Fjalimi i Presidentes Osmani në akademinë solemne me rastin e 111-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës

I nderuar ipeshkv i Kosovës, shkëlqesia juaj, imzot Dodë Gjergji! 

I nderuar vikar i Përgjithshëm, biografi më i shquar i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji

Të nderuar pjesëmarrës!

Është nder i madh për mua që sot, në ditëlindjen e 111-të të nënës sonë, Shën Terezës, të ndaj me ju kujtimin për jetën e saj, si dhe dashurinë për personalitetin e saj. Nënë Tereza, Anjeza jonë e dashur, e pagëzuar Gonxhe, është simbol i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj njerëzimit (sidomos ndaj atyre që kishin më së shumti nevojë), por edhe ndaj Zotit. Ajo e lidhi përkushtimin ndaj njeriut me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën ia dhuroi njerëzimit.

Për ne, si bashkëkombës të saj, Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, ngase në kohën e izolimit të madh e të mosnjohjes së madhe të vlerave e të traditave shqiptare, për shkak të vetizolimit komunist në Shqipëri, ose represionit etnik në Kosovë, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Duke e theksuar përkatësinë e saj etnike, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, si dhe duke e nënvizuar atdheun e saj, sikur e quante ajo, “të vogël, të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës, në Ballkanin e përhumbur.

Pra, Nënë Tereza paraqet njërin ndër personalitet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të cilin populli ynë ia fali njerëzimit. Ajo i shpalosi vlerat më të mira të popullit të saj: dashurinë për njerëzit, përvujtëninë dhe përkushtimin ndaj vlerave njerëzore. Ne, bashkëkombësit e saj, jemi krenarë që kjo bijë jona ia shpalosi botës vlerat e kombit tonë dhe i shndërroi ato në vlera të njerëzimit.

Prandaj, në ditët sikur kjo, por edhe në secilën ditë të jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Si institucione dhe si njerëz të politikës por edhe si bashkëkombas të saj ne duhet ta përbrendësojmë dashurinë e Nënë Terezës për njerëzit dhe t’i theksojmë pa pra porositë e saj peqedashëse e humane, sikur bënte presidenti ynë historik, dr. Rugova, në vitet ’90, duke e humanizuar të bërit politikë, sipas modelit human të Nënë Terezës.

Si grua ndërkaq, jam krenare që edhe vajzat në Kosovë do të mund ta shohin shembullin e gruas shqiptare të quajtur Anjeza Bojaxhiu – Nënë Tereza, e qetë por e vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifirkojë për të tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me fjalë të ëmbla por edhe me vepra konkrete, sikur thoshte ajo, “të vogla, por me dashuri të madhe”.

Prandaj, ne mund dhe duhet të mësojmë çdo ditë nga dashuria e saj për njerëzit. T’u gjendemi pranë të vuajturve. T’u gjendemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë. Nuk mund t’ua mbyllim derën të varfërve, sikur nënë Dranja nuk ua mbyllte asnjëherë atë, teksa i ofronte në sofrën e familjes së saj, sikur të ish e tyrja. Dhe ne nuk do ta mbyllim asnjëherë derën për të gjithë miqtë tanë – sipas traditës – ajo është gjithnjë e hapur. Sepse, siç thoshte Presidenti ynë historik, Shtëpia jonë është edhe e mikut.

Zoti e bekoftë Shën Terezën!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Faleminderit!