Fjala e Presidentes Osmani në shënimin e një vjetorit të themelimit të Rrjetit Strategjik për Politika Gjinore nga NDI

I nderuar Kryeministër Kurti,


E nderuara ish-presidente Jahjaga,


E nderuar ambasadore Soderberg,


Të nderuar ministra, kryetarë të partive politike, nënkryetare të partive politike në vend,


Të nderuar anëtarë të Rrjetit Strategjik për Politika Gjinore,


Zonja dhe zotërinj që jeni sot prezent, dhe deputetë që po i shoh prezent po ashtu, 


Faleminderit për ftesën për këtë ngjarje sot! 


Por, mbi të gjitha, faleminderit për punën por edhe për faktin se si rrallë herë keni arritur ta konsolidoni një kërkesë, e cila shkon përtej dallimeve eventuale që mund t’i kenë anëtarët në këtë Rrjet e që e ka një qëllim të jashtëzakonshëm e shumë të rëndësishëm: pra garantimin dhe avancimin e barazisë gjinore në vend. Fakti që kjo është një kërkesë unanime e të gjithë  përfaqësuesëve të institucioneve qendrore e lokale, përfaqësuesve të partive politike, të shoqërisë civile,  të akademisë, të komunitetit shumicë e jo shumicë flet më shumë se çdo fjalë se çdo fjalë tjetër.


Përpara se të vazhdoj tutje, dua ta falënderoj NDI-në për këtë nismë si dhe për faktin që ndër vite luan një rol shumë të rëndësishëm në fuqizimin e grave në politikë e sidomos në pozita udhëheqëse e vendimmarrëse në vend, duke kontribuar gjithnjë drejt zhvillimit të një mjedisi politik më të barabartë, më gjithëpërfshirës e akoma më produktiv. 


Barazia gjinore në politikë e në vendimmarrje është parakusht për politikbërje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Barazia gjinore në fakt është sinonim i zhvillimit dhe i përparimit të një vendi. Nisur nga kjo premisë, një prej zotimeve kryesore tona në kuadër të Samitit për Demokraci të Presidentit Biden ka të bëjë pikërisht me harmonizimin e ligjeve të Republikës së Kosovës me Ligjin për barazi gjinore. 

                      

Barazia gjinore pra është e domosdoshme në punën tonë të përditshme, është e domosdoshme në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Prandaj, edhe kemi filluar punën për harmonizimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, Ligjit për Zgjedhje Lokale, Ligjin për Financimin e Partive Politike të gjithë këto me Ligjin për Barazi Gjinore, duke synuar barazi në lista të kandidatëve, rritje të nivelit të përfaqësimit të grave në politikë, po ashtu edhe në strukturat udhëheqëse të partive politike, përfundimisht, rritjen e numrit të grave në pozita vendimmarrëse e udhëheqëse si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror. Por, puna për përafrimin e këtyre ligjeve për barazi gjinore do të shkojë shumë më përtej se sa ligjet që sapo i përmenda. 


Sot, pak orë më parë, në fakt grupi punues për barazi gjinore që funksionon në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në kuadër të Presidencës– ka punuar në njërën nga zotimet tashmë të përmbushura të këtij Samiti, pra mbajti takimin e parë në cilësi zyrtare pikërisht për të filluar me hartimin e këtyre amendamenteve. 


Ne jemi të vetëdijshëm që rruga përpara është e gjatë, por jemi po kaq të vetëdijshëm që kur flasim për barazi gjinore nuk ka dhe nuk duhet të ketë një narrativë alternative. Barazia gjinore është gjëja më e duhur dhe veprimi më i mençur i çdo shoqërie, po ashtu sidomos për shoqërinë e ditëve tona, por edhe për të ardhmen tonë. 


Përderisa punojmë për konkretizim të fjalëve në vepra, kemi nevojë për mbështetjen, njohurinë, profesionalizmin dhe angazhimin e secilës e secilit nga ju. Sa më gjithëpërfshirëse që do të jetë puna përgatitore, aq më të larta do të jenë edhe gjasat për suksese në arritjen e synimeve tona të përbashkëta. 


