Fjala e Presidentes Osmani në pritjen e organizuar nga ambasada e Shqipërisë me rastin e 28 nëntorit

Shumë të nderuar të pranishëm,
I nderuar ambasador Minxhozi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, z. kryetar i Kuvendit, z. Konjufca!
z. kryeministër, z. Albin Kurti!
Të nderuar ambasadorë!
Përfaqësues të gjitha institucioneve në vend!
Deputetë!
Përfaqësues të klerit fetar!
Përfaqësues të mediave!
Të nderuar mysafirë!

Urime Dita e Flamurit që të gjithëve nga thellësia e zemrës. Është një festë që gjithnjë na bën bashkë, dhe festë në të cilën krenohen shqiptarët kudo që janë, pavarësisht a jemi në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi apo në vende të tjera ku jetojnë bashkëatdhetarët tanë.

Nëntori në kalendarin tonë kombëtar të festave është muaj i shënjuar me të drejtë. Sepse, secili prej nesh, më 28 Nëntor ndihet krenar nga ky flamur, i cili është një rrëfimtar, një rrëfimtar jo vetëm i historisë sonë, por rrëfimtar edhe i të ardhmes sonë të ndritshme.

Është flamuri që na bën krenar të gjithë shqiptarëve kudo që jemi dhe para të cilit përkulemi, sepse është sakrifikuar shumë për të. Flamuri kuq e zi është simbol i qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për liri, frymëzim i vazhdueshëm edhe për lirinë e Republikës së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuan shumë burra e gra me mund dhe sakrifica.

Historia jonë vërtetë është e dhimbshme, sfiduese, por edhe e ndritshme e krenare. Në njërën anë, derisa Shqipëria ndër vite sfidohej dhe përpiqej të konsolidohej si shtet, Kosova vazhdonte përpjekjen e saj për liri e pavarësi.

E sot, që të dyja, krah për krah njëra-tjetrës si shtete sovrane e të pavarura po ecin drejt procesit të integrimit evropian.

Shumë gra e burra patriotë sikurse Ismail Qemajli, Isa Boletini nuk reshtën së punuari që  Shqipëria të ”bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”, siç thuhet në Deklaratën e Pavarësisë të 28 Nëntorit të vitit 1912.

Sot jemi këtu tok, shqiptarë nga Shqipëria, shqiptarë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi dhe vende të tjera, për të ngre dolli në 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për ta parë njëri-tjetrin, për të komunikuar, për t`u arsimuar, për të shkëmbyer ide, për të shkëmbyer edhe mallra, veprimtari kulturore e sportive, sepse këtë bashkëpunim pa pengesa e kërkojnë qytetarët tanë.

Sot, jemi këtu, sepse duam ta përçojmë një mesazh: atë të frymës integruese, të lehtësimit të mëtejmë të jetës së qytetarëve këtu e atje, të heqjes së barrierave çfarëdoqofshin ato dhe të afirmimit të frymës evropiane e cila na bashkon.

Jemi këtu, sepse na bën bashkë jo vetëm Dita e Flamurit! Kjo datë ka shumë më shumë peshë historike, sepse siç u përmend edhe më herët përveç 28 nëntorit të Skënderbeut, ne sot këtu shënojmë edhe 28 nëntorin si ditëlindje të komandantit legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të gjitha këto ngjarje i japin kuptim shumë më të madh nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, dhe idealin e brezave të shumtë.

Të nderuar pranishëm!

Në këtë përvjetor të Ditës së Flamurit, ndjehem krenare që Shqipëria dhe Kosova, përkundër sfidave po ecin me hapa të sigurt drejt perspektivës evropiane.

Uroj dhe gëzohem që Shqipëria e Kosova të kenë sukses në të gjitha fushat e interesit të përbashkët! Kosova, natyrisht që do të vazhdojë të jetë krah i Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar edhe më tej lidhjet tona vëllazërore e strategjike!

Ne kemi një synim të përbashkët. Ky synim e ka emrin e Bashkimit Evropian. Ne duhet të demonstrojmë vullnet dhe kurajo që dita kur ne do të takohemi në BE mos te jetë e largët. Rruga është e vështirë, por sikurse që u realizua ëndrra e brezave për shtetet tona të lira, e të pavarura, njësoj do të vijë dita kur ne do të ulemi në një tryezë të përbashkët në Bashkimin Evropian.

Deri atëherë, të punojmë me nder e me përkushtim andej e këndej Drinit, t’i fuqizojmë shtetet tona në të gjitha fushat, e t’i largojmë të gjitha barrierat e bashkëpunimit. Të shërbejmë me dinjitet dhe dashuri në funksion të avancimit të shteteve tona, ku qytetarët do të ndjehen krenar dhe do të jenë konkurrentë në tregun evropian të punës, të lirë, të denjë e të barabartë!

Gëzuar Dita e Flamurit, gëzuar dita e Pavarësisë së Shqipërisë!

Zoti e bekoftë Republikën e  Shqipërisë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë ata !