Fjalimi i Presidentes Osmani në Akademinë Përkujtimore me rastin e 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut

Të nderuar qytetarë të Reçakut e të Shtimes,   
I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Konjufca,
I nderuar kryeministër Kurti,
Shumë i nderuar Ambasador Walker,
I nderuar kryetar Aliu,
Zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, zotëri ish-president,
Të nderuar shkëlqësi ambasadorë që jeni sot në mesin tonë,
Shumë të nderuara familje të viktimave të masakrës së Reçakut,
Të nderuara familje të dëshmorëve, të martirëve,
Të nderuar të mbijetuar që jeni sot sërish në mesin tonë,
Të dashur të pranishëm,

Jemi mbledhur sot që sërish të kujtojmë krimet monstruoze të 15 janarit të vitit 1999 në Reçak, të cilat shërbyen si një moment i kthesës historike, jo vetëm ngase aty mizoria e regjimit të Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore, por edhe ngaqë shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht.

Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse demokratike të mobilizoheshin për ta mbrojtur një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal, por edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor nuk mund të dorëzohej para hegjemonive, prandaj Kosova duhej të ndihmohej e të mbrohej.

Reçaku dëshmoi se Kosova ishte edhe sfida e përballjes së botës demokratike me këtë dilemë: a do të dorëzohej një qytetërim i tërë para një barbarie, apo do të vepronte në mbrojtje të vlerave të veta, duke e mbrojtur një popull të shtypur, që rrezikonte të shfarosej nga një regjim që kishte qëllime të pastra gjenocidale.

Ky moment kthese lidhej edhe me një emër e një njeri, i cili, kishte marrë përsipër të udhëhiqte misionin vëzhgues në Kosovë: Ambasadori William Walker, i cili edhe sot, njësoj sikurse në vitin 1999 e çdo vit pas tij është këtu bashkë me banorët e Reçakut, bashkë me familjen e bashkë me gjithë Kosovën.

Krimet e kryera këtu në Reçak, njëzetë e katër vjet më parë, kur civilë shqiptarë u shuan mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb, i dëshmuan botës për tragjedinë të cilën po e përjetonin shqiptarët, por e bën të pashmangshme edhe ndërhyrjen e botës demokratike për ta ndalur këtë makineri vrastare.

Kodra e Bebushit, siç njihet nga banorët lokalë, por edhe i gjithë Reçaku, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane. Por, të masakruarit mbase do të vriteshin për së dyti, nga proparaganda e makinerisë e gënjeshtrës informative, të cilën asokohe e udhëhiqte Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuciq sikur shefi i verifikuesve të OSBE-së, Ambasadori Walker, i cili doli në vendngjarje, të mos kishte lëshuar kushtrimin gjithandej botës pa asnjë hezitim të vetëm, duke e cilësuar me të drejtë këtë ngjarje si një krim të rëndë kundër njerëzimit.

“Nga ajo që pashë, nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time", deklaronte atëbotë Ambasadori Walker.

Kjo frazë e tij mbeti përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve, por u shndërrua po ashtu në jehonë të cilën bota demokratike e dëgjoi të kumbonte gjithandej. Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat, ambasadori Walker u shndërrua në zërin e viktimave dhe në zërin e gjithë Kosovës në kohët më të rënda në historinë tonë. Kushtrimi i lëshuar prej tij ia dëshmoi botës jo vetëm të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë, por edhe mizorinë e regjimit të Millosheviçit, i cili duhej të ndalej nga të gjithë ata që besonin në vlerat e lirisë e të demokracisë.

Të nderuar të pranishëm,
Të dashur familjarë e të mbijetuar,

Sot, kur i kujtojmë me dhembje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës ua këputi jetën vetëm e vetëm pse ata ishin shqiptarë, pse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha të viktimat gjithandej Kosovës bëhet synimi ynë më i rëndësishëm. Sepse, historia e gjithsecilit prej tyre është historia e vet Kosovës, vendit që u ngrit mbi dhembjen, trishtimin për humbjen e njerëzve tanë, të cilët prehen në varrezat e Reçakut e në shumë e shumë varreza të tjera gjithandej Kosovës. Ata thërrasin për drejtësi sot e kurdoherë. Ata trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit prej nesh, duke kërkuar që të bëjmë edhe më shumë për drejtësi për ta, por edhe për gjetjen e mbi 1600 të dashurve tanë të zhdukur me dhunë, të cilët Serbia e ministrit të atëhershëm të Informimit e presidentit të sotshëm, i mban ende peng, duke dëshmuar se asnjëherë nuk ka ndryshuar as mendësi e as qëllim. Prandaj, të mos harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri. Secili prej tyre dëshmon për tmerrin e përgjithshëm që e përjetuan shqiptarët për shkak të hegjemonisë së një regjimi vrastar e diktatorial. Këto tmerre  janë dëshmia për rrugën e kaluar, por edhe drita udhërrëfyese për ne për rrugën që duhet ndjekur përpara, që është zhvillimi e forcimi i shtetit tonë e integrimi i tij në strukturat euroatlantike së bashku me vendet demokratike që na qëndruan pranë në kohët më të rënda në mënyrë që të punojmë që të gjithë bashkë që histori të tilla tmerri mos të ndodhin kurrë më në asnjë vend të botës.

Pavarësisht se dikush mund të mos kuptojë plotësisht kur ne e ngremë fort zërin për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse duhet ta kujtojmë e ta dëshmojmë vazhdimisht të vërtetën, duhet ta themi zëshëm atë, këtu e kudo tjetër në botë. Sidomos kur përballemi me aq shumë tendenca për ndryshim e falsifikim të historisë.

Prandaj, si popull që sakrifikuam gjithçka për lirinë tonë, sot duhet të luftojmë për kujtesë e kundër harresës, gjithnjë duke shikuar drejt së ardhmes. Të kthehemi në Reçak e në çdo vend tjetër ku barbaria serbe la gjurmë tmerri e gjenocidi, ta themi me zë të lartë se këtu kanë ndodhur krime kundër njerëzimit, siç e ka thënë ambasadori Walker në vitin ‘99, ta dëshmojmë të vërtetën e Reçakut e të gjithë Kosovës, sepse vetëm e vetëm e vërteta ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në paqe të qëndrueshme e afatgjatë. Ta ruajmë përkushtimin tonë për lirinë, të cilin e dëshmuan vajzat e djemtë e UCK-së, ta kultivojmë këtë ndjenjë lirie, të bëjmë gjithçka që paqja të mbretërojë në vend e në gjithë rajonin tonë, por gjithnjë duke u bazuar në të vërtetën e duke luftuar mashtrimin. Duke qenë të gjithë dëshmitarë e viktima të një regjimi gjenocidal, populli i Kosovës e kupton më thellë se kushdo tjetër vlerën e kujtesës. Prandaj, do ta ngremë zërin kundër gjenocidit gjithandej nëpër botë ashtu siç po bëjmë edhe sot. Reçaku është dhimbja jonë e përhershme, por edhe nevoja për ta ruajtur paqen dhe dinjitetin njerëzor. Nga këtu filloi të marrë formë liria jonë.

Qoftë i paharruar kujtimi për të rënët në Reçak!