Fjala e Presidentes Osmani në manifestimin e shënimit të 110 vjetorit të Kuvendit të Junikut

Junik, 23 maj 2022 - Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, është mbajtur manifestimi për shënimin e 110 vjetorit të Kuvendit të Junikut, ku të pranishëm ishin Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu dhe shumë personalitete të jetës politike e kulturore në vend. 

Në vijim gjeni të plotë fjalën e Presidentes Osmani, mbajtur me këtë rast: 

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, miku ynë i madh z. Ilir Meta!

I nderuar kryetar i Junikut, zoti  Shehu!

Të nderuar përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, të heronjve, invalid të luftës të Ushtrisë sonë çlirimtare, 

Të nderuar deputetë, ministra, 

Qytetarë të dashur të Junikut, të Kosovës e të Shqipërisë
Është kënaqësi e madhe që brenda harkut kohor prej dy vjetësh të mund të rikthehem në qytetin tuaj të bukur, për të shënuar së bashku me ju njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, Kuvendin e Junikut. Kjo kënaqësi bëhet edhe më e madhe ngase sivjet vijmë këtu për të shënuar një jubile të rëndësishëm të këtij kuvendi, pra 110-vjetorin e tij. Aq më tepër që, këtë përvjetor po e shënojmë si në kohën e Kuvendit, me përfaqësues të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Lugina e Preshevës e natyrisht edhe nga Republika e Kosovës këtu në Junik. 

Të dashur qytetarë të Junikut!

Në historinë e popujve të lashtë, sikurse ky yni, ekzistenca e të cilëve matet me mijëvjeçarë, 110 vjet histori nuk janë edhe shumë. Por, në historitë mijëvjeçare të popujve janë disa ngjarje të cilat gjithmonë bartin mesazh frymëzues, ngase arrijnë që copëzat e historisë t’i ndërlidhin në harkun e ambicieve të tyre. Kuvendi i Junikut, i mbajtur më 21-25 maj 1912, në kohën e vlimeve të mëdha dhe përpjekjeve të pafundme të popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe synimet grabitqare të fqinjëve shënon jo vetëm ngjarje të rëndësishme historike, por edhe shembull të artikulimit të qartë politik të kërkesave të popullit tonë për liri, duke i artikuluar ato në një platformë të pastër kombëtare, e cila përfshiu tri dimensione të rëndësishme: atë nacionale, politike dhe ushtarake.

Prandaj, sot kur po e shënojmë bashkërisht 110-vjetorin e këtij kuvendi është koha t’i rikujtojmë me pietet pjesëmarrësit e tij  dhe t’u përulemi për vizionin e tyre atdhetar, thellësinë e mendimit dhe urtinë e veprimit, t’i falënderojmë ata për orientimin e pastër kombëtar dhe platformën politike që e krijuan. Ajo qe një gurë me peshë në përpjekjen për pavarësi të trojeve shqiptare. 

Të nderuar pjesëmarrës!

Kuvendi i Junikut u mbajt në një moment vendimtar të historisë së popullit shqiptar dhe u dha krahë përpjekjeve të tij për mëvetësim. Prandaj, ai hyn në rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, duke qenë se ofroi platformë të qartë për lirinë e tij. Në mënyrë të mahnitshme, më 21-25 maj të vitit të pavarësisë, përfaqësues trevash të ndryshme shqiptare, të vilajeteve të atëhershme, u mblodhën bashkë, në këtë vend të qëndresës historike, të cilën e simbolizojnë sot kullat e gurta, kaq të bukura, të cilat ju po i ruani me kujdes, për ta hartuar platformën e parë nacionale për Shqipërinë e mosvarme. 