Ajo çfarë po synojmë në vijim nuk ka të bëjë me avancimin e pozitës së një gruaje apo të një grupi të grave në shoqërinë tonë, por me garantimin e një jete më të mirë për të gjitha gratë anë e mbanë Kosovës. E kushdo që sot nuk e kupton qartë rëndësinë e angazhimit në këtë drejtim, i bie që nuk arrin ta shoh qartë potencialin e pafund të shoqërisë sonë, sidomos të grave në shoqërinë tonë dhe aftësinë transformuese që mund ta kemi kur punojmë të bashkuar, kur gratë dhe burrat janë të barabartë. 


Është ndjenjë e jashtëzakonshme të përfaqësosh Kosovën në arenën ndërkombëtare e të shohësh se si ata që besojnë në barazinë gjinore e shohin me admirim shembullin që Kosova e ka dhënë si demokraci e re me shumë e shumë shembuj në nivel qendror. 


Por, përderisa kemi një përfaqësim më dinjitoz e më të barabartë në nivel qendror; përderisa shohim një pjesëmarrje të shtuar të grave në struktura udhëheqëse të partive, ne kemi akoma shumë punë për të bërë për të pasur një përfaqësim akoma më të barabartë sidomos në nivelin lokal, por edhe në sektorë të rëndësishëm siç është ai i mbrojtjes dhe i sigurisë, e sektorë të tjerë të cilët fatkeqësisht tradicionalisht janë dominuar nga burrat.


Për këtë arsye, në tetor të këtij viti, do të organizojmë në Prishtinë, Forumin e Parë Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ne kemi kaq shumë për të mësuar nga të tjerët, por po ashtu kemi shumë për t’i treguar botës. Ne kemi një mundësi të artë për t`i motivuar gratë dhe vajzat në Kosovë, por edhe përtej Kosovës për angazhim dhe aktivizim në udhëheqjen e menaxhimin e proceseve relevante e jetike në vendin tonë dhe më gjerë.


Ajo çfarë mund të themi sot me shumë bindje është që partitë që kanë mbështetur avancimin e grave në strukturat e tyre e kanë kuptuar tashmë gabimet e bëra në të kaluarën ndër vite kur pjesëmarrja e grave ishte e zbehtë. 


Shumica e partive në vend e kanë kuptuar për fat të mirë se pjesëmarrja e barabartë e grave në struktura udhëheqëse do të thotë një shans i shtuar për sukses, për punë efektive, për udhëheqje e për përfaqësim dinjitoz të vendit.


Gloria Stajnëm, njëra nga feministet më të dalluara të ditëve tona, ka thënë: “Nëse nuk je feministe, burrë apo grua, atëherë po e shikon botën me një sy hapur”. Është koha e duhur t’i hapim të dy sytë: t’i hapim mirë e të shohim qartë! 


Jam e bindur që ditët përpara do të jenë më të mira. Shoh në mesin tuaj shumë feministe e feminist, aktiviste e aktivistë, profesionistë të shumtë– shoh individ që besojnë, por edhe punojnë fortë për garantimin e barazisë gjinore në çdo hap e sferë të jetës sonë.


Tani na mbetet t’i bashkojmë forcat e të bëjmë më të mirën që dimë dhe mundemi. Prandaj, besoj fuqishëm që synimet e bashkuara e të koordinuara mirë kanë gjithnjë potencial për ndryshim transformues në shoqërinë tonë. 


Ju ftoj që sot të bashkëpunoni edhe me Grupin për Barazi Gjinore në kuadër të Këshillit për Demokraci e me institucionet tjera relevante në vend për ta jetësuar synimin i cili na bashkon për të drejta e mundësi të barabarta për gra dhe burra në çdo sektor, si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror, në sektor publik apo privat, në çdo ligj e çdo veprim tonin.


Ju faleminderit!