Fjalimi i Presidentes Osmani në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Konjufca
I nderuar kryeministër, z. Kurti
E nderuar zv.kryeministre Gërvalla
E nderuar familje Gërvalla
E nderuar familje Zeka
Të nderuar deputetë e ministra të pranishëm dhe ju miq të shumtë të këtyre dy familjeve të heronjve tanë kombëtar
Të nderuar të pranishëm
 
Secila kohë i ka heronjtë e vetë dhe secili popull u falet atyre. Heronjtë janë njerëz të zakonshëm që dëshmojnë trimëri e maturi të jashtëzakonshme në periudha të rënduara, të pasigurta e kërcënuese.

Ata nuk bëjnë përllogaritje e kalkulime, por zgjedhin të luftojnë për idealet më të larta dhe për mbi çdo interes personal.

Ata nuk krijohen rastësisht, ngase rruga që zgjedhin nuk është e rastësishme. Rruga e tyre ka qëllim, e qëllimi është kauza.

Të tillë ishin Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.  

Dyzetë vjet më parë, aktiviteti patriotik i tyre u ndal dhunshëm në një atentat në Untergrupenbah të Gjermanisë, por ata inspiruan shumë të tjerë pas tyre, e vazhdojnë të inspirojnë edhe sot. 

Të tre heronjtë tanë u vranë nga UDB-ja e Serbisë, e kësisoj iu pre rruga një uragani përbashkues, treshes e cila brengën për atdheun e mori me vete.

Sot ndihem krenare që jam para jush në këtë përvjetor kujtimi për këta heronj që idenë e lirisë dhe të shtetit e kishin projektuar qëmoti.

Sot përkulemi para tyre dhe jemi falënderues që kauza e tyre sot është realitet.

Jemi krenar për këtë brez të heronjve, kauza e të cilëve vazhdoi ndër breza dhe u kurorëzua me shtetin e pavarur, me Republikën tonë më 17 shkurt 2008.

Jusufi, Bardhoshi e Kadriu ishin kalitur me idenë e Kosovës Republikë. Prandaj, më  1981, Jusufi fliste qartë për realizimin e saj.

“Populli është i pagabueshëm”, thoshte ai.  “Unë, ti, ai tjetri edhe mund të gabojmë, kurse populli që po tregohet kaq i durueshëm për realizimin e kërkesës që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës, pa kurrfarë dyshimi se do të dijë se deri ku shtrihen kufijtë e durimit për fitimin e statusit të Republikës”, kishte deklaruar në njërin nga fjalimet e tij.

Jusufi, Bardhoshi e Kadriu mbesin njerëz të sakrificës, rezistencës dhe vizionit për të ardhmen e atdheut që shumë e deshtën.

Duke kombinuar aktivitetin e tyre patriotik edhe me atë kulturor në rastin e Jusufit, ata u bënë referencë e kohës për angazhimin, përkushtimin dhe këmbënguljen për idenë e Kosovës shtet.

“Puna dhe vepra e tyre na e lanë lirinë e cila na duhet si buka dhe fryma e Zotit, e këtë diti ta bëjë Jusuf Gërvalla. Ata trasuan rrugën e lirisë, ndërkaq krenaria për ta e shembulli i tyre do të përcillet ndër breza”, kishte thënë presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova kur eshtrat e heronjve u sollën në Kosovë. 

Prandaj, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu janë konsistentë dhe ju kanë mbijetuar shumë situatave dhe shumë zhvillimeve.

Jo rastësisht, heronjtë tanë kishin kombinuar në mënyrë perfekte aktivitetin kulturor me atë patriotik.

Si patriotë, ata e kishin të qartë se liria nuk është koncept vetëm individual, prandaj më tërë qenien e tyre u përpoqën gjatë gjithë viteve të veprimtarisë ta përmbushin synimin  për liri kombëtare, për të cilën nuk ka çmim, dhe për të cilën paguajtën me çmimin e jetës. 

Në një letërkëmbim me shokët e burgut, Jusufi dëshmon se besimin në lirinë e kishin që të tre të përbrendësuar, prandaj edhe ai nuk hezitonte asnjëherë që ta shpërfaqte.  

“E ardhmja është e jona. Liria po vjen…”, thoshte ai.
 
Sot teksa kujtojmë Jusufin, Bardhoshin e Kadriun, kemi mundësinë të reflektojmë për rrugën e zorshme, të cilën e ka kaluar populli ynë deri në bërjen e shtetit.

Kjo rrugë ishte e mundimshme, por edhe e lavdishme. Këta njerëz janë kryengritës, heronj, por edhe frymëzues, kauza e të cilëve ishte e qartë, pra  krijimi i shtetit tonë.

Fati i Jusufit, Bardhoshit e Kadriut është i bashkëdyzuar me atë të Kosovës. Ata u detyruan ta braktisin Kosovën, porse duke pas në mendje gjithnjë vendin, të cilit i mungonte liria.

Këtë vit ne kujtojmë 40 vjetorin e vrasjes së tyre, uraganin patriotik e kulturor të të cilëve e ndërpreu atentati, duke lënë pas emra domethënës, kuptimi i të cilëve mbushet në çdo përvjetor.

Ndoshta të tre heronjtë nuk e kanë imagjinuar kurrë se do të iknin prej kësaj bote në ditën e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, i cili ishte frymëzim i pandalshëm i tyre, por edhe i yni.

Vrasja e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut ishte goditje e madhe për aktivitetin edhe të mërgatës sonë, e cila që prej asaj kohe nuk ka ndaluar asnjë çast që t`i shërbej atdheut në të gjitha mënyrat e mundshme.

Jusufi, Bardhoshi e Kadriu janë dëshmi e kontributit të çmuar që ka dhënë kjo mërgatë për shtetin tonë. 

Të tre heronjtë u shuan me mallin për Kosovën. Jusufi në një letër drejtuar nënës Ajshe, më 1980, citonte fjalët e saj që ua kishte thënë qysh në fëmijëri: Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Kush u mundue për nder, nder ka gjetë!”

Jusufi, Bardhoshi e Kadriu ecën pikërisht në këtë rrugë, rrugën e nderës, e zorshme, por edhe e kollajshme, e kollajshme sepse ata gjithsecili i qëndruan besnik nderit.

E në letrën e tij, ai e inkurajon nënën Ajshe, që mos të dorëzohet.

“Ma në fund, thotë ai, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue atëherë kur kanë kukatë qyqet”, i shkruan ai nënës së tij.

E pikërisht nëna, shtëpia dhe vendlindja, janë ato të cilave u falen heronjtë, siç thuhet në vargjet e poezisë “Do të kthehem”:
 
Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babit tënd
Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim
 
Ne sot e përjetë do ta nderojmë kujtimin për të, për Bardhoshin e Kadri Zekën, sepse ata e meritojnë, sepse shteti ynë e mbanë vulën e tyre.
Njerëzit si ta njëherë hyjnë në histori në mënyrë meritore dhe mbeten përjetësisht aty!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Jusufin e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!