Të prirë nga ideologu i çështjes shqiptare, Hasan Prishtina, dhe të përkrahur nga më shumë se 250 delegatët e trevave shqiptare, përfaqësues të vilajeteve e sanxhaqeve shqiptare si Shkodra e Elbasani, Kuvendi i Junikut paraqet platformë të fuqishme politike, ushtarake dhe kulturore për jetësimin e shtetit të pavarur shqiptar. Ai u dha shtysë të jashtëzakonshme përpjekjeve për çlirim kombëtar.  Kuvendi i fuqizoi këto përpjekje në disa dimensione: 

Së pari, kuvendi luajti rol të jashtëzakonshëm në bashkërendimin e përpjekjeve të popullit shqiptar  për organizimin e kryengritjes ushtarake në shkallë kombëtare. Thirrja e bërë popullit shqiptar për t’u bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar ishte vendimtare për të qendërzuar e përbashkuar përpjekjet për liri. Ai krijoi një komitet të vetëm, i cili pastaj do ta drejtonte luftën. Vetë Kuvendi arriti që të bënte të qartë se vetëdija kombëtare ishte ngritur në nivel të lartë dhe se çfarëdo përpjekje për ta zbehur vendosmërinë e shqiptarëve për liri vetëm do ta homogjenizonte edhe më shumë atë.   

Porse, Kuvendi i Junikut nuk i përbashkoi vetëm figurat ushtarake. Ai i përbashkoi edhe përpjekjet për veprim të matur e të vendosur politik. Përveçse e artikuloi qartë vendosmërinë e shqiptarëve për vazhdim me çdo çmim të luftës e të përpjekjeve për liri, Kuvendi e miratoi edhe programin politik për njohjen e autonomisë, si hap të parë drejt pavarësisë së vilajeteve shqiptare  si dhe mori vendim që flamuri kombëtar të ngritej gjithandej trojeve shqiptare. Kuvendi mëtej i tejkaloi kufijtë e një kuvendi në thelb të të cilit qëndron përpjekja për konsolidim të përpjekjeve për liri dhe ofroi edhe  një platformë të qartë kulturore krahas asaj politike. Ai e ripohoi zëshëm orientimin perëndimor të popullit shqiptar duke këmbëngulur që gjuhë zyrtare në trevat shqiptare të jetë gjuha shqipe dhe duke ripohuar qëndrimin e njerëzve të dijes e të kulturës, se ne duhej në vendin tonë ta përdorim alfabetin shqiptar me shkronja latine. Kësisoj Kuvendi shënoi  edhe një orientim të qartë properëndimor, orientim të cilin shqiptarët e kanë dëshmuar përgjatë shekujve në pikat vendimtare të historisë së tyre. 
 
Të dashur qytetarë të Junikut, 
 
Të nderuar pjesëmarrës, 
 
Kuvendi i Junikut shënon jo vetëm datë historike e datë rikujtimi. Ai shënon pikë orientimi për veprimin politik e kulturor e për jetësim të pikësynimeve tona kombëtare. Ai shërbeu edhe si udhe rrëfim për shumë vajza e djem që dhanë jetën për atdhe përfshirë edhe vajzat dhe djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që luftuan për lirinë e për pavarësinë tonë. Urtia, përkushtimi e trimëria e pjesëmarrësve të Kuvendit të Junikut e sidomos largpamësia e tyre politike kulturore në ato kohë të zymta për ne janë pikë reference e vazhdueshme së cilës duhet t’i kthehemi vazhdimisht  dhe nga e cila duhet të mësoj secili prej nesh. Si institucione, si njerëz të përfshirë në politikë por edhe si njerëz të dijes e të kulturës ne duhet të kujdesemi që trashëgimia politike e këtij Kuvendi, maturia dhe vendosmëria e prijësve të tij të jehoj vazhdimisht dhe të shërbej si udhërrëfyes për veprimin tonë politik dhe për sjelljen kulturore. Si Presidente e vendit do të kujdesem fort që shtyllat e shtetësisë të forcohen, që kujtesa historike të ruhet e të kultivohet e të kultivohen ngjarjet e tilla si Kuvendi i Junikut, ta marrin trajtimin e duhur edhe shkencor e kulturor. Vetëm duke e kujtuar e rikujtuar, e rifreskuar të kaluarën tonë ne mund ta ndërtojmë të sigurt të ardhmen tonë.
 
Ju Faleminderit!