ta shohë veten në vendimmarrje, jo vetëm për jetën e saj, por edhe në jetën demokratike e dinamike të shtetit tonë. Ju jeni shembull i tejkalimit të sfidave, klisheve, luftimit të stigmës, si dhe i arritjeve në jetën profesionale, prandaj edhe ju e gëzoni gjithë respektin tonë.

Veçse, shembulli juaj duhet të shërbejë edhe si shtysë që të kujdesemi që zhvillimi profesional dhe arritjet në karrierë të mundësohen në mënyrë të barabartë për secilin qytetar të vendit tonë dhe që konkurrueshmëria të trajtohet jashtë klisheve dhe politikave abuzuese kundër njërës gjini. 

Si presidente e vendit, dua t’ju siguroj se do të vazhdoj ta përkrah çdo iniciativë e çdo përpjekje që ka për synim fuqizimin e mëtejmë të pozitës së gruas në shoqëri, në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e saj në vendimmarrjen politike dhe në institucionet e sigurisë si dhe dhënien e një roli më të fuqishëm në çdo fushë tjetër duke siguruar rritjen e pranisë së tyre në aktivitetet publike. 

Ky është angazhimi ynë i përditshëm bashkë me qeverinë, me institucionet, por edhe me shoqërinë civile, me organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të grave, në drejtim të krijimit të mekanizmave të nevojshëm që i shmangin barrierat që e pamundësojnë angazhimin profesional e politik të grave. 

Shoqëria jonë duhet të vazhdojë t’i trajtojë sfidat që burojnë nga garantimi i sigurisë dhe respektimi i të drejtave të grave. Qoftë dhuna në familje apo pasojat dhe mungesa e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe mbrojtja e përgjithshme e të drejtave të tyre, mbulojnë më shumë sesa thjesht çështje pronësore dhe trashëgimore ose çështje të kuotave. Garantimi që gratë dhe vajzat të mbrohen dhe të kenë qasje të barabartë në drejtësi është një detyrim jetik për zhvillimin e një shoqërie dhe një shteti.

Përfundimisht, po bëhet gjithnjë e më urgjente nevoja që të forcojmë angazhimin tonë drejt zbatimit të plotë të Rezolutës 1325. Punën më të mirë në këtë drejtim e bëjmë vetëm përmes bashkërendimit, bashkëpunimit e koordinimit të vazhdueshëm. Prandaj, dyert e Presidencës do të jenë gjithnjë të hapura për bashkëpunim në këtë drejtim. Sepse jam e bindur që tani është koha për politika dhe angazhim transformues për garantimin e barazisë gjinore dhe realizimin e objektivave të Rezolutës 1325. Andaj, për të diskutuar edhe më gjerësisht se si do ia bëjmë tutje – shumë shpejt do kem kënaqësinë t’ju ftoj e t’ju takoj në Samitin e për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që vitin tjetër do ta organizojmë për herë të parë në Kosovë dhe do të përfshijë mysafirë jo vetëm nga Kosova, por nga mbarë bota dhe së bashku do ta shndërrojmë, shpresoj shumë, me bashkëpunimin dhe mbështetjen e gjithsecilit prej jush, do ta shndërrojmë vendin tonë në një shembull për ngritjen dhe barazinë e grave në çdo sektor e në veçanti në paqe dhe siguri. Duke ju falënderuar të gjithëve për bashkëpunimin e deritanishëm, shpresoj që edhe në rekrutimin e ardhshëm brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës të kemi sa më shumë vajza e gra në mënyrë që sikurse na keni bërë krenare secila prej jush deri tani, të i bashkohen kësaj përpjekje edhe ato! 

Ju faleminderit!